Të ftuar tek "Ftesë në 5" në Top Channel pasditen e sotme ishte skenaristja dhe producentja Dalina Buzi, bashkë me disa nga aktorët e $NOB.
Pak ditë para premierës së serialit që nis transmetimin në Top Channel më 7 nëntor, Buzi bashkë me Olta Beqirin, Ketjona Pecnikaj, Gent Disha dhe Dritan Kastrati ndanë me publikun detaje të reja nga i gjithë rrugëtimi i $NOB.
"Ky prodhim s'do të ishte bërë pa Redi Trenin (regjisorin) dhe Ols Abazin [bashkë-producent i $NOB dhe bashkë-themelues i Nilor Film]. Eshtë 50/50. Unë ndoshta 10 vite më parë nuk kisha për të shkruar një skenar si ky që kam shkruar. Sepse kur rritesh i sheh gjërat ndryshe. Kur je më i ri ti shkruan për gjërat që di, por në këtë fazë mund të shkruash edhe për gjëra që nuk i ke prekur nga afër sepse analizon më tepër. Unë kam mësuar të mos paragjykoj karakterin. Nuk mund të krijosh një karakter dhe ta paragjykosh atë. Duhet të zhvishesh nga të tilla ndjesi."- u shpreh Dalina.
E pyetur nga Bieta Sulo në lidhje me kostot që një serial i nivelit të tillë kërkon, skenaristja tha se pavarësisht vështirësive financiare, pasioni mund të zgjidhë gjithçka.
"E keni parasysh kur ke një dashuri të madhe për dikë? Pavarësisht se të gjithë mund të jenë kundër, ajo dashuria është mbi gjithçka, triumfon. E njëjta gjë ndodhi dhe me $NOB. Pasioni ndihej kudo dhe e tejkalonte lekun. Kjo u vu re dhe nga gadishmëria e sponsorave kur shihnin dëshirën dhe punën tonë për të bërë diçka të mirë. Pavarësisht kësaj, gjithçka në atë serial është bërë sipas standarteve të kinemasë botërore."- vazhdoi Buzi.
Seriali i parë teen-drama në Shqipëri, bashkë-prodhim i Anabel Entertainment dhe Nilor Film, ka në qendër një histori të trilluar nga skenaristja dhe krijuesja Dalina Buzi, por bazuar në ngjarje e personazhe të realitetit shqiptar të dekadës së fundit - “një histori e disa njëzet e ca vjeçarëve të kësaj epoke, që kuptojnë se ende nuk janë në kontroll të fatit të tyre, por janë pasojë e një sërë vendimmarrjesh dëmtuese të familjeve të tyre. Në përpjekjen e tyre për të marrë në dorë fatin dhe të ardhmen, ata përfshihen në një sërë peripecish nga të cilat do të dalin tërësisht të transformuar. Kjo është një histori e krijuar nga shqiptarë dhe e bazuar tërësisht në realitetin shqiptar, por absolutisht që tema është globale.”
$NOB do të transmetohet çdo të diel duke filluar nga 7 nëntori në orën 20:00 në Top Channel.
- Publikohet data e premierës së $NOB
- Kostumografia, muzika, transmetimi etj: Disa detaje të tjera për $NOB
- Njihuni me personazhet e $NOB (pjesa e dytë)
- Njihuni me disa nga personazhet e $NOB!
- Nga Eva Alikaj tek aktorë në Netflix: Ja kasti që do të jetë pjesë e $NOB
- Alex Seitaj flet për personazhin e tij në $NOB