Mendja

A jeni ‘workaholic’ (i fiksuar pas punës)? Zbulojeni tani dhe ndalojeni sa jeni në kohë

Shkruar nga Anabel

26 Dhjetor 2020

A jeni ‘workaholic’ (i fiksuar pas punës)? Zbulojeni tani dhe

Çfarë është “workaholism”?

Termi "workaholism" u përdor për herë të parë në vitin 1971 nga psikologu Wayne Oates i cili e përcaktoi si detyrim ose nevojë të pakontrollueshme për të punuar pandërprerë. Që nga ajo kohë, psikologët dhe studiuesit e shëndetit mendor kanë debatuar rreth përkufizimit të termit. Ndonëse nuk është një çrregullim i diagnostikueshëm i njohur zyrtarisht nga Manuali Diagnostik dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore (DSM-5), një gjë është e qartë: Është një gjendje e vërtetë e shëndetit mendor dhe mund të ketë një ndikim të theksuar te jeta e njerëzve.

"Varësia nga puna është një gjendje komplekse në të cilën një individ zhvillon një varësi psikologjike, emocionale dhe sociale nga puna", shpjegon Matt Glowiak, një këshilltar profesional i licencuar në Illinois. "Është kronike dhe progresive."

Dr. Brian Wind, psikolog klinik dhe drejtor i një qendre të trajtimit të varësive, bie dakord. "Njerëzit me varësi nga puna shpesh punojnë pa ndërprerë, në kurriz të aspekteve të tjera të jetës së tyre," shpjegon ai. “Ata mund të punojnë me orë të gjata edhe kur nuk është e nevojshme, të sakrifikojnë gjumin për të bërë punën dhe të jenë paranojakë në lidhje me performancën në punë. Ata mund të jenë të fiksuar ndaj punës dhe stresohen kur nuk punojnë.”

Orët e gjata vs varësia nga puna

Varësia nga puna nuk është e njëjtë me punën me orë të gjata. Profesione të caktuara kanë orë të gjata pune. Vetëm se dikush ka një nga këto punë nuk do të thotë që është domosdoshmërisht i varur. Sidoqoftë, "kultura jonë shpërblen njerëzit që punojnë shumë", shpjegon Wind. "Kjo do të thotë që nëse kemi një problem, mund të mos e kuptojmë."

"Ne marrim lëvdata dhe mirënjohje nga mbikëqyrësit apo shokët e ekipit, gjë që na inkurajon të punojmë më shumë pa e kuptuar se kemi një varësi", thotë Wind. "Mund të justifikojmë sjelljen tonë duke thënë se kemi ambicie dhe po punojmë drejt arritjes së suksesit."

Pra, cili është ndryshimi midis dikujt që thjesht punon me orë të gjata dhe një personi të fiksuar me punën, të njohur si “workaholic”? Personi workaholic e ka të vështirë të shkëputet psikologjikisht nga puna, edhe kur është larg zyrës.

Varësia ndaj punës dhe problemet shëndetësore

Varësia ndaj punës shoqërohet me shumë probleme shëndetësore: stres, ankth, depresion dhe probleme me gjumin. Stresi kronik mund të shkaktojë probleme të tjera. Përpos kësaj, varësia ndaj punës mund të sjellë vetmi dhe izolim.

Varësia nga puna është e shërueshme

Trajtimi është i mundur, por duhet që fillimisht të pranohet problemi. "Unë shpesh u them klientëve të mi se është e vështirë të lexosh etiketën nga brenda shishes ", thotë Terry McDougall, një autor dhe trajner karriere që punon me klientë të cilët duan të gjejnë më shumë ekuilibër mes punës dhe jetës.

Varësia ndaj punës zhvillohet edhe si mekanizëm mbrojtës. Shumë njerëz zgjedhin të punojnë për të përballuar situata të caktuara.

Si ta menaxhoni varësinë ndaj punës

1. Vendosni një kufi dhe ndaloni së punuari pas një kohe të caktuar.
2. Programoni aktivitete pas punës.
3. Kaloni kohë me miqtë dhe familjen.
4. Kërkoni ndihmën e një terapisti.

Artikuj të rekomanduar:

Burimet: Psychology Today, Healtline, WebMD

MOS I HUMBISNI