Turqia u tërhoq nga një traktat historik europian që mbron gratë nga dhuna, ndonëse ishte shteti i parë që e nënshkroi 10 vjet më parë, duke provokuar një valë zemërimi.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan lëshoi një dekret herët të shtunën duke anuluar ratifikimin e Turqisë në Konventën e Stambollit, e emëruar pas qytetit më të madh të vendit. Vendimi i tij pason presionin prej muajsh nga grupet konservatore dhe islamiste, të cilët kërkonin që Turqia të tërhiqej nga traktati. Sidoqoftë është një goditje për mbrojtësit e të drejtave të grave, të cilët thonë se marrëveshja është thelbësore për luftimin e dhunës në familje.
Disa mijëra njerëz demonstruan në Turqi të shtunën për t'i bërë thirrje presidentit Erdogan të ndryshojë vendimin për të braktisur një traktat për luftimin e dhunës ndaj grave, i cili ka sjellë zemërim në të gjithë Europën. "Jam lodhur nga ky shtet patriarkal. Jam lodhur duke mos u ndjerë e sigurt. Mjaft!" Banu, një nga demonstruesit, tha për Agence France-Presse. Protesta të tjera, më të vogla u mbajtën gjithashtu në Ankara dhe Izmir.
Në dekret, Erdogan njoftoi tërheqjen e vendit nga Konventa e Stambollit, traktati i parë ndërkombëtar që vendosi standarde ligjërisht të detyrueshme në rreth 30 vende për të parandaluar dhunën me bazë gjinore. Ky vendim, i marrë edhe pse numri i grave të vrara në Turqi ka qenë në rritje gjatë dekadës, ka shkaktuar zemërimin e organizatave për të drejtat e grave dhe kritika nga Bashkimi Europian.
Erdogan së pari foli për braktisjen e Konventës së Stambollit vitin e kaluar, në një përpjekje për të mbledhur elektoratin e tij konservator përballë vështirësive ekonomike në rritje. Grupet konservatore dhe islamike kërkuan që Turqia të linte traktatin i cili, siç thonë ata, dëmton vlerat "tradicionale" të familjes duke mbrojtur barazinë gjinore, inkurajon divorcin dhe po përdoret nga komuniteti LGBT për të fituar një pranim më të gjerë në shoqëri.
Tërheqja e Turqisë nga Konventa e Stambollit është "një lajm shkatërrues" dhe "komprometon mbrojtjen e grave" në vend, tha Këshilli i Europës. Kjo "dërgon një sinjal të keq për Europën, por veçanërisht për gratë në Turqi", tha Ministria e Jashtme gjermane. "Kjo rënie e të drejtave është shqetësuese," shtoi ministri francez për Europën, Clément Beaune.
Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu, një nga rivalët kryesorë të Erdogan, akuzoi presidentin për "shkeljen e luftës që gratë kanë bërë për vite me radhë". Përballë kritikave, qeveria reagoi duke thënë, "Institucionet tona dhe forcat tona të sigurisë do të vazhdojnë të luftojnë kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.”
Në fillim të marsit, vendi u trondit nga publikimi i një videoje që tregonte një burrë duke goditur ish-gruan e tij në tokë në mes të rrugës, para vajzës së tyre. Sulmuesi u arrestua dhe presidenti Erdogan njoftoi krijimin e një komisioni parlamentar për të bërë një vlerësim të legjislacionit për të luftuar më mirë kundër dhunës.
Grupet e të drejtave të grave akuzojnë qeverinë se nuk po zbaton ligjet ekzistuese me forcën e mjaftueshme.
Burimet: Euronews, Deutsche Welle, CNN