Pasi ju njohëm me pjesën e parë të personazheve të serialit $NOB – kryesisht emra të rinj që prezantohen për herë të parë për publikun e gjerë dhe do të sjellin një frymë të re – koha t’ju prezantojmë me pjesën tjetër të kastit, i cili përbëhet nga figura të njohura të kinemasë dhe teatrit.
“Përzgjedhja e kastit ka qenë shumë e kujdesshme. Kemi konsideruar dhe rikonsideruar shumë aktorë. Kemi bërë kërkime si për aktorë në Shqipëri ashtu edhe për aktorë shqiptarë që jetojnë jashtë. 90% e kastit vijnë me eksperienca të mëparshme aktrimi, kurse të tjerë të rinj që kanë role kyçe, u janë nështruar disa audicioneve dhe rreth një viti trajnimi të përjavshëm me pedagogë të Akademisë, për të arritur në performancën që ne kërkojmë," tregoi për Anabel Ols Abazi, bashkë-producent i serialit.
View this post on Instagram
Aleks Seitaj
Aleksi është një prej aktorëve më të talentuar të brezit të tij, i njohur kryesisht në zhanrin komedi me intepretime në “Portokalli” apo në blogun e tij personal. Përpara se të bëhej pjesë e $NOB, Aleksi sapo kishte përfunduar xhirimet e filmit me metrazh të gjatë “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” ku luan rolin kryesor (Zylon).
Roli në $NOB: Lusi
Luisi e di çdo të thotë të jesh minorancë. Ai është rritur i paragjykuar, i përbuzur dhe i distancuar dhe çdo dhimbje ja ka bërë koracën më të fortë. Po aq të fortë ka dhe mllefin ndaj atyre që ai i fajëson për dramat në jetën e tij. Gjithçka çfarë Luisi kërkon është të pranohet, por mënyra si e kërkon e vendos në situata të pafavorshme.
View this post on Instagram
Eni Jani
Aktorja Eni Jani ka mbetur gjatë në kujtesën e publikut me rolin e saj të Erës në serialin më të suksesshëm të pas-viteve ‘90 “Njerëz dhe Fate”. Pas serialit, Jani është aktivizuar me një sërë shfaqjesh teatrale si “10 Vjet Martesë”, “Historia e kopshtit zoologjik”, “Shtrigat e Salemit” etj. Aktualisht aktorja punon edhe si kryeredaktore pranë RTSH2.
Roli në $NOB: Eva
Eva është gruaja e një gjyqtari, nënë e dy fëmijëve dhe një shpirt i lirë, e cila kërkon të gjejë dashurinë dhe paqen aq të munguar në martesën e saj. Por dëshira për të ndjekur zemrën i rrezikon reputacionin e familjes dhe marrëdhënien me të bijën.
View this post on Instagram
Piro Qirjo
Piro Qirjo rikthehet në ekran pas një mungese të gjatë. Ai u bë i njohur pas viteve ‘90-tw me rolin e tij të Gjorg Berisha në filmin “Të paftuarit” një adaptimi i romanit të Ismail Kadaresë “Prilli i thyer”. Ai ka interpretuar në filma si “Kush vdes në këmbë”, “Rikostruksioni”, “Kronikë e një nate” si edhe ka qënë regjisor i një numër dokumentaresh shkencorë dhe socialë.
Roli në $NOB: Zef
Zefi, deputet i veriut dhe një njeri me influencë në politikë dhe biznes, di se si t’i luajë shumë mirë gurët me të gjitha kahet politike dhe klasat. Por këto lojëra të zgjuara, bëhen problem, kur me dashje ai prek dhe dëmton gjakun e tij. Të bësh kompromis mund të të japë fuqi dhe para, por të bësh kompromis me integritetin, rrezikon të të çojë drejt rrënimit shpirtëror.
View this post on Instagram
Myzafer Zifla
Myzafer Zifla, aktor i Teatrit Kombëtar, ka një eksperiencë tejet të suksesshme si në skenë ashtu edhe në kinema me role të rëndësishme në filma si: “Dora e Ngrohtw”, “Gurwt e shtwpisw sime”, “Gjoleka, djali i Abazit”; “Mysafirët”, “Amaneti” etj.
Roli në $NOB: Eduardi
Eduard Andoni, një gjyqtar i njohur është në kohën e tij më të vështirë. Vetingun nuk e kaloi, Amerika e ka vendosur në listën e zezë dhe si të mos mjaftonin këto, familja po i shpërbëhet.
View this post on Instagram
Violeta Banushi (Trebicka)
Pedagoge në Universitetin e Arteve dhe një prej aktoreve më spikatura të skenës dhe ekranit, Banushi ka interpretuar në dhjetëra role. Në teatër: “Elektra”, “Arturo Ui”, “Kujtesa e Ujit”, “Tramvaj me emrin Dëshirë”, “Lojë martese” etj. Në kinema “Letrat e erës”, “ Ora e Bushit” “Amanet” etj.
Roli në $NOB: Lili
Lili, një grua e ve është goditur nga një tragjedi e madhe, vrasja e të birit, një humbje të cilën ajo e ka shumë të vështirë ta rikuperojë. Hija e tij e shoqëron kudo dhe i shton frikën për jetën dhe zgjedhjet e vajzës së saj të vetme, frikë që shpesh bëhet gati mbytëse dhe e padrejtë për të bijën.
View this post on Instagram
Sokol Angjeli
Sokol Angjeli ka mbi supe rreth 40 vite eksperiencë në teatër dhe kinema. Në kinema ka spikatur me role në filma të njohur si “Perëndim- Lindje”, “Kur xhirohej një film”, “Në pyjet me dëborë ka jetë”, “Amaneti”, “Një baba tepër”, “Shoqja nga fshati”, “Hije”, “Gjurmët” etj. Në teatër numëron me dhjetëra role në shfaqje si “Ëndrra e një nate vere”, “Xhelatët”, “Korbi i Bardhë”, “Rrëshajat”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Karnavalet e Korçës” etj.
Si regjisor teatri, Angjeli ka vënë në skenë një sërë shfaqjesh ku edhe është nderuar me çmim të parë për dramën “Flaka e Janarit”.
Roli në $NOB: Kristaqi
Mos e pyesni Kristaqin si e bëri milionin e parë, se llogaritë i dalin vetëm atij. Një ish-drejtor krimesh, sot Kristaq Pano është një prej ndërtuesve më të fuqishëm në vend. Por e kaluara nuk harrohet lehtë. Sado të mundohet ta shmangë, mëkatet e tij i vuan e bija.
View this post on Instagram
Romir Zalla
Romir Zalla është një prej aktorëve më aktivë dhe më të kërkuar si në kinema, ashtu edhe në skenë dhe TV. CV-ja e tij numëron me dhjetëra role të rëndësishme në teatër në shfaqje si “Rinoceronti”, “Këngëtarja tullace”, “Menaxheria e Qelqtë”, “Dikush që do të kujdeset për mua”, “Klani i të divorcuarve”, “Ëndërr e një nate vere”, “Një jetë me ty” etj.
Në kinema: “Mëngë këmishe”, “Gjallë”, “Komuna e Parisit” “Lindje Perëndim Lindje”; “Lulebore” etj.
Në TV, Zalla ka punuar si prapa skene si regjisor dhe producent, ashtu edhe si aktor, ku fitoi popullaritet me stand-upet e tij (të parat të këtij lloji në Shqipëri) në spektaklin e humorit “Portokalli” si Llambi, Endri, Psikologu, Agushi, Shekspirianj etj. Përpara se te bëhej pjesë e kastit të $NOB, Zalla përfundoi xhirimet për një tjetër serial “Katrori i Pushtetit”, ku luan një prej roleve kryesore.
Roli në $NOB: Iliri
Iliri i ka kushtuar gjithë jetën e tij krijimit dhe ngritjes së një grupi të madh biznesesh, që gradualisht u bë grupi më i fuqishëm në vend. I vetmi problem është që Iliri nuk ka qenë pronar në asnjë nga këto biznese dhe si CEO, ai prapë nuk gëzon të njëjta të drejta si pronarët. Kjo s’ka përbërë asnjëherë problem deri në momentin, kur ai filloi ta ndjente që nuk ishte më njeriu më i besuar i pronarit.
View this post on Instagram
Eva Alikaj
Eva Alikaj është një ikonë e kinemasë dhe teatrit shqiptar, me shumë role kryesore të paharrueshme që jo vetëm i kanë dhënë çmime të para në festivale, por edhe popullaritet të jashtëzakonshëm. Në kinema Alikaj ka sjellë interpretime të shkëlqyera në filma si “Shirat e vjeshtës” ( Linda), “Treni niset në 7 pa 5” (Etleva), “Jeta në duart e tjetrit” (Ana), “Hijet që mbeten pas” (Etleva), “Njeriu i mirë” (Drita), “Stolat në park” (Edlira) etj.
Në teatër, roli i saj më i famshëm për publikun do të mbetet ai i Elsës në komedinë “Pallati 176”. Po aq sukses ka patur edhe interpretimi i Xhuljetës në tragjedinë “Romeo dhe Xhuljeta”. Pas viteve ‘90-të Eva u zhvendos në Austri, ku vazhdoi angazhimin si aktore në seriale e filma si “Vier Frauen und ein Todesfall”, “Mord auf rezept” etj.
Roli në $NOB: Linda
Linda duket se ka gjithçka: Paranë, pushtetin dhe një familje të shëndetshme. Por për të mbajtur këtë para, pushtet dhe familje të shëndetshme, gruaja e një prej njerëzve më të pasur të vendit, e di se nuk është aspak e lehtë, rrethuar nga armiq dhe shumë pak njerëz që të duan pa interes. Frika dhe pasiguria e saj i kthehet në një forcë të paparashikueshme, kur i cënohet familja.
View this post on Instagram
Dritan Kastrati
Dritan Kastrati është aktor shumë aktiv në Mbretërinë e Bashkuar. Përpara se t’i bashkohej kastit të $NOB, Kastrati sapo përfundoi xhirimet e një filmi nga regjisorja e njohur Sally El Hosaini, një bashkëprodhim i Netflix dhe Working Title. Ai ka interpretuar në disa seriale të njohura si “Hidden”, prodhim i BBC, “Agatha Raisin” nga Acorn Entertainment, “Stan’s Lee Lucky Man”, serial i shkruar nga Stan Lee, krijuesi i Spiderman dhe drejtori kreativ i Marvel Comics për dy dekada etj.
Kastrati është angazhuar edhe në skenën angleze jo vetëm si aktor, por edhe si dramaturg. Për bashkëpunimin e tij si autor në dramën “Si të mos mbytesh”, Kastrati u nderua në Skoci me çmimin Hector MacMillan. Ai jeton dhe ushtron profesionin e tij ne Londër.
Roli në $NOB: Paulini
Çfarë e bën një njeri t’i hyjë botës së krimit? Në rastin e Paulinit, gjithçka nisi nga një padrejtësi ndaj familjes së tij, e ndjekur më vonë nga një tragjedi, humbje për të cilën ai kërkon hakmarrje. Por dëshira për hakmarrje nuk serviret e ftohtë, por e mbushur me shumë emocione dhe dilema nëse duhet të qëndrojë ai Paulin që të gjithë i frigohen, apo të sakrifikojë synimet e tij për të mbrojtur njerëzit e zemrës.
View this post on Instagram
Indrit Çobani
Aktor dhe regjisor, Indrit Çobani është një prej emrave më të suksesshëm të Teatrit Kombëtar, i shquar për aftësinë e tij për t’u futur shumë natyrshëm nën lëkurën e një morie karakteresh nga më ekstremet. Me role të rëndësishme në shfaqje best-seller si Familja Tot, Engjujt e Amerikës, Makbeth, Mashtrimi, Pamje nga Ura, Vrasja e Maratit etj. Ai është vlerësuar edhe me çmime si Aktori i Vitit nga Akademia “Kult” për rolin e një infermieri gay në dramën “Ëngjëjt e Amerikës”.
Si aktor në kinema, ka disa role mbi supe në filma si “Dita ze fill”, “Zheg”, “Mund të më quash Xhon” “Letra fati”, etj Krahas rolit të tij në $NOB, momentalisht Çobani është duke punuar për të vënë në skenë këtë vjeshtë në Teatrin Kombëtar një pjesë të njohur franceze “Edmond”.
Roli në $NOB: Admiri
Admiri nuk ka çfarë të humbë. Çfarë kishte të shtrenjtë e humbi kohë më parë dhe tani jeton me iluzionin e një jete që s’mund ta kthejë mbrapsh dhe me dyshimin se çdo njeri, sado i afërt do ta tradhtojë një ditë. Mungesa e besimit edhe tek ata që i kanë zgjatur dorën në momentet e tij më të vështira, e shtyn të bëj zgjedhje që mund të dëmtojnë shumë njerëz të pafajshëm.
View this post on Instagram
Roerd Toçe
Roerd Toçe, është aktor pranë Teatrit Metropol dhe një ndër më aktivët, me role të njëpasnjëshme ne shfaqje si “Kombinati”, “Ditari i Ana Frank”, “Njëlloj si ti”, “Së prapthi” “Letra”, “Njolla të murrme” etj.
Së fundmi ai interpretoi në shfaqjen e suksesshme “Pikaso dhe Anshtajn në një bar në Paris”. Në kinema krahas $NOB, Toçe sapo përfundoi një film, ku ai luan një rol protagonist përkrah aktores së njohur Luiza Xhuvani.
Roli në $NOB: Genti
Ish-ushtar në Afganistan, Genti, i vetmi burrë i shtëpisë, ka vetëm një dëshirë: Të ndihmojë të jëmën financiarisht dhe të mbështesë ëndrrat e të motrës. Puna që merr e vendos përpara një zgjedhjeje të vështirë dhe me rrezik, ku në çdo rast humbja është më e garantuar se fitorja. Të zgjedhë dinjitetin dhe integritetin apo ekonominë e familjes?
Për më shumë informacione mbi $NOB ndiqni faqen zyrtare të serialit në Instagram.
Artikujt të rekomanduar: