Muzika

Arilena Ara flet për ‘Festivalin e Këngës’ dhe Eurovision 2021

Shkruar nga Anabel

21 Shtator 2020

Arilena Ara flet për ‘Festivalin e Këngës’ dhe

Në një intervistë me Ardit Gjebrean në “E diela shqiptare”, Arilena Ara foli ndër të tjera edhe për “Festivalin e Këngës” dhe Eurovision 2021. Gjatë bisedës, Gjebrea përmendi mënyrat se si shtete të ndryshme zgjedhin këngën përfaqësuese për në Eurovision dhe e pyeti Arilenën nëse do të shkojë ajo vitin e ardhshëm.

“Për një gjë jam e bindur, që Eurovision 2021 do të mbahet. Kjo është e sigurt. Me apo pa Festival, me apo pa mua.”

Pak ditë më parë, Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) konfirmoi për ESCToday pjesëmarrjen në garën e ardhshme të Eurovision Song Contest 2021, i cili do të mbahet në Hollandë. Fraza e këngëtares “me ose pa mua” duket sikur lë të hapur pjesëmarrjen e saj në “Festivalin e Këngës” këtë vit. Në konfirmimin për ESCToday, RTSH u shpreh se është një nga shtetet që nuk do të përfaqësohet me fituesin e 2019-s.

Në fillim të korrikut, RTSH njoftoi se kanë nisur përgatitjet për Festivalin e 59 të Këngës.

“Pavarësisht situatës së krijuar nga koronavirusi është e sigurt se edhe këtë fundvit eventi më i madh i këngës në vend, do të mbahet. Nëndrejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka zhvilloi sot takimin e parë konsultativ me krijuesit, që kanë lënë gjurmë në këtë festival, muzikantë e tekstshkrues. Në takim u diskutuan çështje që lidhen veçanërisht me cilësinë e festivalit, duke nisur që nga ngritja e një komisioni vlerësimi për përzgjedhjen e këngëve e deri tek kriteret për pjesëmarrjen në festival," u shkrua në njoftim.

Sipas njoftimit, këtë muaj, krijuesit do të paraqesin këngët konkurrente për edicionin e 59. 

MOS I HUMBISNI