Shqipëria

Unicode njeh alfabetin unik të gjuhës shqipe

Shkruar nga Anabel

22 Shtator 2021

Unicode njeh alfabetin unik të gjuhës shqipe

Unicode – standard i teknologjisë së informacionit për kodimin, përfaqësimin dhe trajtimin e teksteve për shumë sisteme shkrimi në botë – ka shtuar 5 shkrime dhe 37 karaktere të reja emoji në versionin Unicode 14.0, përfshirë këtu edhe alfabetin unik Vithkuqi, të krijuar nga Naum Veqilharxhi.

Unicode e përshkruan si “një dorëshkrim historik i përdorur për të shkruar shqip, i cili po pëson një ringjallje moderne”. Ai mund të përdoret në faqet e internetit, kompjutera dhe telefona.

Unicode njeh alfabetin unik të gjuhës shqipe

Si pioner i Rilindjes Kombëtare, Naum Veqilharxhi (1797 – 1846), i lindur në fshatin Vithkuq të Korçës, e nisi punën si atdhetar duke krijuar një alfabet origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë nga 33 shkronja, i cili ndonëse nuk gjeti zbatim të gjerë, vlerësohet nga studiuesit për punën dhe rëndësinë e asokohe për të patur një alfabet të gjuhës shqipe. Ai punoi me alfabetin mes viteve 1825 dhe 1845.

Unicode njeh alfabetin unik të gjuhës shqipe

Me këtë alfabet, Veqilharxhi hartoi edhe një libër, të parën abetare për mësimin e gjuhës shqipe me titullin “Evëtar”.

Në vitin 2017, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Veqilharxhit, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh:

“Ideja kombëtare për së pari filloi nga zhvillimi i arsimit dhe një gjë e tillë nuk mund t’i atribuohet një njeriu, por plejadës së tërë. Gjithsesi Naum Veqilharxhi ishte ai që e filloi punën e tij në një “tokë djerrë”, dhe pas 20 viteve na dha një alfabet krejt të veçantë me të cilën mund të shkruhej gjuha shqipe.”

Studiuesja Rovena Vata, e pranishme në veprimtarinë “220-vjetori i lindjes së Naum Veqilharxhit”, theksoi se “si iluminist revolucionar, Naum Veqilharxhi kërkoi zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhët e vendeve të qytetëruara.”