Pas gjithë reagimit në rrjete sociale për seksizmin e shfaqur në komentet drejtuar një konkurrenteje në “Just Dance”, Albi Nako, në një intervistë për Top Albania Radio, tha se gjithçka ishte e stisur.
“Të jem i sinqertë jam shumë i habitur nga një numër i madh reagimesh në rrjete sociale, por një shprehje thotë se e vërteta më e madhe është ajo që nuk thuhet.” - u shpreh ai.
Në vijim, Nako shtoi se i gjithë dialogu u krijua nga vetë ai dhe 40-vjeçarja, sepse, sipas tij, një person nuk bëhet i famshëm duke u lavdëruar, por duke krijuar situata si ajo në studion e “Just Dance”.
“E vërteta është që unë me Belën kam 20 vjet njohje. Bela është një personazh që punon me mua dhe punon për mua edhe në akademinë që unë kam. E vërteta është që Bela është futur në atë program nëpërmjet meje. E vërteta është që gjithë çfarë u tha aty ishte një gjë, një bashkëpunim me Belën, si të thuash për t’i bërë një promo asaj vajze që historikisht nuk ka pasur asnjëherë mbështetje. Kjo është dhe e faktuar, sepse unë përderisa kam krijuar këtë imazh në 20 vite karrierë, nuk kam i lajthitur ta shkatërroj këtë imazh.”
I pyetur se debati në rrjete sociale lidhej më së shumti me faktin që ai i përmendi moshën dhe martesën, Nako tha:
“Kur unë them ishte e stisur, ishte e stisur. Pyetje-përgjigje të kombinuara nga unë dhe vetë Bela, unë do të them kështu, ti do më thuash kështu.”
“Kërkoj ndjesë publike sepse nuk kam pasur qëllim denigrimin e figurës së femrës,” përfundoi ai.
Sidoqoftë, ka të tjera mënyra për ta bërë të njohur dikë. Skandalet e stisura duke përdorur një gjuhë seksiste thjesht e vetëm për të krijuar zhurmë, aq më tepër në televizion kombëtar me shikueshmëri të lartë, nuk duhet të jenë kurrsesi formë promovimi.