Në dekadën e fundit, faqet si Airbnb kanë konkurruar hotelet, por së fundmi, një konkurrent i ri po shfaqet – ndërrimi i shtëpive.
Ndërrimi i shtëpisë është shkëmbimi i shtëpisë me dikë tjetër në vendin ku jetoni ose diku tjetër, kështu që secili mund të përfitojë nga një mundësi financiarisht e vlefshme kur bëhet fjalë për akomodimin për pushime.
Sipas një studimi të ri nga Love Home Swap me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, ky lloj akomodimi për pushime po rritet gjithnjë e më tepër. Kompania pa një rritje prej 282% vitin e kaluar krahasuar me vitin 2019, e ndjekur nga një rritje e mëtejshme 73% midis majit dhe qershorit 2020 gjithashtu.
Meqenëse Covid-19 krijoi një frikë rreth hapësirave të përbashkëta, ndërrimi i shtëpive u jep udhëtarëve qetësi në hapësirën e tyre.
"Ndryshe nga hotelet, do të ketë më pak njerëz që kalojnë nëpër vendin ku po qëndroni", u shpreh për Euronews Celia Pronto, drejtoresha e Love Home Swap.
"Koncepti i ndërrimit të shtëpive ishte në rritje përpara Covid, por pandemia me të vërtetë e ka shtuar atë,” tha James Asquith, themelues dhe CEO i Holiday Swap.
Përpos këndvështrimit shëndetësor, financiarisht, ndërrimi i shtëpive është një opsion më i lirë. Në rastin e Holiday Swap, kjo është më pak se 1 euro nata për person.
"Një nga arsyet që po shohim një interes të shtuar në ndërrimin e shtëpive është padyshim për të kursyer para," shpjegon James. “Ekonomitë po luftojnë më shumë se kurrë, bizneset e vogla, njerëzit që punojnë në industrinë e shërbimeve sidomos po kalojnë një kohë të vështirë.”
E veçanta tjetër e shkëmbimit të shtëpive është mentaliteti "jeto si një vendas", duke ndërtuar marrëdhënie të mirëfillta me komunitetin. Ju njihni njerëzit në shtëpinë e të cilëve do të qëndroni paraprakisht, ata mund t'ju prezantojnë me vendasit. Për shumë njerëz, kjo është pjesa më e mirë e udhëtimeve.
Burimi: Euronews