Përditësim këtu: Flet ministrja e Infrastrukturës: Ja kur nisin fluturimet
Aeroporti “Nënë Tereza” u mor në kontroll nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) pas grevës së kontrollorëve të "Albcontrol", ndërkohë që për momentin është ende e paqartë se kur do të nisin fluturimet hyrëse dhe dalëse, gjë që ka shkaktuar një situatë të jashtëzakonshme në Rinas. Pas orës 10 të mëngjesit të ditës së sotme pritet kthimi në punë i kontrollorëve ose një vendim tjetër.
Punonjësit e “Albcontrol” deklaruan për mediat se nuk i kanë shkelur kushtet e kontratës së punës, përkundrazi kompania ka abuzuar në rastin e dy punonjësve duke nisur procedurat e shkarkimit pasi kishin deklaruar se “nuk ishin të aftë për punë”. Avokati i Sindikatës së Pavarur të Transportit Ajror, Rezart Kthupi, tha pasditen e djeshme për mediat se situata në “Albcontrol” ka përshkallëzuar pas veprimit të kompanisë ndaj dy punonjësve të cilët kishin paraqitur deklarata të paaftësisë. Kthupi tha se, reagimi i kompanisë për të nisur procedurat e shkarkimit ndaj tyre ka sjellë pasiguri te punonjësit e tjerë.
Kontrollorët e “Albcontrol” ndërprenë punën me argument kryesor uljen e pagave për shkak të pandemisë. Në një intervistë për Euronews, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u shpreh se “Albcontrol” është shoqëri që nuk ka marrëdhënie financiare me shtetin dhe të gjitha të ardhurat e saj vijnë nga “përdoruesit e hapësirës ajrore, ose ulje-ngritjet në Rinas”.
“Shteti nuk ka as vendimmarrje dhe as marrëdhënie financiare me 'Albcontrol'. Është pronë 100% e shtetit, por i ka deleguar të drejtën e hapësirës shqiptare që sot u keqpërdor. Shteti nuk vendos pagat e 'Albcontrol', 'Albcontrol' ka një bord që vendos.” – tha ajo.
“Nuk e di se si të gjithë individët ndihen të stresuar dhe kanë të njëjtin problem sepse nuk e kanë më pagën 4 mijë dollarë, por e kanë 2 490 dollarë. Kërkesa e tyre është që të anulohet rishikimi i pagës dhe të kthehen tek paga e mëparshme,” shtoi ministrja.
Sipas ministres, greva është e paligjshme sepse bëhet fjalë për një sektor jetik dhe se nuk kanë pasur asnjë njoftim.
Në një komunikim për “Opinion”, një prej kontrolloreve të “Albcontrol”, Flora Ndreca, tha se së bashku me 5 kontrollorë të tjerë ka kërkuar disa ditë relaksi, pasi sipas saj, një kontrollor nuk mund të punojë në kushte stresi, por më vonë nga drejtuesi e saj i është kërkuar që të largohej nga puna. Kjo gjë ka bërë që dhe kontrollorët e tjerë të plotësojnë formularin e paaftësisë së përkohshme, duke shkaktuar kështu dhe pezullimin e fluturimeve.
Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama u shpreh se kontrollorët e Rinasit janë futur në këtë lojë nga organizatorë të tjerë. “Braktisini në rrugën e tyre qorre organizatorët e kallzuar penalisht! Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol. Koha e Rrumpallës ka vdekur dhe nuk kthehet!” shkruan ai.
Raportohet se Prokuroria ka nisur hetimet për “shpërdorim detyre” dhe disa prej kontrollorëve janë shoqëruar në polici. Për momentin është e paqartë se kur do të nisin fluturimet hyrëse dhe dalëse.
“Ne kemi ngritur një task forcë, kemi kontaktuar disa nga bashkëpunëtorët tanë kyç, kam lajmëruar dhe aleatët kështu që do marrim masën, por më falni nuk mund ta ndaj me ju [se kur nisin fluturimet],” u shpreh Balluku në “Opinon”.
Të tjera informacione pritet të bëhen publike pas orës 10 të mëngjesit.