Të gjithë e dinë tashmë se çdo rutinë bazë përmban tre produkte kryesore: një larës, një hidratues dhe një mbrojtës dielli. Më pas, kësaj rutine i shtohet një hap trajtues për të trajtuar problematika të ndryshme në lëkurë që mund të jenë produke si serume, maska, kremra, amplula, spot treatment, pomada etj.
Po tonerat? Çfarë roli kanë? A janë kaq jo të domosdoshëm sa nuk ke përse t’i kesh në rutinë? Së pari, dua t’ju rikutjoj se çdo gjë lëviz shumë shpejt në botën e kujdesit të lëkurës. Formulat perfeksionohen, brandet vijnë me risi të ndryshme, dalin në qarkullim përbërës inovativë, produktet riformulohet, dalin produkte të rinj.
Në fillimin e tyre (të errët) tonerat klasifikoheshin si një produkt pastrimi lëkure. Para se të vinin ditët e bardha të pastrimit të dyfishtë, toneri ishte produkti me të cilin ti hiqje mbetjet e makeup-it pasi laje lëkurën me larës. Këta ishin tonerat tipikë me përmbajtje alkooli kryesisht për funksionin e tyre pastrues, antispetik, i cili të linte ndjesinë e lëkurës së matifikuar, të tërhequr – marketohej ideal për lëkurat akneike. Tragjike.
Sot qarkullojnë lloje të ndryshme tonerash – duke filluar nga më primitivët që nuk evoluan kurrë deri te tonerat fantastikë hidratues, qetësues, eksfoljues, me antioksidantë etj., që kanë funksione të ndryshme. Dhe pavarësisht kësaj, a vazhdojnë ata të konsiderohen të padobishëm? Sipas mendimit tim: varet. Në bazë të llojit të tonerit varet dhe “rëndësia” që ai ka në rutinën e gjithkujt.
Nëse një toner me përmbajtje acidesh alfa hidroksi (laktik, glikolik) të siguron hapin e largimit të qelizave të vdekura nga lëkura, nuk ka si të jetë i padobishëm. Nëse toniku yt ka në përmbajtje acidin salicilik dhe brenda 8 javëve të ndihmon në reduktimin e pikave të zeza, në rutinën tënde ai është i domosdoshëm. Kjo është dhe arsyeja, se në mes gjithë këtyre trajtimeve inovative, rëndësia e një produkti nuk varet më nga emri që ai mban, por nga formulimi i tij dhe problematika që trajton në rutinën e secilit.
- Shkruar për Anabel nga Sara Gjylbegu, e apasionuar pas kujdesit të lëkurës dhe kuratore e beauty blogger @20ecavjec.