TV Mania

Lisa Kujofsa flet për arsyet e largimit nga ‘Klanifornia’

Shkruar nga Anabel

13 Janar 2021

Lisa Kujofsa flet për arsyet e largimit nga ‘Klanifornia’

Në fund të shtatorit, aktorja Lisa Kujofsa njoftoi largimin nga spektakli i humorit në Tv Klan, “Klanifornia”. Largimi i saj ishte i befasishëm, por referuar postimin në Instagram, u duk një largim miqësor dhe pa hatërmbetje mes palëve. Në një intervistë për “ABC-ja e mëngjesit”, Lisa u shpreh se dëshira për t’u larguar nisi me mungesën e publikut në spektakël, pas rregullave të vendosura si masë për të parandaluar Covid.

“'Klanifornia', si të gjitha spektaklet me publik, nuk ka më publik dhe që këtu filloi një mangësi, një ftohtësi. Shfaqjet që janë në publik, duan reagimin e menjëhershëm, sidomos kur bën humor [dhe kur reagimi mungon] është vrastare, është shumë e vështirë. Unë e ndiej shumë të vështirë po nuk pata reagimin. Bluaj gjithmonë në mendje ‘obobo, ç’po bëj unë këtë? Ç’dua unë këtu?’. Mund të jetë një nga arsyet [e largimit nga Klanifornia].”

Në vijim ajo shtoi se arsyeja kryesore lidhet me dëshirën për të qëndruar në shtëpinë e saj dhe për të respektuar masat anti-Covid.

“Arsyeja kryesore ishte që doja të isha në shtëpinë time dhe doja të isha larg një papërgjegjshmërie masive shqiptare përkundrejt situatës ku ndodhemi. Nuk kam as frikë as turp ta them. Më vjen keq për këtë situatë. Ti mund të më besosh ose mund të mos më besosh, por që kur ka ardhur viti i ri unë kam dalë vetëm një herë jashtë, për të bërë pazar. Unë nuk kam dal, sepse kam një lloj përgjegjshmërie. U mblodhën një sërë gjërash dhe vendosa të largohesha.”

Vetë-izolimi në shtëpi nuk e mbajti larg publikut aktoren, e cila së fundmi ka hapur një kanal në YouTube ku poston imitime dhe skeçe të ndryshme.