Në disa vende, 20% e lindjeve bëhen në shtëpi, edhe pse pjesa më e madhe e mjekëve besojnë se spitalet dhe maternitetet janë vendet më të sigurta për lindjet e fëmijëve. Megjithatë, studimet kanë treguar se dhe lindjet në shtëpi mund të kenë përfitimet e tyre.
Çfarë do të thotë "të lindësh në shtëpi"?
Nëse vendosni të keni një lindje në shtëpi, kjo do të thotë që të gjitha procedurat e lindjes do të bëhen aty me ndihmën e një mamie, një infermiereje ose një mjeku obstetër. Sigurisht, për këtë nevojitet fillimisht miratimi i mjekut që ka ndjekur shtatzëninë, sepse duhet të merren parasysh disa kritere. Pra, jo të gjitha gratë mund të lindin në shtëpi, në varësi të ecurisë së shtatzënisë së tyre.
Përfitime të mundshme janë:
1. Ju jeni më shumë nën kontroll
Në spital, gratë i nënshtrohen ndërhyrjeve të infermierëve, ndërprerjeve dhe ndonjëherë edhe njerëzve të padëshiruar që vijnë pranë tyre gjatë gjithë kohës. Por kur është në shtëpi, gruaja mund ta ketë në kontroll të plotë situatën. Ky lloj lehtësimi dhe vetëkontrolli mund ta ndihmojë procesin e punës.
2. Familja mund të jetë me ju
Zakonisht, spitalet kanë një numër të kufizuar njerëzit që mund të jenë të pranishëm në dhomë, por kjo nuk ndodh nëse jeni në shtëpi. Ju mund të keni pranë bashkëshortin, fëmijët apo edhe njerëz të tjerë.
3. Kushton më pak
Në shumë shtete, lindja e një fëmije mund të jetë një përvojë e shtrenjtë. Kjo mund t'i shtyjë disa gra ta mendojnë seriozisht lindjen në shtëpi. Kështu, paratë që kursejnë mund t'i shpenzojnë për kostot e ardhshme të foshnjës.
4. Mund ta bëni pa ilaçe
Në pjesën më të madhe të rasteve, në lindjet në shtëpi gruaja nuk merr asnjë lloj medikamenti. Sigurisht, nuk ka as ndërhyrje apo anestezi.
5. Mund të jetë më e rehatshme
Gratë mund të lindin ku të duan: në vaskë, në dysheme, në një vend me shumë jastëkë apo në shtratin e tyre. Ky lloj komoditeti mund të ndihmojë që lindja të ndodhë më natyrshëm dhe më lehtë.
Burimi: National Institutes of Health, Bright Side