Kinema & TV

Prezantimi i $NOB – 8 detaje që duhet t’i dini

Shkruar nga Anabel

26 Dhjetor 2020

Prezantimi i $NOB – 8 detaje që duhet t’i dini

$NOB, seriali i parë teen-drama në Shqipëri, prodhim i Anabel Entertainment dhe Nilor Film, publikoi mbrëmjen e djeshme disa momente të tri serive të para, të përmbledhura në një minutë. Ndonëse produksioni ka publikuar herë pas herë momente nga xhirimet, të cilat nisën në maj pas përfundimit të “Hostel by Anabel”, ky ishte prezantimi i parë vizual në lidhje me përmbajtjen. Menaxherja e produksionit, Amela Çaçi, zbuloi disa detaje për Revista Who.

$NOB nuk do të transmetohet në YouTube – $NOB do të jetë një serial i mirëfilltë kinematografik i destinuar për ekran televiziv ose platformë, me seri rreth 1 orë e gjatë.

$NOB nuk ngjan me asnjë serial botëror – “$NOB është histori tërësisht shqiptare e ditëve tona që tregon se si fëmijët shpesh mbeten pengje të gabimeve të prindërve të tyre dhe të një sistemi ku hendeku ndarës midis të pasurve dhe të varfërve thellohet gjithmonë e më shumë në kurriz të këtyre të fundit,” tha Çaçi nisur nga fakti se në ditën kur u publikua nisja e serialit, disa ndjekës iu referuan si “Riverdale” dhe “Elite”.

$NOB është edhe ndërkombëtar – “$NOB nuk është thjesht një fryt fantazie dhe pasioni, por edhe fryt i një studimi  e shkollimi disa-vjeçar për të realizuar një produkt modern, me një tematikë të kuptueshme në të gjitha gjuhët pavarësisht se ngjarjet janë lokale dhe me një ndërtim sipas rregullave specifike të një seriali 1-orësh dramatik që kërkohet nga çdo kompani produksioni në botë,” u shpreh menaxherja e produksionit.

Në trailer janë vetëm 3 episode – “Ne jemi ende në fazë prodhimi. Duke qënë se kërkesat tona si Anabel, por edhe të partnerit tonë në produksion, Nilor Film janë shumë të larta, edhe prodhimi kërkon kohën e tij, jo vetëm për realizim, por edhe për të mbledhur fonde. Në këtë serial nuk duam të bëjmë kompromis me cilësinë ose përmbajtjen. Unë mendoj se këtu në Shqipëri mund të bëjmë gjithçka çfarë bëjnë edhe në vende të tjera të botës. Ka shumë talente edhe në këtë vend, por shpesh për shkak të buxheteve minimale, janë të detyruar të kursejnë në një aspekt apo tjetrin. Ne nuk duam ta bëjmë këtë[...]Natyrisht $NOB lindi në një periudhë shumë të vështirë ndërkombëtare, por jemi të bindur tek suksesi dhe jetëgjatësia e këtij produkti dhe do të bëjmë maksimumin që të arrijmë në shifrën e duhur për të siguruar parametrat ndërkombëtare të prodhimit.”

$NOB është testuar në publik –  Producentët e serialit vendosën të bënin një testim standard si në do prodhim të ngjashëm. “Një pjesë e të testuarve ishin njerëz të moshave dhe preferencave të ndryshme që patën mundësinë ta shihnin në zyrat tona. Gjithashtu ne morëm një ambient me qira dhe transmetuam seritë për 45 njerëz krejtësisht të panjohur për ne, të cilët në fund të $NOB duhet të plotësonin në anonimitet një formular me pyetje të ndryshme për episodet dhe personazhet. Jam e lumtur të them që 99% e të anketuarve kanë dhënë vlerësimin maksimal për episodet dhe mezi presin të shohin vazhdimin.”

$NOB nuk është vetëm për të rinj – Episodet nisin me 9 të rinj që marrin pjesë në një festë private gjatë karantinës në shtëpinë e djalit të një oligarku. Por në vazhdimësi historitë e tyre ndërthuren me ato të prindërve, për të theksuar edhe më shumë idenë e serialit se shpesh janë vendimet e prindërve në momente të ndryshme ato që formojnë fëmijët. Disa nga tematikat e $NOB janë: Dashuria, marrëdhëniet fëmijë-prindër, martesat e gabuara, dështimet në biznes, vetingu, dallimi i pasur-i varfër, vendimet e gabuara të marra nga dëshpërimi dhe varfëria, lufta për të ruajtur një familje në rrënim, dhimbje nga humbja e një fëmije, marrëdhëniet vëlla-motër etj. “Ne tashmë kemi nisur kastin edhe për aktorë që do të jenë në rolet e prindërve dhe në role të tjera. Janë të gjithë emra të njohur, por për ne më shumë rëndësi sesa fama që ka një x aktor mbi tjetrin, po kujdesemi që të jenë aktorët idealë për rolet e tyre,” tha Çaçi.

$NOB ka regjisor një emër shumë të njohur të televizionit – Në Instagram, në një nga postimet e hershme, krijuesja e serialit, Dalina Buzi tregon për një lidhje të çuditshme kozmike me regjisorin e serialit, Redi Treni. Në vitin 2002, kur Buzi sapo ishte kthyer nga SHBA dhe punonte në Top Channel, Redi Treni do të ishte montazhieri i parë me të cilin ajo realizoi një reportazh mbi gjendjen e mjerë të Kinostudios post-rënies së komunizmit. Sipas rrëfimit të Buzit, Redi ishte i vetmi që arriti t’ja kuptojë konceptin dhe e solli formën në post-produksion ashtu siç ajo e kishte menduar. Pas 18 vjetësh ata u bashkuan sërish me të njëjtën temë “filmin”, në momentin kur Anabel nisi bashkëpunimin me studion Nilor Film, ku Treni është pjesë. Redi Treni është një prej regjisorëve më të njohur të Top Channel me një CV shumë të gjatë emisionesh të suksesshme si Voice Kids, Voice of Albania, Portokalli, Hell’s Kitchen, Shiko kush Luan, Big Brother, E diell etj. Momentalisht ai do të jetë regjisori i “Për’puthen Prime”. “Redi i televizionit nuk është Redi i filmit. Regjia në pultin e televizonit dhe në terrenin e filmit janë krejtësisht të ndryshme, por eksperienca ndihmon. Redi është diplomuar në regji filmi dhe ka realizuar filma të shkurtër e me dhjetëra reklama të famshme dhe në $NOB ai ka treguar një ndjeshmëri të jashtëzakonshme në mënyrën se si nëpërmjet regjisë së tij, ka përcjellë të gjitha emocionet e personazheve,” tregoi Çaci.

$NOB është një lojë aktorësh e mirëfilltë – “Ne donim që ky prodhim të mbante aromë filmi në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe lojën aktoriale. Të gjitha prodhimet e Anabel deri më tani janë përqëndruar tek zbulimi i figurave pa eksperiencë të mëparshme, të cilët i janë përshtatur formateve reality. $NOB është një serial shumë impenjativ që kërkon lojë aktoriale shumë të mirë dhe një përgatitje fizike të përkryer. Në kastin e të rinjve, vetëm 3 prej tyre nuk kanë eksperienca aktrimi të mëparshme, por në portret dhe në sjellje ishin idealët për rolin e caktuar edhe pse ne realizuam audicione me qindra njerëz. Megjithatë ne s’kemi ndaluar një moment nga të trajnuarit. Edhe gjatë kohës kur nuk ka patur xhirime, të gjithë aktorët e rinj, kanë vijuar me trajnime me pedagoge Sonila Kapedani pranë Akademisë Hollywood. Fakti që ne kemi përfunduar vetëm tre episode dhe jo të gjithë sezonin, gjithashtu i ka ndihmuar shumë aktorët e rinj sepse kanë mundësi të korrigjohen për episodet e ardhshme.”