Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, gjatë një interviste për Abc News, njoftoi se ditën e nesërme (22 tetor) priten të merren vendime të reja nga Komiteti i Ekspertëve, për procesin e vaksinimit dhe jo vetëm.
Rakacolli foli për dozën e tretë të vaksinës anti-Covid, për uljen e moshës së vaksinimit që pritet të bëhet deri në 16-vjeç dhe për vaksinimin e fëmijëve +12 që kanë probleme me shëndetin. Përsa i përket dozës së tretë, ajo u shpreh se nuk mund të bëhet kurrsesi pa kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë.
Gjatë mbledhjes së nesërme pritet të diskutohet për detajet e marrjes së dozës së tretë, fillimin e aplikimit tek qytetarët si dhe kriteret e domosdoshme për t'u vaksinuar.
“Nesër Komiteti do të shqyrtojë rekomandimet e komitetit të vaksinimit të cilët janë të fushës për rekomandimet e vaksinimit. Një nga problemet është edhe doza e 3 e vaksinimit. Mënyra si do bëhet kjo, si do fillojë, kriteret për tu vaaksinuar, do të dalin pas mbledhjes në bazë të një udhëzimi të Komitetit Teknik. Mënyra si duhet të vazhdojë vaksinimi është një problem që nuk është i qartë për të gjithë botën. Ajo që dihet qartë dhe është e provuar është se vaksina mbron. Shifrat e vaksinimit prisnim që të ishin më të larta. Doja të theksoja që është e sigurtë që vaksina të mbron, por sa të mbron dhe si ende është jo shumë e qartë. Duhet ta kuptojmë se rekomandimet janë rekomandime mbi bazën e njohurive."-u shpreh zëvendësministrja.
Ndër të tjera, gjatë intervistës Rakacolli foli edhe për skepticizmin e studentëve ndaj vaksinimit, duke thënë se është frikë e shkaktuar nga informacionet që dëgjojnë rreth e rrotull. Një ndër teoritë që step më shumë të rinjtë, lidhet me fertilitetin, teori e cila ndonëse është hedhur poshtë nga disa studime të deritanishme besohet ende.
"Në vlerësimin tonë, të rinjtë, një pjesë kanë rënë prej e informacioneve jo të saktë, pasi në disa media u është hapësirë disa personave jo profesionistë për rrezikun në drejtim të fertilitetit dhe një pjesë ka hezituar për të pritur më gjatë.
Në fertilitet, e themi me bindje se ka studime shumë serioze dhe të gjithë, po të shikohet jo vetëm profesionistët e fushës, të gjithë e rekomandojnë vaksinën dhe në faqet zyrtare të CDS-së amerikane apo OBSH është e thënë prerazi që nuk ka asnjë lloj efekti. Nuk ka asnjë lidhje si vaksina të lidhet me këtë pjesë."- përfundoi ajo.