Justin Timberlake, ish-i dashuri legjendar i Britney Spears e ka mbështetur publikisht këtë të fundit pas deklaratave zemërthyese të saj!
Britney Spears foli për herë të parë në një seancë gjyqësore të mërkurën, 23 qershor, në lidhje me kujdestarinë e saj të urdhëruar nga gjykata për gati 13 vjet. Spears kërkoi t'i drejtohej gjyqtares Brenda Penny për të folur në lidhje me marrëveshjen. Këngëtarja ndoqi dëgjimin virtualisht në telefon dhe foli për më shumë se 20 minuta ndërsa lexoi shënimet e përgatitura.
39-vjeçarja kërkoi "t'i kthehej jeta e saj mbapsht" duke shtuar se prej vitesh nuk i lejohet as të ketë një fëmijë dhe as të martohet. Njësoj si e gjithë bota, edhe Justin e dëgjoi këtë dhe s'mundi të heshtë.
"Pas asaj që ne pamë sot, duhet t'i dalim në mbështetje Britney-it. Pavarësisht të shkuarës sonë, të mirë apo të keqe, nuk ka rëndësi sa kohë ka kaluar që atëherë...çfarë po i ndodh asaj tani s'është e drejtë. Asnjë grua s'duhet të limitohet për të marrë vendime që i përkasin trupit të saj. Askush s'duhet të kufizohet ndaj dëshirës së tij apo të marrë leje për të përdorur çdo gjë që i ka fituar për vite me radhë me aq shumë mund dhe punë. Jess dhe unë i dërgojmë gjithë dashurinë tonë dhe mbështetjen absolute Britney-it në një kohë si kjo. Urojmë që gjykata dhe familja e saj të ndjekë rrugën e drejtë dhe ta lënë të jetojë si ajo do."- shkruan këngëtari në Twitter.
Britney dhe Justin kanë qenë të lidhur nga 1998 deri në 2002. Në fillim të këtij viti, Timberlake kërkoi falje për mënyrën sesi e trajtoi atë pas ndarjes. Kur dyshja u nda, këngëtari e akuzoi Britney-in publikisht për tradhti dhe pas kaq vitesh reflektoi duke akuzuar industrinë për pjesën më të madhe të gjërave që ndodhën asokohe.
Burimi: Pop Sugar