Fashion News

Çfarë është Parler dhe pse po bllokohet nga gjigantët e teknologjisë Google, Amazon dhe Apple

Shkruar nga Anabel

11 Janar 2021

Çfarë është Parler dhe pse po bllokohet nga gjigantët

Teksa shumë rrjete sociale si Twitter dhe Facebook bllokuan llogaritë e presidentit Donald Trump, për mosrespektim të parimeve të platformave dhe nxitje të dhunës, në qendër të vëmendjes u vendos një tjetër platformë, Parler, e cila u bllokua nga Google, Amazon dhe Apple.

Parler funksionon si një mikro-blog dhe ka një bazë të konsiderueshme të mbështetësve të Donald Trump, konservatorëve, njerëzve që mbështesin teoritë konspirative dhe ekstremistëve të krahut të djathtë. Postimet në Parler kanë shpesh përmbajtje ekstreme, diskriminim ndaj hebrenjve dhe teori konspirative si QAnon.

Një nga themeluesit e Parler, John Matze, një programues konservator, u shpreh në vitin 2018 se Parler "drejtohet nga fjala e lirë”. Përdoruesit mund të postojnë “pa patur frikë për pikëpamjet e tyre”, sipas rrjetit social, megjithëse nuk lejohen aktivitete kriminale dhe mesazhet për qëllime reklamimi, mashtrimi etj.

Me këto parime, aplikacioni Parler u vendos në listat e aplikacioneve më të shkarkuara në Google dhe Apple për vitin 2020. Përdoruesit e tij arritën deri në 8 milionë nga 4.5 milionë mes trazirave të zgjedhjeve në SHBA, ndërsa aktiviteti ishte 20 herë më i madh se më parë.

Çfarë është Parler dhe pse po bllokohet nga gjigantët

Parler ka më pak kontroll dhe ekuilibra për përmbajtjen e rrezikshme në krahasim me Twitter, i cili po përpiqet të bllokojë llogari duke pretenduar se ka keqinformim dhe inkurajim të dhunës.

Amazon dha të dielën tha se do të ndërpresë Parler nga shërbimi i saj në internet për shkelje të udhëzimeve. Masa e Amazon erdhi dy ditë pasi Google dhe Apple hoqën aplikacionin.

"Që ne të shpërndajmë një aplikacion përmes Google Play, kërkojmë që aplikacionet të zbatojnë një moderim të fuqishëm për përmbajtjen e rrezikshme", tha Google në një deklaratë. Apple citoi "përmbajtjen që kërcënon mirëqenien e të tjerëve ose synon të nxisë dhunë ose akte të tjera të paligjshme" si arsye për pezullimin e Parler.

Pas vendimeve të gjigantëve të teknologjisë, themeluesi John Matze tha: "Ne nuk do t'u kushtohemi kompanive të motivuara politikisht dhe autoritarëve që urrejnë fjalën e lirë!"

Poll

Burimet: Euronews, Guardian, USA Today

MOS I HUMBISNI