Vaktet e frymëzuara nga ushqimet tradicionale të Mesdheut mund të ulin rrezikun për shfaqjen e demencës dhe humbjen e kujtesës, sipas një studimi të ri.
"Provat vazhdojnë të tregojnë se ju jeni çfarë hani kur bëhet fjalë për shëndetin e trurit", tha për CNN Dr. Richard Isaacson, i cili drejton Klinikën e Parandalimit të Alzheimerit në Weill Cornell Medicine dhe Spitalin NewYork-Presbyterian.
"Në këtë studim të rëndësishëm, studiuesit treguan se është e mundur që jo vetëm të përmirësohet funksioni njohës - më specifikisht kujtesa - por gjithashtu të zvogëlohet rreziku për sëmundjen Alzheimer", tha Isaacson, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.
"Sa më shumë të përputhej stili i tyre i jetesës me dietën mesdhetare, njerëzit kishin një vit shtesë më pak plakje të trurit. Kjo është e habitshme," shtoi ai. "Shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se është e mundur të marrësh nën kontroll shëndetin e trurit, megjithatë ky studim na tregon pikërisht këtë.”
Në janar të vitit 2020, për të tretin vit radhazi, dieta mesdhetare – e pasur në yndyrna të shëndetshme, peshk, drithëra dhe e varfër në ushqime të procesuara dhe mish të kuq – u shpall si dieta më e mirë në botë nga US News & World Report.
Dieta mesdhetare ka lënë pas shumë dieta të njohura, si ajo keto ose vegane dhe është cilësuar edhe si dieta më e lehtë për t’u mbajtur. Kjo dietë u prezantua për herë të parë në vitin 1993 bashkë me piramidën e saj ushqimore. Nuk ka një listë fikse me produkte, sepse çdo rajon i detit Mesdhe e përshtat në bazë të traditës gastronomike.
E përbashkëta e rajoneve të Mesdheut, ku këtu bën pjesë edhe vendi ynë, është gama e gjerë e ushqimeve: perime, fruta, fara, drithëra, vaj i ullirit, kosi, djathi, peshku, vezët dhe vera. Sekreti i dietës mesdhetare qëndron te freskia e ushqimeve; ato duhet të jenë bio dhe të sezonit. Dieta mesdhetare lejon në sasi të vogla mishin dhe ëmbëlsirat dhe shoqërohet gjithnjë me aktivitet fizik.
Vaji i ullirit është një ndër sekretet e kësaj diete. Ai duhet të jetë ekstra i virgjër, sepse yndyrat e ngopura janë në përqindje të vogël, krahasuar me vajin e zakonshëm të ullirit.
Përfitimet e dietës mesdhetare: forcon shëndetin e zemrës, mbron organizmin nga kanceri, parandalon mbipeshën dhe diabetin, rezulton më e shëndetshme se dieta vegane.
Dieta mesdhetare është më tepër një stil jetese sesa një dietë e mirëfilltë. Në vijim gjeni një guidë të thjeshtë:
- Çdo ditë fruta dhe perime të stinës.
- Çdo ditë drithëra integrale (grurë, misër, oriz, tërshërë, elb), fasule, thjerrëza, qiqra.
- Dy deri në tre herë në javë duhet të konsumoni peshk dhe prodhime deti.
- Duhet të keni pjesë të dietës suaj ushqimore arrat, bajamet, susamin, farat e kungullit dhe erëzat si rigoni, rozmarina, trumza etj.
- Mish i kuq dhe ëmbëlsira duhet të jenë në sasi të vogla.
- Përdorimi i vajit të ullirit.
- Konsumi i kontrolluar i verës së kuqe dhe çajrave bimorë.
- Aktiviteti fizik.