Marrë shkas nga një episod i programit dating, “Për’Puthen”, vendosëm të trajtojmë si temë konkurrencën mes burrave. Pavarësisht se zakonisht janë vajzat dhe gratë ato që cilësohen si më xheloze për njëra-tjetrën, duhet thënë se edhe djemtë janë goxha konkurrues, ndoshta edhe më shumë.
Për shembull, hyrja e Atdheut – një djalë i gjatë, brun, me tipare paksa agresive ose me fjalë të tjera, fizikisht si Khal Drogo te “Game of Thrones” – duket se trazoi pak ujërat në program. Nga një anë, qenë vajzat të cilat e vlerësuan si interesant, qoftë edhe pas takimit të tij të parë, e ndërsa nga ana tjetër, qëndronin djemtë (shumica e tyre) që u përpoqën të zhbironin me ngul këtë djalin e ri dhe tërheqës, në përpjekje për t’i gjetur medoemos diçka negative. A ishte kjo xhelozi? Konkurrencë? Nuk dimë se ç’të themi për djemtë e “Për’Puthen” në veçanti, por sidoqoftë po sjellim studime të rëndësishme që flasin për burrat në përgjithësi.
Shumica e burrave janë konkurrues, thekson Dr. Gregory Jantz, themelues i qendrës “A Place of Hope” dhe autor i 28 librave, me në qendër çështje të sjelljes dhe shëndetit. Në një ese të botuar në Psychology Today, Dr. Jantz thotë se historikisht, burrave u është dashur që t’u vihen kundër njëri-tjetrit dhe përmend rastin e betejave ushtarake.
“Disa burra janë ushtarë, por shumica prej nesh në ditët e sotme nuk merret me aktivitete lufte. Por në vend të kësaj, ne gjejmë arena të tjera që nuk kanë lidhje me një fushë beteje. Disa burra garojnë në arenën e ideve. Disa garojnë nëpër video-lojëra. Të tjerë garojnë në futboll. Disa konkurrojnë për partnerët seksualë dhe të tjerë shfaqin rivalitetin në vendin e punës,” thotë ai.
Argumenti i Dr. Jantz gjen shpjegim edhe në historinë e evolucionit. Në një studim të botuar nga Academy of Management Journal në lidhje me konkurrencën dhe mënyrën si burrat dhe gratë sillen në vendet e punës, përmendet edhe teoria e evolucionit dhe kërkimi për të gjetur partnerë riprodhues. Nga një këndvështrim thjesht evolucionar referuar paraardhësve, studimi nxjerr në pah se burrat u zhvilluan duke “u detyruar” të konkurronin pa mëshirë njëri-tjetrin. Një gjë e tillë ka kuptim sepse gratë ishin selektive për të përzgjedhur partnerët për riprodhim dhe ata më të dobëtit ishin në disavantazh.
Prandaj, në kushte të caktuara, mund të thuhet se disa burra veprojnë sipas instikteve të cilat quhen si “instikte të varrosura”. Të tjera studime te majmunët – për shkak të ADN-së së ngjashme – tregojnë një lidhje mes dominancës, statusit dhe sjelljes agresive.
Në një studim të botuar në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences, thuhet se shimpazetë (lloj majmuni) jetojnë në shoqëri ku dominojnë meshkujt dhe statusi është kryesor. Kësisoj, ky lloj majmuni ka një sjellje agresive ndaj meshkujve të tjerë. E kundërta ndodh në habitate ku dominojnë femrat, si për shembull te majmunët e llojit bonobo, ku kafshët tolerojnë njëra-tjetrën dhe ndajnë ushqimin.
Studimet e ADN-së tregojnë se shimpazetë meshkujt kanë një nivel të lartë të testosteronit, një hormon që lidhet me konkurrencën dhe sjelljet agresive, ndërsa bonobot kanë më shumë kortizol, i cili lidhet me stresin dhe stretegjitë sociale.
Kështu, studimet tregojnë se burrat që përballen me konkurrencën si bonobot, e shohin atë thjesht si diçka stresuese, sesa një gjë që përcakton statusin e tyre dhe e anasjellta në rastin e shimpazeve.
Dr. Elwood Watson, bashkëautori i librit “Performing American Masculinities:The 21st Century Man in Popular Culture” thotë se “nuk ka dyshim që presionet dhe pritshmëritë shoqërore shpesh kontribuojnë në nivelin e lartë të konkurrencës dhe zilisë mes burrave”. “Është më shumë se thjesht i dashuri apo burri xheloz. Është diçka që prek të gjitha racat, etninë, orientimet seksuale. Ndjenja të tillë janë shumë më të thellë,” thotë ai.
Sidoqoftë, ndjenja e xhelozisë dhe konkurrencës është edhe tipar i ndërtimit të karakterit si edhe psikologjisë së individit (si pasiguritë intelektuale, pasiguritë fizike, betejat emocionale, vetëbesimi etj), ndaj studimet vazhdojnë ende në këtë fushë, për të kuptuar se si do të vepronte një burrë nëse do të vendosej në një shoqëri ku dominojnë burrat dhe si do të vepronte po i njëjti në një shoqëri ku dominojnë gratë.