Pushimet e para me partnerin janë një sfidë më vete! Thënë kjo, sepse të shkoni me pushime është një formë 'bashkëjetese' ku ju do të njihni zakone të reja të cilat më përpara nuk i kishit vënë re. Duke filluar që nga diskutimet fillestare, për të vendosur se ku do t'i kaloni pushimet. Pasi të arrini në një vendim të përbashkët,do t'iu duket sikur gjithçka u zgjidh, por faktikisht ai është vetëm fillimi.
Pavarësisht atyre që keni planifikuar, do të kuptoni se shumica e aktiviteteve në listën tuaj nuk do të bëhen sipas programit tuaj. Njëri nga ju do të dojë gjithë kohën të bëjë foto, ndërsa tjetri parapëlqen të shijojë çastin. Madje, hera herës do ta shohësh edhe teksa bën mimika të çuditshme kur t'i kërkon foton e radhës se kape dritën e mirë.
Ditët e para iu duket sikur harroni gjithçka dhe çdo gjë, por pak më vonë do t'i riktheheni bisedave të zakonshme rreth problemeve tuaja. Po kur njëri nga të dy rri shumë në diell dhe digjet? Po nëse helmohet nga ushqimi? Epo, këto janë rreziqe që duhet t'i merrni përsipër edhe pse do të thonë që do të harxhoni një natë apo dy duke u kujdesur për të. Fundja, mendoni që të paktën këtë vit nuk jeni shumë larg. Edhe në rastin më të keq, jugu është afër.
Mundet edhe të mërziteni, por kjo vjen më tepër nga temperaturat e larta, kështu që mos krijoni direkt idenë se mërziteni duke ndenjur me partnerin tuaj. Nëse kjo mërzitje shkaktohet realisht nga partneri, do të ishte më mirë t'i përfundonit si pushimet ashtu edhe lidhjen tuaj. Do të njihni shumë gjëra të reja tek njëri-tjetri, të cilat nuk i kishit vënë re më përpara pasi nuk kishit provuar të rrinit vetëm bashkë për një kohë të gjatë. Kjo gjë mund t'iu ndihmojë t'i rregulloni këto zakone, ose të kuptoni që thjesht nuk mund t'i duroni dot, pavarësisht ndjenjave që keni.
Por, faktikisht pjesa më e mirë e të bërit pushime në çift, nuk janë realisht pushimet që bëni. Është kthimi në shtëpi me kujtime të reja, me një person që e njihni më mirë se më përpara dhe të kuptoni se doni realisht të rrini me të. Kështu që, nëse rezultati pas pushimeve tuaja është ky, atëherë ia vlen të bëni disa "sakrifica" gjatë pushimeve tuaja.
Burimi: Cosmopolitan