BE duhet të marrë në konsideratë vaksinat e detyrueshme, thotë Von der Leyen
BE-ja duhet të marrë në konsideratë vaksinimin e detyrueshëm në përgjigje të përhapjes së variantit "shumë ngjitës" Omicron në të gjithë Europën, tha presidentja e Komisionit Europian. Në një thirrje për më shumë masa, Ursula von der Leyen tha se 27 vendet anëtare të BE-së duhet të aplikojnë me shpejtësi doza përforcuese.
E pyetur nëse e mbështeti qeverinë greke në vendosjen e gjobës mujore prej 100 euro për ata të moshës 60 vjeç e lart që nuk bëjnë vaksinën, Von der Leyen tha se përhapja e sëmundjes dhe mungesa e marrjes së vaksinave në pjesë të BE-së nënkuptonte që vaksinimi i detyrueshëm duhej të ishte në tryezë si një përgjigje politike.
Kirurgu gjobitet me 2,700 euro për amputimin e këmbës së gabuar
Një gjykatë austriake ka gjobitur një kirurg për amputimin (prerje kirurgjikale i një gjymtyri) e këmbës së gabuar të një pacienti të moshuar. Kirurgu kishte shënuar këmbën e gabuar të pacientit 82-vjeçar për amputim përpara operacionit në maj, duke e vënë re gabimin dy ditë pas kryerjes së operacionit.
Gjykata caktoi 5,000 euro dëmshpërblim plus interes për të venë e pacientit, i cili ndërroi jetë para se çështja të përfundonte në gjykatë.
Variantet e Covid-19 mund të mos evoluojnë për të qenë më pak të rrezikshëm
Njerëzit nuk duhet të supozojnë se Covid do të evoluojë dhe do të bëhet një sëmundje më e lehtë, ka paralajmëruar shkencëtari i njohur, Neil Ferguson, duke shtuar se kërcënimi që vjen nga varianti Omicron i koronavirusit nuk do të jetë i qartë deri në fund të dhjetorit.
Prof. Neil Ferguson, kreu i grupit të analizës dhe modelimit të shpërthimit të sëmundjes në Imperial College London, tha se teksa evolucioni do ta shtynte Covid të përhapet më lehtë, virusi mund të mos bëhet më pak i rrezikshëm.
Angela Merkel do të tërhiqet nga detyra përmes një ceremonie
Angela Merkel do të tërhiqet nga detyra me një shfaqje ushtarake të mbajtur në nder të saj të enjten në mbrëmje, para se zyrtarisht t’i dorëzojë pushtetin Olaf Scholz në gjysmën e parë të javës së ardhshme.
Duke u transmetuar drejtpërdrejt në televizione në orën 19:20, ceremonia në oborrin jashtë Ministrisë së Mbrojtjes në Berlin do të fillojë me një fjalim të shkurtër të kancelares dhe do të përfundojë pas pak më shumë se një ore.
Lexoni edhe: Fundi i epokës 16-vjeçare të Angela Merkel: Ja kush do ta zëvendësojë
Lufta kundër SIDA-s duke u harruar për shkak të pandemisë
Lufta kundër SIDA-s nuk ka përfunduar ende, ndonëse situata është shumë e vështirë, veçanërisht gjatë pandemisë aktuale. Gjatë vitit të parë të pandemisë së Covid, 40 vende, kryesisht në Afrikë, raportuan një rënie të testimit për HIV, jetik për parandalimin e përhapjes së virusit.
Reduktimi i programeve parandaluese në krizën aktuale shëndetësore dhe mbyllja e shkollave, ku mësohen shumë nga programet parandaluese të OKB-së, ka qenë një goditje e rëndë për UNAIDS (Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara për HIV dhe AIDS), që paralajmëron se 7.7 milionë mund të vdesin këtë dekadë vetëm nga SIDA nëse nuk merren masa.
Fatkeqësisht, vëmendja mbarëbotërore tani është e përqendruar te Covid dhe burimet për luftën kundër SIDA-s janë shteruar në mënyrë dramatike. Dr. Meg Doherty, Drejtoreshë e Programeve Globale të HIV-it, hepatitit dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme në OBSH thotë: "HIV ka qenë pandemia e parë me të cilën u përballëm më shumë se 40 vjet më parë kur identifikuam virusin dhe që atëherë, ne kemi punuar për t'i dhënë fund SIDA-s si një kërcënim për shëndetin publik."
Lexoni edhe: Gjithçka duhet të dini për SIDA-n
Mbrojtësit e të drejtave të abortit zotohen të luftojnë pas seancës së gjykatës supreme
Mississippi synon të ndalojë abortin pas 15 javëve të shtatzënisë, një veprim i bllokuar deri më tani nga gjykatat, mirëpo në diskutimet e gjykatës supreme, shumica e gjyqtarëve u dukën të gatshëm që të kufizojnë të drejtat e abortit.
Sipas ligjit aktual, gratë shtatzëna kanë të drejtë të ndërpresin shtatzëninë deri në momentin kur një fetus mund të mbijetojë jashtë mitrës, që konsiderohet gjerësisht si 24 javë shtatzënie. Një shtatzëni e plotë konsiderohet 39 javë.
Edhe pse aborti u legalizua në vitin 1973 dhe është mbështetur nga gratë që atëherë, Kongresi nuk e ka afirmuar kurrë të drejtën e abortit në legjislacion. Aktivistët e të drejtave të njeriut thanë se do të vazhdojnë të luftojnë në organet shtetërore dhe gjykatat më të ulëta për të drejtën për të zgjedhur.
Burimet: Guardian, CNN, Euronews