Beauty

Si të pyesësh dikë për ndërhyrjet estetike, pa e pyetur për ndërhyrjet estetike

Shkruar nga Anabel

9 Prill 2021

Si të pyesësh dikë për ndërhyrjet estetike, pa e pyetur

Kur dikush ndryshon diçka në trup, sidomos në zonën e fytyrës, është e kuptueshme që njerëzit ta vënë re ndryshimin dhe kësisoj, të pyesin. Mirëpo jo të gjithë mund të ndihen mirë për të folur për eksperiencën e tyre, përsa kohë është zgjedhje personale, ndaj ka disa rregulla të pashkruara për mënyrën se si mund t’i drejtohesh dikujt që ka kryer një ndërhyrje estetike, ose së paku ashtu duket.

E ftuar te “Rudina”, Eni Çobani u pyet nga një ndjekëse përmes një video-mesazhi: “Duket sikur koha për ju ka ndaluar. Por a keni kryer ndonjëherë botoks për mirëmbajtjen e fytyrës suaj?”. (Nëse jeni kuriozë, Eni tha se s'ka bërë botoks, por ka ndikuar vetëm gjenetika dhe trajtimet e zakonshme të fytyrës). Fjalia e parë e ndjekëses është e këndshme, është kompliment, ndërsa fjalia e dytë më e drejtpërdrejtë. Absolutisht që nuk është fyese, por mos është më e drejtpërdrejtë seç duhet? Vështirë t’i japim një përgjigje, megjithatë mund të ishte thënë në një mënyrë tjetër.

“Kur ndryshojmë diçka në mënyrën si dukemi, është pothuajse diçka automatike që njerëzit të reagojnë,” tha për Mercury News Mary Mitchell, autore e librit "The Complete Idiot’s Guide to Etiquette” e cila shkroi një guidë për familjarët, miqtë dhe kolegët se si duhet të sillen kur dikush ka kryer një ndërhyrje estetike (ose duket sikur ka kryer).

“Është e pasjellshme të pyesësh direkt. Prisni që t’ua thonë,” shton ajo. “Nëse është shumë e dukshme, drejtojuni personit duke i thënë, ‘Hej, dukesh kaq mirë. Cili është sekreti yt?' Pyeteni pa ironi.”

Ajo këshillon që nëse keni qenë në dijeni dhe ai/ajo jua ka thënë paraprakisht ndërhyrjen, pyeteni fillimisht se si ndihet, sidomos për ndërhyrje të cilat janë më delikate se botoksi, për shembull operacioni i hundës apo veshëve.

Shmangini fjalitë si, “Çfarë ke bërë ti në fytyrë?”. Me fjalë të tjera: Mos pyesni troç. Krijoni hapësirë – përmes komplimenteve – që ta thonë vetë.

MOS I HUMBISNI