
Gjatë fjalës së tij, Edi Rama ndër të tjera tha se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka kërkuar të japë dorëheqjen nga posti i ministrit.
Rama tha se Lleshaj i ka paraqitur dorëheqjen, por ka qenë kryeministri i cili i ka kërkuar të vazhdonte detyrën të paktën derisa ai të kthehej nga SHBA.
"I kam thënë të më presë të kthehem sepse kam dashur ta shohë në sy, ta dëgjoj dhe të jem bashkë me të, në momentin e këtij hapi të rëndësishëm dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjshmërisë qytetare dhe kuotën morale me të cilën e mat veten dhe detyrën e tij Sandër Lleshaj.
Unë e kam ditur, sot le ta mësojnë të gjithë ata që duan të besojnë tek fakti se në këtë vend nuk janë të gjithë njësoj. Ai s’ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të efektivit të policisë. As direkt, as indirekt. Por është vrarë një djalë 25- vjecar dhe është hapur një varr në shpirtin e një familjeje shqiptare, e është krijuar një brengë në shpirtin e një populli të tërë. Tjetër të ndash dhimbjen me fjalë, tjetër ta adresosh brengën me një gjest njerëzor, qytetar, si shqiptar i mirë, duke përcjellë për të gjithë një mesazh ndjese që vlen sa një milionë fjalë.
Veprimin e Lleshajt, Rama e konsideroi si "vendim të një shqiptari të mirë". Ndërkohë deri më tani nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga Ministri i Brendshëm Lleshaj.