Karakteristikat e Shenjave

Karakteristikat e gruas Peshore, sipas Linda Goodman

Shkruar nga Anabel

30 Shtator 2020

Karakteristikat e gruas Peshore, sipas Linda Goodman

Edhe ata njerëz që nuk janë të fiksuar me horoskopin, me siguri që janë kuriozë dhe kanë lexuar për karakteristikat e shenjave. Linda Goodman, astrologia më e shitur sipas New York Times, ka bërë një përshkrim të detajuar të karakteristikave të çdo shenje të zodiakut.

Kush është Linda Goodman? Mary Alice Kemery e njohur ndryshe dhe si Linda Goodman, lindi në 9 prill 1925 dhe ndërroi në moshën 70 vjeçare, në 21 tetor 1995.  Ajo ka qënë e para astrologe në listën best seller të New York Times. Libri i saj Linda Goodman’s Sun Signs ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm dhe u pasua më vonë nga Linda Goodman’s Love Signs (1978) që gjithashtu u fut në listën e librave më të shitur nga New York Times, duke vendosur një rekord në këtë industri: 2.3 milion dollarë për të drejtat e autorit.

Gruaja Peshore

Njëherë një fëmijë më bëri një pyetje që nuk ishte e lehtë për t'iu përgjigjur. Ai donte të dinte "Pse ndodh që zonjat veshin pantallona dhe burrat përdorin parfume me aromë të mirë?” Si një Dash tipik që jam, i ktheva një përgjigje impulsive. "E pra," i thashë shpejt, para se ai të mund të mendonte ndonjë pyetje më të sikletshme, "kjo ndodh sepse ka elemente femëror brenda çdo burri dhe pak elemente mashkullore te çdo grua. Tani hajde të luajmë me letra."

Tani që më kujtohet kjo, ndihem mjaft krenare për mençurinë time të çastit. Kjo deklaratë është e vërtetë në një farë mase për të gjitha shenjat e Diellit, por për shenjën e Peshores është super e vërtetë. Ju mund të gjeni një gjurmë të gjinisë së kundërt.

Ajo mund të jetë si një lepurushe e bardhë me gëzof të butë dhe mund të pëshpërisë me butësi të kadiftë. Ajo mund të vishet me mëndafshe apo najlon dhe flokët e saj të kenë aromë të lehtë lulesh. Madje ajo mund të duket edhe si një kukull, të cilën mund ta mbash në një dorë. Por me gjithë feminitetin e saj, mënyrat e ëmbla të sjelljes dhe hijeshinë, kjo vajzë mund të vesh një palë pantallona me lehtësi të habitshme dhe ato do t’i qëndrojnë në trup në mënyrë të përkryer.

Shumica e grave të shenjës së Peshores, do ta nxjerrin në pah mençurinë e tyre, çdo herë që një temë shfaqet me mundësinë më të vogël për të debatuar. Kjo mund të jetë çdo gjë - që nga pse ju nuk duhet të vishni kravatë me këtë lloj kostumi deri tek çështja pse nuk jeni ngritur në detyrë akoma . (Lidhur me këtë të fundit, ajo do të mendojë se pjesërisht është faji juaj dhe pjesërisht faji i shefit.)

Nëse ju refuzoni të merrni pjesë në diskutim, ajo do të debatojë me veten. Një vajzë e Peshores mund të fillojë argument të nxehtë vetëm fare, ta zhvillojë dhe përfundojë atë po vetëm, me një demostrim të habitshëm. Kontributi juaj i vetëm mund të jetë "Por pse?" ose "Unë nuk mendoj kështu", por ndonjëherë kjo është gjithçka që ajo ka nevojë, për të ofruar një monolog të shkëlqyer, i cila mund të zgjasë për një orë ose më shumë.

Mbi të gjitha, ju ndoshta do të mbyteni në bukurinë e saj. Ajo do të vendosë në punë buzëqeshjen e parezistueshme, në çdo tre fjali apo më shumë dhe ju do të përfundoni duke ndryshuar mendjen me po aq lehtësi. Ajo do t’ju bindë me logjikën e pastër dhe të qartë. Ju nuk do të humbisni shumë - me përjashtim të kryelartësisë dhe vështirë se do t’ia ndieni mungesën, ndërsa jeni nën magjinë e buzëqeshjes së butë të vajzës Peshore.

Ajo është zakonisht shume e drejtë, sepse vendimet përfundimtare merren në shqyrtim me aq kujdes, sikur të ishin vendime te Gjykatës së Lartë. Gratë e kësaj shenje nuk kanë nevojë për shumë inkurajim për të filluar një krahasim verbal midis dy këndvështrime. Një sezon politikisht aktiv do të japë asaj shansin për të theksuar retorikën dhe talentin e saj argumentues. Ajo do jetë një aktiviste e fuqishme politike, pasi arrin ta mbledhë mendjen se cila anë dhe cili kandidat është i duhuri.

Përveç dëshirës tipike të Peshores për të peshuar çdo gjë dy herë, për t'u siguruar që nuk ka humbur asnjë pikë, ajo mund të jetë një grua e shkëlqyer, për të cilën një burrë do ishte i interesuar si për shoqëri ashtu edhe për dashuri, ose të dyja. Prirja e saj për të argumentuar është me të vërtetë e bazuar në një dëshirë të sinqertë për të arritur një vendim të paanshëm.

Ndoshta mënyra më e mirë për ta vlerësuar gruan tuaj të shenjës së Peshores është që ju të njiheni me mënyrën sesi shenjat e tjera të zodiakut do të reagojnë në të njëjtën situatë. Le të themi se ju jeni duke diskutuar rreth temës së kartave telefonike. A duhet njerëzit t’i përdorin ato sot, a janë të modës së vjetër dhe si duhet të jenë ato sot? Bëni një fluturim të shpejtë rreth zodiakut. Supozoni se ju jeni i vetmi burrë në një dhomë me dymbëdhjetë gra. (Ky duhet të jetë një supozim i këndshëm.) Diskutimi do të jetë përafërsisht si ky më poshtë:

Dashi: Nuk kemi nevojë për to. Unë përdor celularin.

Demi: Është e rrallë që të bëj telefonata. Mua njerëzit më vizitojnë.

Binjakët: Karta telefoni! Kush ka kohë për to?

Luani: Epo, në qoftë se ato do jenë me të vërtetë mbresëlënëse në pamje të parë.

Virgjëresha: Unë duhet të kontrolloj në Google dhe të shoh se çfarë thuhet aty për to.

Shigjetari: O Zot! Ju do të thoni se njerëzit kanë kohë të merren më këtë budallallëk?

Akrepi: Nëse nuk jeni në shtëpi, ata ju humbasin! Është humbja e tyre, jo imja.

Ujori: Pyes veten nëse bie shi jashtë? M’u duk sikur dëgjova bubullima.

Gaforrja: Këto karta nuk jane personale. Preferoj të shkruaj një shënim.

Peshqit : Unë gjithmonë e ndiej kur njerëzit nuk ndodhen në shtëpi dhe i telefonoj ata vetëm kur kam marrë një mesazh në subkoshiencë që ata duan të më dëgjojnë mua.

Bricjapi: Shërbimi është krejtësisht i duhur. Por nuk ka pse diskutohet pamja e jashtme e kartës. Nëse nuk është e gdhendur, nuk quhet fare kartë.

Peshorja: Atëherë, varet! Nëse doni të bëni gjënë e duhur, ju duhet t’i keni këto karta me vete. Kjo është një gjest i këndshëm. Nga ana tjetër, përdorimi i tyre mund të duket i tepërt sot dhe gruaja moderne është shumë e zënë për t’u shqetësuar me to. Sigurisht, duhet të merrni në konsideratë arsyet që qëndrojnë në përdorimin e tyre. Por gjithashtu, ka njerëz që nuk mund t’i përballojnë këto karta. Në qoftë se ato rëndojnë buxhetin, nuk është domosdoshmëri t’i merrni. Megjithatë, duke marrë parasysh anën tjetër të medaljes, do doja shumë ta ndieja bukurinë dhe hijeshinë e të kaluarës, që mungon tani në ritmin e furishëm të ditëve të sotme, prandaj mund t’ia vlejnë paratë e shpenzuara. Unë mendoj se këto karta duhet të jenë të gdhendura, që të reflektojnë personalitetin individual të çdokujt. Një person krijues mund të projektojë kartën e vet. Por karta të tilla individuale mund të keqkuptohen nga njerëzit që janë shumë socialë, e ke parasysh? Miqtë do ta pëlqejnë origjinalitetin tuaj, por një gdhendje e thjeshtë do të jetë ndoshta më e pranueshme. Së paku unë mendoj se kështu duhet të jetë. Por sërish…

Tani, ajo do t’ju referohet anëve pozitive dhe negative, në përpjekje për të sjellë argumenta  dhe për të dalë në një vendim përfundimtar. Ju mund të shihni se gruaja e Peshores është shumë e drejtë dhe e angazhuar totalisht për të bërë një gjykim të balancuar për të gjithë ata që janë përfshirë. Ju mund të mërziteni me detajet e tepërta për çdo temë që diskuton (sidomos këto të kartave telefonike), por ju do të vlerësoni sinqerisht përpjekjet për drejtësi dhe aftësinë për të gjykuar në mënyrë korrekte duke peshuar të gjitha anët, kur është fjala për diçka që me të vërtetë ka rëndësi.

Për një grua të shenjës së Peshores, nuk ka rëndësi se çfarë mendon ajo (se është e drejtë). Mendimi juaj meriton po aq shumë respekt sa mendimi i saj dhe i Platonit, derisa të merret vendimi, në bazë të argumentave të saj, tuajat dhe të gjithë filozofëve të tjerë.

Shumica e vajzave të udhëhequra nga planeti i Afërditës, punojnë si para ashtu dhe pas martesës. Ato janë në kërkim të parave për të blerë gjërat e bukura që dëshirojnë.

Partneriteti, si në biznes dhe në dashuri, përbën nevojën e saj më të thellë. Ajo nuk ka se si të funksionojë vetëm, pasi është e paaftë për të jetuar vetëm në kuptimin e parë të fjalës.

Gratë e shenjës së Peshores që vizitojnë astrologët kanë vetëm dy pyetje që u interesojnë me të vërtetë. Do jetë gjithmonë një prej këtyre: "Kur do të takoj dikë që që do ta dua me të vërtetë?" ose "Kur do të gjej dikë që të shkoj mirë me të në biznes?". Për të, martesa është një sipërmarrje e përbashkët dhe rregullat janë pothuajse aq të rrepta sa ato të kompanive apo korporatave të mëdha. Ju jeni presidenti dhe do të jeni nderuar si i tillë. Ajo është kryetarja e bordit, i cila do t'ju parandalojë të bëni gabime, në mënyrën e saj femërore e mbrojtëse.

Natyra e saj është ndërtuar për punën në grup. Ajo do të dojë të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet dhe interesat tuaja që të jetë e mundur. Ju me të vërtetë duhet t’i jepni besim asaj. Gruaja tipike e shenjës së Peshores nuk ka dëshirë të jetë një gur rreth qafës së burrit. Ajo thjesht do të jetë ajo që mund të heqë të gjitha gurët në rrugën e tij. Ajo nuk është aq autoritare në sipërfaqe sa është përbrenda, sepse gjëja e fundit që dëshiron të bëjë është të japë deklarata, për të cilat mund të mbajë përgjegjësi më vonë. Ajo do t’ju“shkelë” butësisht në shumicën e rasteve (me përjashtim të rastit nëse ka ashendent Bricjapin).

Shtëpia e saj mund të duket si një nga ato reklamat për revistat prestigjoze të mobilimit. Ngjyrat do të harmonizohen me njëra-tjetrën dhe mobiljet do të jenë zgjedhur me një shije të hollë. Pikturat do të rrinë drejtë dhe zakonisht ushqimi do të shërbehet në kohë. Nga shumica e vajzave te shenjës së Peshores, ju mund të prisni të shihni peceta tavoline të qëndisura, takëme argjendi të pastër, lule në tryezë, porcelan të mirë, qirinj, verë, muzikë të lehtë dhe një menu të ekuilibruar.

Ana mashkullore e saj rrallë do t’ju shqetësojë, përveç nëse ju jeni një nga ata burrat e vështirë që duan të vijnë vërdallë duke thirrur me të madhe si të jeni Mbreti Henry VIII dhe duke pritur që gratë në jetën tuaj të sillen si bashkëshorte të bindura.

Sjellja e saj e ëmbël dhe të qetë, si dhe aftësia për të ftohur ballin tuaj kur keni ethe, mund t’ju bëjë të mendoni se është e dobët dhe e pafuqishme, ose se ajo do të jetë delikate dhe femërore, kur një krizë të shpërthejë. Nëse po, jeni shumë gabim.

Hapini mirë sytë tuaj herën tjetër kur të keni një emergjencë familjare dhe shihni se kush e mban varkën larg përplasjes. Gratë me pantallona janë në rregull, për aq kohë sa ato veshin fustane me shkëlqim në festa dhe të brendshme mëndafshi në intimitet. Gruaja Peshore sigurisht që është një prej tyre.

- Publikuar për herë të parë në korrik të vitit 2014/ ndalohet kategorikisht ribotimi.

MOS I HUMBISNI