Karriera

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe çfarë stresi paskërkan?

Shkruar nga Anabel

8 Prill 2021

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe

Kur nëpër media qarkulloi lajmi se kontrollorët e trafikut ajror në aeroportin e Rinasit, pjesë e ALBControl, braktisën punën, gjë që shkaktoi një kaos me anulimin e fluturimeve, shumë njerëz me gjasë do ta kenë pyetur vetes se çfarë janë kontrollorët ajrorë. Patjetër, ne e dimë që në aeroport gjendet një staf i mirëkualifikuar që mbikëqyr trafikun ajror, por çfarë bëjnë konkretisht dhe pse profesioni i tyre, përveçse një nga më të paguarit, është edhe një nga më të vështirët? Në vijim gjeni një përmbledhje të informacioneve kryesore në lidhje me këtë profesion, përfshirë edhe fakte interesante.

Artikulli është i ndarë në disa çështje (lexo titullin me shkronja më të errëta për idenë e përgjithshme) të cilat mund të lexohen sipas rendit në vijim, por megjithatë ruajnë pavarësinë nga njëra-tjetra.

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe
Foto: ALBControl

Çfarë është ALBControl?

ALBControl është emërtimi i ri për atë që njihej si ANTA SHA, e krijuar në vitin 1992 si një ndërmarrje shtetërore dhe në shkurt të vitit 1999 u transformua në shoqërinë aksionare Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror. ALBControl menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore Shqiptare (FIR), në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe është pjesë e EuroControl dhe pjesë e Canso Europe Region që prej vitit 2016. Thënë kjo, kontrollorët e ALBControl janë pjesë e një shoqërie aksionare të rëndësishme, tepër të rëndësishme!

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe
Foto: ALBControl

Po kontrollorët ajrorë çfarë janë?

Kontrollorët e trafikut ajror janë profesionistë të trajnuar që të koordinojnë lëvizjen e avionëve në mënyrë që të mbajnë distanca të sigurta mes tyre, monitorojnë lëvizjen e avionëve në tokë dhe ajër, kontrollojnë pistat e aeroportit, lëshojnë udhëzime për pilotët në lidhje me uljet dhe ngritjet e avionëve, informojnë pilotët për motin dhe informacione të tjera kritike.  

Një fakt pak i njohur për kontrollorët e trafikut ajror është se ata nuk ulen të gjithë te kullat e larta të kontrollit që shohim në aeroporte. Në fakt, shumica e tyre nuk qëndrojnë fare aty. Në të vërtetë ekzistojnë tre kategori të ndryshme të kontrollorëve dhe kjo ka kuptim përsa kohë kontrollorët menaxhojnë lëvizjen e avionëve në të gjitha fazat, nga një terminal në tjetrin.

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe
Foto: ALBControl

- Kontrollorët e kullës: Këta profesionistë drejtojnë lëvizjen e avionëve përgjatë pistës dhe monitorojnë trafikun.
- Kontrollorët e hyrjes dhe daljes: Këta sigurojnë që avionët të udhëtojnë brenda hapësirës ajrore të aeroportit dhe të jenë të pajisur me të gjitha lejet kur hyjnë në një hapësirë ajrore të kontrolluar.
- Kontrollorët e trafikut: Këta profesionistë kanë si mision që të shmangin rrëzimin e avionëve dhe udhëzojnë pilotët gjatë fluturimeve.

Si terma përmendim disa si: kontrollori i terminalit, kontrollori lokal i kullës, kontrollori i radarit të terminalit, kontrollori i të dhënave të fluturimit, kontrollori i tokës etj.

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe
Foto: ALBControl

Çfarë aftësish ka një kontrollor?

Përgjigjja e shkurtër: Shumë! 

Përgjigjja e gjatë: ALBControl shkruan në faqen e saj se “kontrollorët e trafikut ajror trajnohen për të punuar në gjendje stresi të lartë, zotërojnë memorie të shkëlqyer vizive, kontrollojnë dhe marrin vendime në situata konfliktesh dhe kanë aftësi shumë të mira komunikimi.

Një nga aftësitë e domosdoshme për të qenë kontrollor, është që t’i kuptosh situatat shpejt dhe po aq shpejt të marrësh një vendim. Ata duhet të fokusojnë vëmendjen në një detyrë duke mbajtur në memorie në të njëjtën kohë detyrat e tjera. Kontrollorët duhet të planifikojnë  gjithmonë tre hapa para dhe të verifikojnë gjithnjë atë që kanë bërë".

Aftësitë kryesore të kontrollorëve janë: aftësi të jashtëzakonshme përqendrimi, aftësi matematikore për të zgjidhur probleme komplekse, aftësi në zgjidhjen e problemeve, aftësi organizative për të koordinuar fluturimet dhe mbi të gjitha, aftësi komunikimi për të transmetuar informacion të qartë dhe konciz.

Në faqen në internet, ALBControl shkruan se "kontrollorët e trafikut ajrorë shqiptarë janë arsimuar dhe kualifikuar si specialistë në akademi dhe institucione të njohura ndërkombëtare si në Mbretërinë e Bashkuar, Luksemburg, Republikën  Çeke, etj."

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe
Foto: ALBControl

Por nuk janë vetëm kaq!

Përmes studimeve të shumta përgjatë dekadave, është kuptuar se kontrollorët e trafikut ajror zakonisht kanë një memorie vizuale superiore, dhe përveç kësaj, studimet kanë treguar që kanë një shkallë të vetëdijes së situatës që është dukshëm më e mirë se mesatarja e popullsisë. Në "lojërat" që përfshijnë kujtesën afatshkurtër, strese të shkaktuara nga kolegët dhe analiza të rrezikut në kohë reale, specialistët e kontrollit të trafikut ajror kanë arritur rezultate më të larta se çdo grup tjetër në eksperimente.

Aftësitë e shkëlqyera të dëgjimit dhe të folurit janë një kusht i domosdoshëm dhe ata i nënshtrohen testimeve rigoroze fizike dhe psikologjike. Pozicioni i kontrollorit të trafikut ajror ka disa nga kërkesat më të rrepta mjekësore dhe mendore në krahasim me çdo profesion në botë; kushte të tilla si diabeti, epilepsia, sëmundja e zemrës dhe shumë çrregullime mendore (p.sh., depresioni klinik, ADHD, çrregullimi bipolar, historik abuzimesh me substanca etj.) pothuajse gjithmonë i skualifikojnë njerëzit që duan të licensohen në këtë profesion.

Në disa vende, gjendje të caktuara fizike, si hipertensioni, ndonëse nuk janë skualifikuese, merren seriozisht dhe duhet të monitorohen me ekzaminime mjekësore nga mjekë të certifikuar.

Kushtet e pranimit si kontrollor dhe dalja në pension mund të ndryshojë me një diferencë të vogël në vite nga njëri vend në tjetrin, por pothuajse gjithmonë ata nisin trajnimin në të njëzetat, duhet të punësohen jo më vonë se ditëlindja e 31-të dhe dalin në pension diku rreth moshës 56 vjeç.

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe
Foto: ALBControl

Sa paguhen?

Fillimisht sa paguhen në Shqipëri: Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se paga e kontrollorëve, për momentin, është 2,490 dollarë, 5 herë më shumë se rroga mesatare në Shqipëri. Para pandemisë, paga e kontrollorëve ishte 62% më shumë, që do të thotë se ka qenë pak më tepër se 4,000 dollarë. 

Ajo u shpreh se “shteti nuk ka as vendimmarrje dhe as marrëdhënie financiare me ALBControl. Është pronë 100% e shtetit, por i ka deleguar të drejtën dhe shteti nuk vendos pagat e ALBControl pasi vendos bordi”. Megjithatë këto shifra mund të ndryshojnë pasi përgjithësisht pagat ndryshojnë në varësi të pozicionit dhe viteve të punës.

Po jashtë? Shifrat ndryshojnë nga njëri shtet në tjetrin. Në një raport të vitit 2017, kontrollori i trafikut ajror ishte një nga profesionet më të paguar në botë me një mesatare të pagës vjetore prej 122,410 dollarë.

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe
Foto: ALBControl

Me çfarë i paguan ALBControl kontrollorët?

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Etien Xhafaj, shpjegoi në emisionin “Opinion” se si funksionon një kompani si ajo e AlbControl. “Kompania në fakt funksionon me një sistem që përdor të gjitha fondet e veta. Fondet i merr nga tarifat që paguhen si për mbikalimet ashtu dhe ulje-ngritjet në aeroportin e Rinasit. Bazuar në skenarë që llogariten në nëntor të çdo viti, EuroControl sjell tre skenarë parashikueshmërie të nivelit të trafikut dhe të fluksit të këtij trafiku, skenar konservativ, skenar mesatar dhe skenar shumë të mirë. Në bazë të kësaj llogaritet buxheti i kompanisë.”

Sipas tij, janë rreth 210,000 fluturime në vit që kalojnë në hapësirën shqiptare, të cilët paguajnë tarifa te ALBControl.

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe
Foto: ALBControl

Pse paguhen kaq shumë?

“Rroga llogaritet në bazë të gjitha shpenzimeve. Ka një sistem të mirëbërë të planifikimit financiar që ka funksionuar deri në momentin e pandemisë. Nuk është rrogë shtetërore, por rrogë disa herë më e madhe se puna shtetërore, në bazë të punës që bëjnë dhe duke qenë se funksioni që bëjnë konsiderohet një nga funksionet jetike. Është një funksion që ka elementë të sigurisë kombëtare të përfshirë në të, të përmendura në disa nene.” – sqaroi zëvendësministri i Infrastrukturës në “Opinion”.

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe

Jeta e tyre e rrezikuar

Për shkak se janë përgjegjës për mijëra jetë 24 orë në ditë, 365 ditë në vit, shumica e kontrollorëve të trafikut ajror përjetojnë një nivel të lartë të stresit të lidhur me punën. "Shpesh na mungojnë ditëlindjet, punojmë gjatë festave dhe fundjavave dhe shpesh operojmë në cikle alternative gjumi," është shprehur për MentalFloss Brandon Miller, kontrollor ajror në një aeroport në Virginia. Sipas Miller, larmia e detyrave e mban ditën e tij të punës tepër sfiduese.

Në një artikull të vitit 2011 për The Daily Beast, Bob Richards, i cili punoi si një kontrollor i trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Chicago O’Hare për më shumë se dy dekada, e përshkroi punën e tij si "drithëruese, përmbushëse dhe plotësisht rraskapitëse".

Richards vuri në dukje se katër bashkëpunëtorë të tij vdiqën papritur nga problemet me zemrën, dy vdiqën nga kanceri i pankreasit dhe shumë të tjerë vuanin nga sëmundjet gastrointestinale të lidhura me stresin. Në fillim të të 40-ave, Richards vetë vuante nga fibrilacioni atrial.

Një studim sekret i kryer nga NASA në vitin 2011 zbuloi se pothuajse një e pesta e kontrollorëve bëri gabime të rëndësishme, pjesërisht për shkak të lodhjes kronike të shkaktuar nga mungesa e gjumit dhe oraret e punës.

Përpos stresit, kontrollorët e trafikut ajror janë të rrezikuar edhe nga rrezatimi. Radari lëshon impulse të shkurtra, por me intensitet të lartë të rrezatimit të radiofrekuencës, që është potencialisht i rrezikshëm në nivele të ekspozimit të tepruar. Sidoqoftë, përkundër disa studimeve për rrezikshmërinë e radarëve, nuk ka prova të sigurta që puna pranë radarëve është e rrezikshme, gjithmonë për sa kohë që ekspozimet janë brenda kufijve ndërkombëtarë të sigurisë. Ekspozimi i vazhdueshëm dhe jo në kushte sigurie mund të absorbohet nga trupi dhe të shkaktojë djegie dhe dëmtim të indeve të trupit.

Kuriozitete

- Gjatë karrierës së tyre, shumica e kontrollorëve të trafikut ajror kanë pikasur personalisht (ose kanë një koleg që ka pikasur) një lloj objekti fluturues të paidentifikuar. Vështrimet e këtyre objekteve janë më të zakonshme gjatë natës, kur kontrollorët e trafikut ajror mund të shohin një dritë të pashpjegueshme të ndezur që nuk duket se vjen nga një avion. Por pamjet e çuditshme nuk janë domosdoshmërisht UFO - radari është aq i ndjeshëm sa mund të sinjalizojë një tufë zogjsh, re, apo një kamion në tokë.

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe

- Megjithëse kontrollorët e trafikut ajror mbështeten në radarë dhe teknologji të fundit për të bërë punën e tyre, ata nuk janë në rrezik sepse nuk mendohet se teknologjia do të mund t’i zëvendësojë. Kontrolli i trafikut ajror ka të ngjarë që gjithmonë të ketë nevojë për njerëzit në mënyrë që të sigurohet që sistemet e automatizuara funksionojnë si duhet.

- Pilotët që flasin anglisht me theks jo fort të zakonshëm i acarojnë kontrollorët, sepse mund të mos kuptohen mirë.

- Kanë edhe gjuhën e tyre. Pilotët dhe kontrollorët e trafikut ajror në të gjithë botën duhet të flasin anglisht për të komunikuar (kërkohet nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil), por gjithashtu kanë gjuhën e tyre të lidhur me fluturimet. Kjo gjuhë përfshin një sistem fonetik alfabetik dhe numerik, i cili zëvendëson shkronjat (A deri në Z) dhe numrat (zero deri në nëntë) me fjalë-kode, gjuhë e cila minimizon paqartësitë dhe keqkuptimet midis kontrollorëve të trafikut ajror dhe pilotëve.

Pse paguhen kaq shumë kontrollorët në aeroport dhe

Shtojcë

Greva në Rinas ka ndezur debat publik, pasi në këtë sektor janë të jashtëligjshme. Në Kodin e Punës shkruhet se “grevat nuk mund të ushtrohen në shërbimet e rëndësisë jetike, ku ndërprerja e punës rrezikon jetën, sigurinë personale ose shëndetin e një pjese ose të tërë popullsisë”. Këtu futen shërbimet e domosdoshme mjekësore dhe spitalore, shërbimet e furnizimit me ujë, shërbimet e furnizimit me energji elektrike, shërbimet e kontrollit të trafikut ajror, shërbimet e mbrojtjes kundër zjarrit dhe shërbimet në burgje.

Nëse dëshironi të informoheni më shumë për këtë profesion, mund të drejtoheni te Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë dhe Autoriteti i Aviacionit Civil.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

MOS I HUMBISNI