KORONAVIRUS

Përhapja e Omicron në vend: Sipas Silva Bino shkak u bë lirimi i masave

Shkruar nga Anabel

7 Janar 2022

Përhapja e Omicron në vend: Sipas Silva Bino shkak u bë lirimi i

Sipas shefes së Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, në vend po dominon ndjeshëm varianti Omicron. Një rritje e tillë rastesh sipas saj erdhi për shkak të lirimit të masave që u bë mbrëmjen e ndërrimit të viteve, ku u hoq ora policore që njerëzit të festonin pa kufizime.

“Omicron ka hyrë në vendin tonë dhe janë kryesisht raste të importuara dhe deri në javën e 50-të, deri në 20 dhjetor ne na ka pre-dominuar virusi Delta.  Omicron është vënë re vetëm në disa raste të lidhura me udhëtime jashtë.

Pas Krishtlindjeve, me ardhjen e shumë personave tregon se kemi një përhapje. Ne kishim parashikuar që mund të kishim një rritje për festat. Nata e Vitit të Ri ka luajtur një rol me përhapjen e Omicron, nuk ka diskutim, pasi grumbullimet janë mjeti i parë që shkakton përhapjen e virusit. Aktualisht ne kemi përhapje të Omicronit në vendin tonë. Futja e Omicronit i dedikohet Krishtlindjeve, datave 24 dhe 25."- u shpreh ajo.

Bino shtoi se janë rritur ndjeshëm rastet pozitive tek mosha 25-34-45 vjeç, që përkon me moshën më aktive në jetën sociale. 

 “Këto masa që kemi nuk zbatohen dhe organet ligjzbatuese nuk i kontrollojnë si duhet. Mbajtja e maskave është e rëndësishme. Shkojnë në opera nuk mbajnë maska, nuk paraqesin certifikatën, por nuk zbatohen masat”- vazhdoi ajo.

Përsa i përket Flurona-s, kombinimit të Covid-19 dhe gripit sezonal, Silva Bino tha se nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar në Shqipëri. 

Nga ana tjetër, ministrja Manastirliu u shpreh gjatë një deklarate të fundit se rreth 80% e punonjësve janë të vaksinuar duke shtuar se spitalet janë në gadishmëri për çdo skenar të mundshëm.

“Ajo çfarë po bëjmë, është që jemi tashmë në gadishmëri pasi rritja e numrit të rasteve sidomos në ditët e fundit ka vendosur në një gatishmëri të shtuar gjithashtu edhe spitalet tona. Aktualisht nuk kemi nje numër të shtuar të të shtruarve në spitale, por sigurisht kemi gjithë gatishmërinë në territor edhe në spitalet rajonale, por edhe në spitalet Covid 1, Covid 3 dhe Covid 4, të gatshëm nëse do të kemi një rritje të fluksit të rasteve me COVID."

 

MOS I HUMBISNI