Marian Salzman, Zëvendës-Presidentja e Komunikimit Global në Philip Morris njihet si një trendspotter- një parashikuese e jashtëzakonshme e trendeve të jetesës.
Librat e saj, fjalimet, intervistat për mediat më të fuqishme amerikane si CNN apo MSNBC apo revista si “The Economist” dhe puna e saj gjatë këtyre viteve, kanë dëshmuar se Salzman jo vetëm që e di se çfarë do të ndodhë, por bota e dëgjon dhe shumë lëvizje të famshme marketingu janë bazuar pikërisht në parashikimet e saj. Vetë Salzman bëri të famshëm përcaktimin “metrosexual” për burrin modern që kujdeset për veten, duke ndihmuar rrjedhimisht me qindra kompani në botë, bukurie, teknologjie etj. të ndryshonin perceptimin, të riformatonin linjat e prodhimit dhe marketingun për këtë kategori. Të jetë në krye të komunikimit në Philip Morris International, për Marian ishte një sfidë, sepse e para, ajo vetë nuk pi cigare dhe e dyta, sepse e pranoi ofertën në momentin kur Philip Morris ishte gati të udhëheqë botën drejt një të ardhmeje pa tym.
E ndërsa sot, në një kohë të pasigurtë për të gjithë botën prej ndryshimit të tejskajshëm të normalitetit si pasojë e Covid-19, jemi dyfish më kureshtarë për të mësuar rreth parashikimeve të Salzman: Çfarë trendesh na presin në të ardhmen dhe si e sheh ajo shoqërinë nesër? Gjatë një interviste të dytë me Dalina Buzin, përgjigjet e Salzman jo vetëm do t'ju krijojnë një ide orientuese se ku do të jemi nesër, por do t'ju frymëzojnë duke e marrë si një leksion të mirë rreth suksesit, fuqisë dhe ambicies së gruas së fortë.
Dalina Buzi: Hera e fundit që folëm bashkë ishte Dita e Gruas, 8 marsi i 2019-ës dhe shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë. Situatat e paparashikuara nga pandemia, e nxorën njerëzimin totalisht jashtë zonës së rehatisë, kanë sjellë ndryshime të mëdha në shoqëri, në sjelljen tonë, etj. A mendon se po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të parashikuar trendet e të ardhmes?
Marian Salzman: Po! Po bëhet e vështirë të parashikosh çështjet e mëdha për shkak të faktorit “kohe”. Kur ti mendon për një trend, paralel me të mendon për intensitetin dhe shpejtësinë e tij dhe një prej gjërave kryesore që ka ndryshuar që prej 2019-ës, është shpejtësia e gjërave. Përshembull, mbaj mend që në janar të 2020-ës isha në Dallas dhe dëgjoja rreth e rrotull njerëz të flisnin për herë të parë për Covid-19 dhe 4 javë më vonë e gjeta veten të karantinuar. Papritur vura një maskë, u distancova nga njerëzit, zyrat u mbyllën, gjithçka ndryshoi ritmin.
Kështu që në të vërtetë ne s’patëm kohë ta parashikonim dhe ta studionim. Vite më parë ne do shihnim një trend dhe do ishte si shumë nga trendet e tjera, që unë zakonisht i nxjerr në publikimet e mia të parashikimeve, si përshembull interesimin e njerëzve për ujë më të pastër. Çfarë unë mendoj se ndodh është se gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe ka kaq shumë lajme nëpër media atje jashtë që raportojnë në kohë reale sa dhe ne na duket sikur po lëvizim kaq shpejt sa lajmet që dëgjojmë.
D.B: Meqë përmendet lajmet dhe mediat, dua të flasim pak për shkencën, atë ekzakten. Ju thatë që shkenca ka zënë dhe do vijojë të zërë një vend shumë të rëndësishëm në shoqërinë tonë.
Ju jeni zëvendës-presidente e një kompanie (Philip Morris) që pjesën më të madhe të të ardhurave ia keni dedikuar investimeve shkencore. Nga ana tjetër, shohim një ngritje të shpejtë dhe të fuqishme të teorive konspirative, që kryesisht vijnë si rezultat i Covid-19 dhe procesit të vaksinimit. Ju thoni se ne të gjithë duhet t’i besojmë shkencës, por si mundet që shoqëria dhe individët e saj të dallojnë më mirë çfarë është thjesht një konspiracion, çfarë nuk është e vërtetë dhe çfarë është një fakt shkencor?!
M.S: Mendoj se kjo vendos një ngarkesë shumë të madhe mbi shkencëtarët akademikë, shkencëtarët qeveritarë dhe konfirmimit të të dhënave, të testimit dhe ritestimit.
Ne s’mund thjesht të pranojmë dikë që del dhe thotë se '”X,Y” gjë është e vërtetë ' sepse kështu e ndjej unë’. Ku janë të dhënat që mbështesin këtë qëndrim, ku janë provat shkencore, ato të konfirmuarat, etj. Unë mendoj që duhet t’i japim shumë më shumë rëndësi cilësisë së shkencës dhe t'i besojmë asaj, pra të konfirmojmë informacionet që marrim. Nga ana tjetër, kur njerëzit krijojnë histori të lezetshme që përfshijnë shkencën në të do ta quaja shkencë fiktive, domethenë versioni fals i shkencës. Kështu që unë mendoj se e gjitha është një çështje e provimit të saktësisë dhe vërtetësisë të materialit shkencor që po sheh dhe konfirmimit të tij më pas.
D.B: A mendon se kjo çështje duhet rregulluar dhe kontrolluar jo vetëm nga kompanitë e internetit si Meta, por gjithashtu dhe nga qeveria?
M.S: Për mua, maksimumi që mund të bëhet me rrjetet sociale është që të ndalojnë publikimin e lajmeve të pavërteta ose fakteve alternative. Mendoj se validimi (vërtetimi i fakteve shkencore dhe i saktësisë së tyre) është një çështje që i përket shkencëtarëve dhe komunitetit të tyre.
D.B: Lexuesit tanë do të jenë shumë të interesuar veçanërisht për njërin prej parashikimeve tuaja që lidhet me trendin e të qënit i aftë. Ne në Anabel.al kemi shumë lexues të cilët janë ende në universitet dhe shumë të tjerë të sapodiplomuar. Ju argumentoni se aftësi të caktuara do të jetë shumë më të rëndësishme sesa ai edukimi formal klasik me të cilin jemi mësuar. A mund të flisni më shumë rreth këtij parashikimi?
M.S: Unë e kam quajtur këtë trend në përgjithësi “upskilling”- rritje/përmirësim aftësish.
Ideja është që ne do të na duhet të kurojmë vetë edukimin tonë. Për gati 30-40 vite kemi ëndërruar të shkojmë në një universitet dhe të marrim një edukim të zakonshëm formal. Unë nuk po e minimizoj rëndësinë e një informacioni apo edukimit të përgjithshëm, por e vërteta është që në realitetin ku jetojmë njerëzit duhet të jenë në mënyrë konstante duke “mprehur” aftësitë e tyre, qoftë vetë apo duke u trajnuar. Kjo mund të bëhet duke marrë disa klasa fizikisht ose online, për të mjeshtëruar diçka, për t’u specializuar në një aftësi të caktuar. S’ka rëndësi nëse do të jetë për inteligjencën artificiale, neurobiologji apo diçka tjetër. Çfarë unë mendoj se njerëzit do bëjnë është se do të marrin një grup klasash, të cilat do të jenë për thellimin e edukimit në një profil të caktuar. Kjo, për t’u bërë më ekspertë në diçka që ato e shohin me rëndësi në zhvillimin e tyre personal, por edhe rritjen në karrierë.
D.B: Një tjetër argument i juaji mjaft i rëndësishëm është: “të mendosh më shumë në mënyrë lokale, se globale" dhe ju gjithmonë keni qenë pionere e këtij mendimi. Vendi ynë aktualisht po përballet me një numër të lartë të njerëzve të kualifikuar që zgjedhin të largohen nga vendi. Referuar statistikave, rreth 80% e studentëve shqiptarë duan të largohen nga vendi për të jetuar dhe punuar jashtë. Endrra amerikane është akoma një ëndërr shumë e madhe për shqiptarët, megjithatë ju thoni se e ardhmja është lokale që do të thotë “të mendosh, të jetosh dhe të punosh në mënyrë lokale” do të jetë më tërheqëse për të ardhmen.
Çfarë keni dashur të thoni me këtë sepse është ende shumë koncept i panjohur për ne në Shqipëri. A mendoni se është e vlefshme për shoqëritë ku demokracia është ende në zhvillim, si vendi ynë?
M.S: Para së gjithash, si një shqiptar, në vend që të them do iki në Amerikë, do të thoja që dua të shkoj në Nashville, Tennessee sepse ka një industri mirëqënieje dhe shëndetësie në lulëzim e sipër. Ose, dua të shkoj në Silicon Valley sepse dua të punoj në fushën e teknologjisë. Nuk do themi më thjesht që dua të shkoj në Amerikë, në këtë vend gjigant me 50 shtete.
Mendoj që njerëzit do të bëhen më specifikë. Kjo sepse sidomos gjatë Covid-19 e mësuan mirë që kanë të nevojshme të jenë pjesë e një komuniteti bashkëpunues dhe produktiv, në mënyrë që të marrin një ndjesi sigurie dhe çlirimi social.
D.B: Bie dakord me ju. Diçka tjetër që m'u duk me vend për t'u diskutuar në 22 pikat tuaja të parashikimeve të trendeve të reja sociale, lidhej me shumicën e njerëzve të heshtur që mbajnë qëndrim jo-ekstrem në çështjet sociale.
Ky koncept nënkupton se njerëzit që nuk kanë qëndrime ekstreme, të kundërta kundrejt diçkaje, ose nuk e bërtasin të vërtetën e tyre, rrezikojnë të lihen në hije nga ata të zhurmshmit në rrjete sociale. Nëse kjo shumicë njerëzish me pikëpamje më në qendër (ky hyjnë edhe lexuesit e mi) refuzon të ndërveprojë në diskutime të ndryshme sociale dhe në të njëjtën kohë të mos shprehi të vërtetat e veta me zë të lartë, a nuk rrezikojmë të kemi shoqëri të deformuara?
M.S: Mendoj se ka një lloj presioni kohëve të fundit që kërkon që njerëzit që qëndrojnë në mes të shprehin me vendosmëri më shumë të vërtetat e tyre.
Problemi është se këta janë njerëzit më të arsyeshëm, më të përgjegjshëm dhe janë gjithmonë në kërkim të vendosjes së ekuilibrit dhe të qënit të sigurtë, duke zgjedhur të qëndrojnë larg debateve të nxehta. Mendoj se kjo do të jetë një dilemë e madhe sociale. Ka shoqëri të polarizuara në çdo shtet të botës, ka njerëz që nuk bien dakord fare dhe mendojnë se duke mos rënë dakord nuk do t’ju duhet të praktikojnë qytetarinë me ata që kanë qëndrim të kundërt ndaj tyre. Mendoj se do të kemi një lloj rezistence ndaj këtij fenomeni, por jo domosdoshmërisht të menjëhershëm. Them se kjo do rregullohet me kohën sepse për momentin situata është shumë e tensionuar. Eshtë e tillë që:“unë bie dakord me ty dhe të them, unë nuk bie dakord me ty dhe sërish ta them, dhe të shpreh gjëra që kanë një mungesë totale dinjiteti njerëzor, të cilat nuk do t’i kisha menduar kurrë t’i thoja një dekadë më parë.”
D.B: Po e vërtetë. Meqë po flasim për rrjetet sociale, cili mendon se do të jetë roli i rrjeteve sociale në të ardhmen?
M.S: Rrjetet sociale do të qëndrojnë gjatë me ne. Eshtë njësoj si të ma bëje këtë pyetje në 1955-ën se cili do të ishte roli i telefonit në të ardhmen. Në atë kohë telefoni qëndronte në tavolinën e tij pranë derës dhe konsiderohej si një ndërhyrje në privatësinë e familjes. Pastaj shumë shpejt telefoni u zhvendos në kuzhinë, më pas në dhomën e gjumit dhe sot të gjithë ne i kemi me vete në çdo sekondë dhe as nuk dimë më se si të qëndrojmë të palidhur me të. Mendoj se rrjetet sociale do të qëndrojnë gjatë dhe po ndryshojnë mënyrën sesi lidhemi me njëri-tjetrin. Krejt papritur burimi i diçkaje që po shihja këtë mëngjes ishte TikTok-u. Nëse unë lexoj një postim në LinkedIN, do shkoj të kontrolloj burimin e të dhënave të atij postimi.
Nga njëra anë na mëson të jemi kritikë më të mirë për të konfirmuar gjithçka shohim dhe lexojmë, po nga ana tjetër, e ka shumë të thjeshtë të na bëjë pjesë të “zhurmës” argëtuese që krijohet në këtë rrjet herë pas here.