Speciet bregdetare po formojnë koloni në mbeturinat plastike në oqean, zbulon studimi
Masat e plastikës në oqean po ofrojnë habitat artificial për speciet bregdetare, sipas një studimi të ri të botuar në revistën Nature Communications. Autorët e studimit vëzhguan shishe uji, furça të vjetra dhëmbësh dhe rrjeta peshkimi. Ekziston mundësia që speciet mund të zhvillohen për t'u përshtatur më mirë me jetën në plastikë.
Plastika e oqeanit po “krijon mundësi që biogjeografia e specieve bregdetare të zgjerohet shumë përtej asaj që mendonim më parë se ishte e mundur,” tha në një njoftim Linsey Haram, një bashkëpunëtore kërkimore në Qendrën Kërkimore Mjedisore Smithsonian dhe bashkëautore e studimit.
Italiani që përdori krahun e rremë për vaksinën e Covid, është vaksinuar
Një dentist italian, i cili përdori një krah të rremë për të bërë vaksinën e Covid, thotë se ai është vaksinuar dhe se vaksina "është arma më e mirë që kemi kundër kësaj sëmundjeje të tmerrshme".
Dr. Guido Russo përballet me akuza të mundshme mashtrimi kriminal për shkak se kishte veshur një krah të bërë nga silikoni kur u shfaq për herë të parë në një qendër vaksinash në qytetin verior Biella. Italia ka kërkuar që mjekët dhe infermierët të vaksinohen që në fillim të këtij viti.
Russo këmbënguli se nuk po mashtronte qeverinë dhe askënd, por donte të protestonte personalisht kundër vaksinimit të detyruar.
Drejtoresha e CDC thotë se Omicron është “i butë”
Më shumë se 40 njerëz në SHBA janë infektuar me variantin Omicron deri më tani dhe më shumë se tre të katërtat e tyre ishin vaksinuar, tha drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Ajo shtoi se pothuajse të gjithë ishin të sëmurë lehtë.
Në një intervistë me Associated Press, Dr. Rochelle Walensky tha se të dhënat janë shumë të kufizuara dhe agjencia po punon për një analizë më të detajuar se çfarë mund të shkaktojë forma e re e koronavirusit për SHBA.
Ajo tha se "sëmundja është e lehtë" në pothuajse të gjitha rastet e para deri më tani, me simptoma të raportuara kryesisht kollë, hundë të bllokuara dhe lodhje. Një person u shtrua në spital, por nuk është raportuar asnjë vdekje, thanë zyrtarët e CDC.
CDC po përpiqet gjithashtu të përcaktojë nëse varianti Omicron shkakton sëmundje më të butë ose më të rëndë. Arsyeja se pse simptomat për momentin janë të buta mund të lidhet me faktin se janë analizuar vetëm njerëzit e vaksinuar.
OKB-ja pezullon shpërndarjen e ushqimit në dy qytete në Etiopi pas plaçkitjeve
Programi Botëror i Ushqimit ka pezulluar shpërndarjen e ushqimit në qytetet Kombolcha dhe Dessie të Etiopisë pas plaçkitjes së furnizimeve të cilat stafi nuk ishte në gjendje t'i ndalonte për shkak të frikës së kërcënimit me armë, thanë Kombet e Bashkuara.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric tha se një sasi e madhe e furnizimeve ushqimore humanitare, duke përfshirë artikuj ushqimorë për fëmijët e kequshqyer, u vodhën dhe u plaçkitën në Kombolcha në rajonin e Amhara. "Një kërcënim i tillë i personelit humanitar nga forcat e armatosura është i papranueshëm. Ai minon aftësinë e Kombeve të Bashkuara dhe të gjithë partnerëve tanë humanitar për të ofruar ndihmë kur është më e nevojshme," shtoi ai.
Monitorimi i vendkalimeve Francë - Mbretëri e Bashkuar do t'i bëjë emigrantët të rrezikojnë më shumë, thotë aktivisti
Dy javë më parë, 27 emigrantë ndërruan jetë teksa po përpiqeshin të kalonin ilegalisht nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar. Në përgjigje të tragjedisë, qeveria franceze njoftoi krijimin e njësive të reja policore për të luftuar rrjetet e kontrabandës.
Aktivisti i të drejtave të njeriut Ludovic Holbein e përshkruan politikën e Francës ndaj refugjatëve si "ngacmim". "Njerëzit që duan të shkojnë në Angli do të vazhdojnë të marrin të gjitha rreziqet për të shkuar në Angli. Dhe shtimi i një avioni dhe dy helikopterëve nuk do t'i ndryshojë gjërat. Kjo vetëm do t'i shtyjë njerëzit të ndërmarrin edhe më shumë rreziqe, ndoshta të kalojnë në kushte edhe më të këqija, për shembull të largohen kur ka mjegull.”
Njerëzit që refuzojnë vaksinat do të gjobiten me 3600 euro në Austri
Austria planifikon të vendosë gjoba deri në 3,600 euro për njerëzit që shpërfillin vaksinat kundër koronavirusit. Qeveria njoftoi muajin e kaluar se do t’i bënte vaksinat e detyruara në fillim të vitit të ardhshëm, duke u bërë vendi i parë europian që e bën këtë.
Ministri i Shëndetësisë Wolfgang Mueckstein tha se do të ketë përjashtime për gratë shtatzëna - megjithëse theksoi se vaksinimet rekomandohen edhe për to - për njerëzit që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore dhe për njerëzit që janë shëruar nga Covid-19 në periudhën e mëparshme (gjashtë muaj).
Burimet: Euronews, Guardian, CNN