Bota

Bejruti injoroi paralajmërimet publike ndër vite se kishte një 'bombë' ruse në port

Shkruar nga Anabel

6 Gusht 2020

Bejruti injoroi paralajmërimet publike ndër vite se kishte një

Mikhail Voytenko, një analist detar rus me qendër në Tajlandë, paralajmëroi në korrik të vitit 2014 se anija, për të cilën ai tha se ishte në pronësi të një operatori rus, ishte në të vërtetë një “bombë lundruese”.

Sistemet e monitorimit detar gjurmuan Rhosus në portin e Bejrutit në shtator të vitit 2013 dhe anija renditi ngarkesat e saj zyrtare si “mallra bujqësore”.

2.750 tonë të nitratit të amonit do të përdoreshin kryesisht për fertilizues ose eksplozivë me fuqi të lartë. Për të kuptuar rrezikshmërinë dhe sasinë: më pak se 2 tonë nitrat amoni u përdorën në bombardimin e vitit 1995, në qytetin e Oklahomës.

Anija e ngarkesave në pronësi të Rusisë, u dërgua në portin e Bejrutit për arsye të panjohura, ndoshta pasi u fut në telashe gjatë rrugës detare nga Gjeorgjia në Mozambik. Autoritetet e Bejrutit e bllokuan nga largimi dhe ngarkesa e rrezikshme u la në port një vit më vonë, sipas faqes së monitorimit detar “Fleetmon”.

Voytekno tha se pronarët e anijes kishin braktisur anijen dhe ekuipazhin e saj dhe autoritetet libaneze kishin dështuar në mbrojtjen e ngarkesave vdekjeprurëse.

“Ka shumë kufizime dhe rregulla që duhet t’i përmbahesh, kur bëhet fjalë për të ruajtur eksplozivë si amoni, por ata thjesht i ruajtën në një depo dhe harruan për to”, tha ai për Daily Beast, nëpërmjet një bisede telefonike.

Më 17 qershor 2014, Safik Merhi, atëherë drejtues i Autoritetit Doganor të Libanit, u shkroi zyrtarëve libanezë nën titullin “Çështje urgjente”, duke dërguar ndihmë për të siguruar eksplozivin, sipas një kopjeje të letrës, shpërndarë në Twitter, nga aktivisti për të drejtat e njeriut, Wadih Al Asmar.

Merhi raporohet se dërgoi edhe pesë letra të tjera, në 5 dhjetor 2014, 6 maj 2015, 20 maj 2016, 13 tetor 2016 dhe 27 tetor 2017, duke u lutur për ndihmë, sipas Al Jazeera, që raporton një nga letrat:

“Duke patur parasysh rrezikun serioz që sjell mbajtja e këtyre mallrave në hangar, në kushte klimatike të papërshtatshme, ne risjellim kërkesën tonë, duke iu lutur agjensisë detare, t’i ri-eksportojë këto mallra menjëherë, për të ruajtur sigurinë e portit dhe atyre që punojnë në të, ose të bien dakord për ta shitur atë.”

Një letër tjetër, kësaj radhe e shkruar nga Daher, kreu i ardhëm i Autoriteti Doganor të Libanit, përsërit paralajmërimin e “rrezikut për t’i lënë këto mallra në vendin ku janë edhe për ata që punojnë atje.”

Kryeministri i ri i Libanit, Hassan Diab, i cili erdhi në punë në janar të vitit 2020, u shpreh se shkatërrimi mund të ishte shmangur, duke premtuar se “të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë katastrofë, do të paguajnë një çmim.”

Presidenti Donald Trump iu referua shpërthimit si një sulm, megjithëse autoritetet lokale thonë se shpërthimi mund ishte me shumë gjasa i nisur nga një punëtor i thjeshtë aty pranë.

“Jam takuar me disa nga gjeneralët tanë të shkëlqyer dhe ata thjesht e ndjejnë se... ky nuk ishte një lloj shpërthimi fabrikash”, tha Trump në një konferencë të Shtëpisë së Bardhë. “Ata duket që mendojnë se ishte një sulm. Ishte një bombë e një lloji.”

Ditën e mërkurë, u raportuan ende qindra të humbur nga shpërthimi masiv, i cili gjeneroi valë sizmike të ngjashme me një tërmet me magnitude 3.3.

Porti i Bejrutit, që njihet dhe me nofkën “Shpella e Ali Babës dhe 40 Hajdutët”, për shkak të pretendimive të korrupsionit lidhur me menaxhimin e tij, ka qenë nën një kontroll të ashpër në muajt e fundit, që prej fillimit të “Revolucionit të Tetorit”, vjeshtën e kaluar.

Burimi: Daily Beast

MOS I HUMBISNI