Për momentin, strukturat në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë kanë në dispozicion afro 90,000 teste për Covid-19, përpos 33,389 që tashmë janë përdorur, referuar statistikave zyrtare. Në një intervistë për Real Story, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u pyet pikërisht mbi faktin që pse këto teste nuk përdoren.
“Nëse një person, sidomos kur shfaq simptoma, menjëherë duhet të testohen të gjithë personat që hetimi epidemilogjik i nxjerr si të rrezikuar. Nuk e shoh që kjo po bëhet. Le të themi që në këtë mënyrë, duke i testuar njerëzit, dhe ata e dinë se kush është pozitiv dhe kush jo. Kështu qëndrojnë në shtëpi dhe nuk dalin rrugëve dhe e përhapin [virusin] në mënyrë të pavullnetshme. Ju i paskeni 90,000 testime, pse s’i përdorni?” e pyeti Sokol Balla ministren, e cila u përgjigj.
“Testet absolutisht nuk janë pak dhe ne po vijojmë të fuqizojmë kapacitetet testuese në mënyrë që të kemi mundësinë të bëjmë më shumë teste. Jemi duke përdorur një infrastrukturë shëndetësore, sepse testi është një gjë dhe patjetër që konfirmon nëse je Covid-19 pozitiv, por nuk e garanton 100%. Ti mund të testohesh sot dhe të dalësh negativ, ndërkohë që për tre ditë virusi ka inkubuar dhe ti del pozitiv. Ajo çfarë ne po bëjmë është që nëpërmjet strukturave tona, 127 që është Urgjenca Kombëtare, telefonojnë ata që kanë simptoma dhe bëjnë edhe aty një hetim dhe [127] ka një protokoll të ndjekjes [së rastit] dhe referimit te epidemiologu, mjeku i familjes për të kryer hetimin epidemiologjik dhe për t’u izolur. Por duhet të kuptojmë se jemi në një epidemi ku testimi ka vlerë esenciale, por të njëjtën vlerë ka edhe ndërgjegjësimi. Nëse një person ka simptoma dhe merr 127 dhe 127 i thotë që do të të vijë struktura për t’u testuar dhe ti duhet të rrish i izoluar në banesë, duhet të rrijë në banesë.”
Ministrja shtoi se ka rëndësi “gjurmimi në mënyrë efikase” dhe “kush ka simptoma të vetë-izolohet”.