Supermodelja Stella Tennant u nda nga jeta më 22 dhjetor dhe nga çfarë u raportua, vdekja e saj ishte “e papritur” dhe nga hetimet e mëparshme “s’pati asnjë rrethanë të dyshimtë”. Megjithatë, familja e saj ka zbuluar së fundmi se Stella kreu vetëvrasje pas një beteje me shëndetin mendor. Në një deklaratë për Telegraph, familja e të ndjerës u shpreh se ajo kishte qenë “e sëmurë për disa kohë”.
“Jemi të përulur nga mesazhet mbështetëse që kur Stella u nda nga jeta. Ajo ishte një shpirt i bukur, i adhuruar nga familja dhe miq të mirë, një grua e ndjeshme dhe e talentuar, krijimtaria, inteligjenca dhe humori i të cilës prekën kaq shumë njerëz.”
Në vijim të deklaratës, familjarët u shprehën:
“Ajo ishte e sëmurë për disa kohë. Pra, është hidhërim dhe dëshpërim i thellë për ne që ajo e ndjeu veten të paaftë të vazhdonte, pavarësisht dashurisë së atyre që kishte pranë.”
Një burim i cituar nga Telegraph thotë se familja e bëri lajmin publik sepse “mendon se është e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi rreth shëndetit mendor, pasi shumë shpesh keqkuptohet".

Në gusht të vitit 2020, supermodelja i dha fund martesës me David Lasnet, pas më shumë se 20 vitesh.
Emri i Tennant ka qenë një ndër më të lakuarit në botën e pasarelave në fillimin e viteve '90. Sfilatat e saj si Karl Lagerfeld apo Gianni Versace bën që shpejt modelja të pushtonte kopertinat e Vogue dhe Harper's Bazaar.
Pavarësisht viteve, ajo mbeti shumë e kërkuar. Në vitin 2018 u shfaq në kopertinën e Vogue dhe në janar të 2020-s, hapi sfilatën për Valentino.
