Ekipi i Tiranës u konfirmua fundjavën e kaluar si fitues i Kategorisë Superiore, niveli më i lartë i futbollit kombëtar për meshkuj. Në futboll, kupa është gjithnjë e përbashkët dhe të gjithë anëtarët e ekipit kanë kontributin e tyre, por këtë herë, një meritë e veçantë i takon trajnerit të Tiranës, Ndubisi Emmanuel Egbo.
Ish-portieri po cilësohet nëpër media si njeriu që bëri histori duke qenë trajneri i parë afrikan që drejton një skuadër europiane në një titull kampionati.
Egbo ka luajtur më parë për ekipe të ndryshme në Nigeri, Afrikën e Jugut dhe Egjipt, KF Tirana dhe Bylis (Ballsh). Ai iu bashkua ekipit të Tiranës në vitin 2001 dhe ka punuar si zëvendëstrajner dhe trajner i portierëve. Ndeshja e tij e parë në krye të ekipit ishte një ndeshje në dhjetor, kundër Partizanit, të cilin Tirana nuk e kishte mundur dot në gjashtë vite. “Të gjithë menduan se do të humbnin. Ndoshta 5-0,” tha Egbo për ESPN. Por, Tirana fitoi 2-1, fitoi edhe në dy ndeshje të tjera nën drejtimin e tij, gjë që sigurisht rriti shpresat e ekipit.
Egbo u shpreh për ESPN se “iu desh të punonte fort me psikologjinë e lojtarëve të Tiranës”, të cilët “kishin humbur shpirtin e garës”.
Pavarësisht gjithë punës kolosale, nga ana tjetër, Ndubisi Egbo i është dashur të përballet me vështirësi, si mosbesimi brenda ekipit, por më së shumti, me racizmin. Në një intervistë për BBC Sport, ai rrëfeu se është sulmuar për shkak të ngjyrës.
“Ka njerëz që nuk duan që unë të fitoj për shkak të ngjyrës sime. Ka racizëm. Gjatë një ndeshjeje, më hodhën banane. Më pështynë. Zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit nuk bënë asgjë sepse ndodhi gjatë ndeshjes. Policia dhe ekipi i sigurimit ishte atje, por askush nuk bëri asgjë. Ata kishin frikë nga tifozët. As unë nuk mund të bëja asgjë. Më duhej thjesht ta pranoja.”
Egbo tregoi për BBC se ndonjëherë dëgjon gjëra që njerëzit i thonë, me idenë se ai nuk kupton shqip.
“Një herë, hipa në një autobus me çantë shpine dhe dy njerëz nga mbrapa thanë: ‘Ky duhet të jetë nga Al Qaeda’. Iu thashë [në shqip]: ‘A mbaruat?’. Nuk e donin veten.”
Arritja e tij po cilësohet si rasti i Obama-s, kur për herë të parë në historinë e SHBA, një njeri afro-amerikan u shpall president. “Ne ishim 15 pikë larg nga ekipi i vendit të parë. Por në 23 ndeshje, fituam 20. Nuk mund ta imagjinoni sa e vështirë ishte,” tha ai.
“Afrikanët e mi më kanë thënë se nuk e kam idenë se çfarë kam bërë për ta duke fituar këtë kampionat. Ishte njësoj si kur u shpall Obama president në Amerikë. Kështu ndihen.”
View this post on Instagram
Nga tifozët e Tiranës, Egbo njihet me pseudonimin “profesori”. Nëpër komente, njerëzit shkruajnë: “Tani që fitoi kampionatin, i kërkoj profesorit të hapë një kurs se si fitohet kampionati në Shqipëri”, “Arkitekti”, “Nuk duam trajner tjetër. Duam vetëm Emmanuel Egbo”, “Baba i trajnimit” etj.
Në vitin 2017, Egbo, i cili ka edhe nënshtetësi shqiptare, u rimartua me partneren e tij filipinase, Fabia Egbo, në një ceremoni tipike shqiptare.
“Janë hedhur shumë lekë, pasi e kemi zakon edhe në Nigeri. E bëra dasmën sipas traditës shqiptare sepse i ngjan asaj nigeriane. Ishin rreth 170 të ftuar. Nuk bëmë aheng sepse e donim dasmën të thjeshtë, por i ramë borive kur morëm nusen. Vallja u mor me radhë, siç bëhet në Shqipëri. Kemi qëlluar edhe me armë. Gjysmën e jetës e kam kaluar këtu, me nënshtetësi jam shqiptar, kështu që nuk kisha si e bëja ndryshe dasmën,” – u shpreh ai në “Wake Up”.