Rreziku i shtrimit në spital është 40% më i ulët me Omicron sesa me variantin Delta
Varianti Omicron i koronavirusit duket të jetë më i butë, me një shans të reduktuar 20%-25% për t'u shtruar në spital dhe të paktën 40% më pak rrezik për t'u shtruar për një natë ose më shumë, kanë treguar të dhënat e para në Mbretërinë e Bashkuar.
Një ekip që vëzhgon përhapjen e infektimeve në Imperial College të udhëhequr nga Prof. Neil Ferguson analizoi shtrimet në spital dhe të dhënat e vaksinave midis të gjitha rasteve të Covid të konfirmuara nga testet PCR në Angli midis datës 1 dhe 14 dhjetor. Të dhënat përfshinin 56,000 raste të Omicron dhe 269,000 raste të Delta.
Kina vendos “lockdoën” për 13 milionë njerëz pasi zbuloi 127 raste me Covid
Deri në 13 milionë njerëz janë izoluar në qytetin Xi'an në Kinë, pasi autoritetet po përpiqen për të kontrolluar përhapjen e Covid-19 pasi u raportuan 127 infeksione.
Bllokimi i parakohshëm të enjten vjen pak më shumë se një muaj përpara se në Pekin të organizohen Lojërat Olimpike Dimërore.
Të gjithë banorëve në Xi'an u ndalohet të dalin nga shtëpitë e tyre, përveç blerjes së gjërave të nevojshme për jetesë ose për raste urgjente, ndërsa udhëtimi për në dhe nga qyteti është pezulluar, përveç në rrethana të jashtëzakonshme që kërkojnë miratim zyrtar. Janë mbyllur gjithashtu të gjitha bizneset jo thelbësore.
Rusia pretendon se do të fillojë bisedimet me SHBA-në dhe NATO-n
Rusia pretendon se ka rënë dakord të fillojë bisedimet me SHBA-në në fillim të vitit të ardhshëm për të diskutuar kërkesat e Moskës për "garancitë e sigurisë" në Europë, duke përfshirë ndalimin e hyrjes së Ukrainës në aleancën ushtarake të NATO-s.
Moska ka vendosur tanke dhe artileri drejt kufirit me Ukrainën, në dukje një kërcënim pushtimi i mundshëm. Kievi dhe qeveritë e Europës Lindore kanë kërkuar që të mos lihen jashtë asnjë marrëveshjeje që prek edhe interesat e tyre.
Për më shumë informacion: Ç’duhet të dini për konfliktin që po ndodh në Rusi-Ukrainë dhe rrezikun e Luftës së Tretë Botërore
"Dëgjova një mjaullimë": Burri nga Kentucky gjen macen të padëmtuar nën rrënoja, 9 ditë pas tornados
Nëntë ditë pasi një tornado shkatërroi ndërtesën e tij trekatëshe të zyrave në qendër të qytetit Mayfield, Kentucky, Sonny "Hoot" Gibson po qëndronte afër rrënojave kur mendoi se dëgjoi një mjaullimë të dobët.
"Unë nuk e di se si mund t'i ketë mbijetuar jo vetëm tornados, por shkatërrimit që erdhi bashkë me të," tha ai. Ai e gjeti macen, Madix, të padëmtuar.
Gibson tha se historia e Madix po bëhet e njohur në qytetin Mayfield dhe është “një bekim për njerëzit të dëgjojnë historinë, në mënyrë që të kuptojnë se gjëra të mëdha mund të ndodhin në situata të tmerrshme.”
Hong Kongu kritikohet pasi hoqi memorialin Shtylla e Turpit
Universiteti më i vjetër i Hong Kongut ka hequr një memorial për të vrarët në sheshin Tiananmen të Pekinit në vitin 1989 dhe ka vendosur roje në vendin ku memoriali ka qëndruar për më shumë se 20 vjet.
Ky veprim nxiti kritika ndaj universitetit dhe autoriteteve; akademikë dhe ekspertë thanë se heqja e skulpturës ishte një përpjekje për të "rishkruar historinë".
Shtylla e Turpit, 8 metra e gjatë nga skulptori danez Jens Galschiot përmban 50 fytyra të shqetësuara dhe trupa të torturuar të grumbulluar njëri mbi tjetrin dhe përkujton protestuesit pro-demokracisë të cilët u vrarë nga trupat kineze rreth sheshit Tiananmen.
Burimet: Guardian, Reuters