$NOB, seriali i parë teen-drama në Shqipëri, bashkë-prodhim i Anabel Entertainment dhe Nilor Film, do të transmetohet së shpejti në Top Channel. Nuk është larg momenti kur do t’ju njoftojmë për datën e transmetimit, por deri atëherë, faqja zyrtare e serialit në Instagram, @snob_tvseries, ka zbuluar disa detaje përmes një komunikimi pyetje-përgjigje me ndjekësit.
E nisim me kostumografinë. “Kostumografia rrëfen historinë. Ashtu siç personazhet transformohen rrugës, po ashtu ndryshon edhe stili i tyre. Kostumografi Altin Lala ka bërë një punë kolosale dhe të shkëlqyer si kostumograf dhe për adhuruesit e modës, ka sjellë disa kombinime shumë të guximshme që do të bëhen trend,” shkruhet në faqen e $NOB pasi një ndjekës pyeti se sa rëndësi i është kushtuar kostumografisë dhe a do të ketë ndonjë personazh me stil të veçantë.
View this post on Instagram
Muzika, një tjetër element i rëndësishëm. “Kompozitore e serialit është Klodeta Buzi që ka bërë një punë fantastike dhe ka sjellë një frymë shumë moderne në kompozim. Sigla është kënga ‘Pushtet’ nga Sardi Strugaj. Për këngë, kemi bashkëpunuar me emrat më të njohur të muzikës pop, hiphop dhe rock, si Elvana Gjata, Noizy, Lyrical Son, MC Kresha, Bojken Lako, Getoar Selimi, Arnon dhe Lluni.”
Padyshim që interesi i ndjekësve për aktorët është i madh. Disa prej tyre pyetën nëse ka qenë e vështirë për aktorët e rinj që të përshtaten.
“Fillimisht aktorët e përzgjedhur kishin një talent dhe natyralitet që na duhej. Nuk u bazuam vetëm te portreti për përzgjedhjen tonë. Shumica prej tyre kishin pasur përvojë më parë në aktrim. Më pas, provat kanë qenë intensive. 10 orë në ditë, çdo ditë për 2 muaj dhe paralelisht gjatë vitit klasa aktrimi me pedagogen Sonila Kapidani pranë Akademia Hollywood dhe kurse specifike për detaje të karakterit. Këta aktorë e meritojnë të gjithë suksesin sepse nuk janë aty rastësisht, por janë falë punës dhe përkushtimit të madh.”
View this post on Instagram
Historia e $NOB – e gjitha e trilluar nga skenaristja dhe krijuesja Dalina Buzi, por bazuar në ngjarje e personazhe të realitetit shqiptar të dekadës së fundit – është “një histori e disa njëzet e ca vjeçarëve të kësaj epoke, që kuptojnë se ende nuk janë në kontroll të fatit të tyre, por janë pasojë e një sërë vendimmarrjesh dëmtuese të familjeve të tyre. Në përpjekjen e tyre për të marrë në dorë fatin dhe të ardhmen, ata përfshihen në një sërë peripecish nga të cilat do të dalin tërësisht të transformuar. Kjo është një histori e krijuar nga shqiptarë dhe e bazuar tërësisht në realitetin shqiptar, por absolutisht që tema është globale.”
Dramë, romancë, komedi apo të gjitha bashkë? “Si mund të ketë histori me të rinj pa dashuri dhe romancë? Ka batuta plot në lidhje me personazhin dhe historinë. Është dramë, jo komedi.”
$NOB, përveç Top Channel, do të transmetohet edhe online në një website të dedikuar vetëm serialit dhe nuk do të jetë në YouTube. Kanë mbetur shumë pak ditë nga premiera e sezonit të parë dhe për t’i paraprirë pyetjes – po, do të ketë një $NOB 2 sepse seriali ka premisa të vazhdojë gjatë.
Për më shumë detaje, ndiqni faqen @snob_tvseries për t’u informuar të parët me të rejat më të fundit.
Artikuj të rekomanduar: