Pas publikimit në rrjete sociale të momentit kur gjatë episodit të “Just Dance” në “E Diell” Albi Nako i tha ndër të tjera një prej pjesëmarrëseve që “më mirë të martohej e të bënte fëmijë” sesa të konkurrente mes të rinjve, njerëzit kritikuan edhe moderatoren Dojna Mema, e cila sipas tyre duhet të reagonte.
Nëpër pjesën më të madhe të komenteve, njerëzit shkruajnë se referuar fushatave sensibilizuese për gratë dhe qasjen që Dojna ka ndaj seksizmit, duhej të mos kishte heshtur.
“Dojna, gjithë këtyre stories apo fjalime që mban për të drejtat e grave u bie vlera në rast se nuk i praktikon, sidomos në një rast të tillë siç ishte ai sotmi. Dhe sigurisht që ne prisnim një reagim nga ty në atë moment duke qenë se je një personazh publik dhe je përpjekur të sjellësh frymë të re duke thyer kështu paksa kornizat e mentalitetit të vjetër. Nëse mendon që je në një pozicion ku nuk të lë të shprehësh atë që mendon apo të mbrosh të drejtat e grave, atëherë më mirë mos e bëj më as në rrjetet sociale. Mosveprimi është ai lloj akti për të cilin shoqëria shqiptare nuk ka nevojë.” – shkruan dikush.
“U zhgënjeva shumë kur pashë që reagimi yt në një situatë të tillë në ‘Just Dance’ ishte vetëm një e qeshur, sidomos pas lobimit që bën vazhdimisht për të fuqizuar gratë. Mesa kuptova unë gruaja duhet fuqizuar kur prekesh ti, por jo kur preket dhe ofendohet një grua tjetër.” – lexohet në një tjetër koment.
Përmes një postimi në Instagram Story, Dojna u shpreh:
“Quhem Dojna Mema dhe jetoj në një vend ku s’është e thjeshtë të jesh NJERI. Punoj në televizion dhe kjo ka qenë gjithmonë ëndrra ime. Jam penduar pak, sepse është e vështirë të kesh një pozicion në një publik “jo-normal”. Një ditë të shajnë me “libër shpie” pse jep opinionin tënd (sepse s’je ti për të dhënë mend) dhe ditën tjetër të shajnë prapë pse nuk e dhe.
Kam mbajtur gjithmonë qëndrime të forta mbi seksizmin, në vendin e kohën e duhur! Ama kjo nuk mjafton, sepse nëse zgjedh të qëndrosh neutrale një herë, ke qenë fallco gjithmonë. Prezantoj një talent-show kërcimi me një juri dhe pozicioni im është shumë delikat, por mbi të gjitha asnjanës. Jam sulmuar sërish, me po të njëjtën dhunë verbale, por kam arritur në një pikë që për fat të keq vika me moshën, kur ti kupton se je bijë e një populli që e stimulon vetëm ndjenja e shëmtuar e urrejtjes.
Quhem Dojna Mema dhe jashtë një spektakli ku kam një pozicion asnjanës, mendoj se çdo formë seksizmi duhet të marrë përgjigjen që meriton!”
Reagimin e saj, moderatorja e shoqëroi edhe me dy postime të tjera ironike: