Shendeti i Gruas

Çfarë duhet të dini për kancerin e gjirit

Shkruar nga Anabel

1 Korrik 2020

Çfarë duhet të dini për kancerin e gjirit

Shënim: Artikulli në vijim është një ribotim i një interviste të vitit 2014 të bërë nga Anabel.al për Profesor Doktor Gottfried J.Locker MD, një nga onkologët më të mirë të Vienës, i specializuar për kancerin e gjirit. Profesor Locker, është as/shef i Pavionit të Onkologjisë, në Spitalin Universitar të Vienës (AKH) dhe As/Shef i Pavionit të Onkologjisë në Landsklinikum Mistelbach – Ganserndorf. Ai është autor i më shumë se 250 publikimeve dhe leksioneve si edhe është vlerësuar me Çmimin e Kërkimit Shkencor nga Shoqëria Austriake e Kujdesit Intensiv dhe me çmimin "Theodor Biliroth" nga Shoqata Mjekësore Austriake. Ndalohet ribotimi, qoftë edhe duke cituar burimin, pa lejen e redaksisë. Artikulli mund të ripublikohet i pjessshëm, shoqëruar gjithmonë me linkun përkatës të Anabel.al.

Profesor Locker, kanceri i gjirit është përgjithësisht një koncept i largët kur nuk e ke. Nëse i shfaqet një personi afër meje a duhet të frikësohem? Është e trashëgueshme?
Nëse nuk keni raste të mëparshme me kancer në familjen tuaj, nuk keni përse të frikësoheni.

Shumica e lexueseve të Anabel thanë se “mamografia nuk është e rekomanduar para moshës 30 vjeçare”. Çfarë kontrollesh duhet të bëjnë gratë? Në cilën moshë duhet të fillojnë? Sa shpesh?
Rekomandimi austriak është: Kontrollohuni çdo dy vjet nga mosha 45 deri në moshën 69 vjeçare. Nën moshën 44 dhe mbi moshën 70 vjeç vetëm nëse iu kërkohet nga mjeku dhe nëse keni familjarë të tjerë të sëmurë me kancer, filloni kontrollet që në moshën 30 vjeç.

Krahasuar me 10 vjet më parë, a është rritur numri i të mbijetuarave nga kanceri i gjirit? Nëse po, çfarë ka ndodhur?
Vërtet që numri i të mbijetuarave është rritur. Kjo jo vetëm për shkak të terapive efektive, por edhe të terapive të tjera më specifike dhe kuptimit më të mirë të patologjisë molekulare të kancerit të gjirit.

Tirana, kryeqyteti ku jetoj, konsiderohet si një nga qytetet më të ndotura në Ballkan. A është kanceri i lidhur me ndotjen?
Ndotja është përgjegjëse për disa lloje kanceri (për shembull, ai në mushkëri), por jo për kancerin e gjirit.

Le të flasim për kemioterapinë. Si mund të përgatitemi mendërisht për efektet anësore të saj?
Së pari, efeketet anësore më të padurueshme janë të vjellët dhe ndjesia e të vjellit. Ato mund të parandalohen në sajë të terapisë antiemetike të bërë më parë. Nga ana mendore, është e rëndësishme që pacientët ta pranojnë kemioterapinë si një mik e jo ta shohin si armik.

Çfarë duhet të bëjnë familjarët për të lehtësuar pasojat e kemioterapisë?
Mundohuni t’i bëni qejfin, por është e rëndësishme që pacientja të jetojë jetën sa më normalisht, pasi kjo ndihmon shumë në tolerimin e efekteve anësore të kemioterapisë.

Sa i rëndësishëm është ushqimi? A mund ta parandalojmë kancerin përmes ushqimit? Çfarë duhet shmangur gjatë kemioterapisë?
Ushqimi dhe pijet, kombinuar me pirjen e duhanit, mund të shkaktojnë disa lloje kanceri, por jo atë të gjirit. Pacientët me kancer nuk duhet të shmangin asnjë lloj ushqimi gjatë kemioterapisë. Është e rëndësishme të përmirësohet cilësia e jetës, duke i bërë qejfin vetes.

Mund të duket si pyetje e çuditshme, por a mund të shihet kemioterapia nën një dritë pozitive?
Kemioterapia përmirëson pa asnjë dyshim mundësitë e mbijetesës!

Disa teori të lexuara nëpër artikuj e cilësojnë kemioterapinë shkatërruese dhe si një mënyrë jo efektive për t’u shëruar. Ato sugjerojnë lëngjet me perime, duke nënvizuar se proteinat dhe sheqernat ushqejnë qelizat “e këqija” dhe se vetëm lëngjet largojnë kancerin. Kjo teori mendohet të ketë ardhur nga Austria. Çfarë mendoni për këtë teori? A njihni pacientë që e kanë provuar dhe ka rezultuar efektive për ta?
Qarkullojnë, fatkeqësisht, shumë teori të tilla qesharake, të cilat nuk janë të botuara në asnjë revistë shkencore mjekësore. Për më tepër, ne onkologët, kemi parë plot pacientë të na vdesin për shkak të këtyre hipotezave.

Një artikull në revistën “Lancet” në 2009, i botuar nga mjeku austriak Michael Gnant, pretendonte se kanceri mund të kurohej pa kemioterapi, nëse pacienti i përgjigjej pozitivisht një medikamenti që bllokon estrogjenin. Është e vërtetë? A ka rezultuar efektive?
Estrogjeni dhe progresteroni janë vetëm një pjesë e faktorëve të prognozës. Të rëndësishme gjithashtu janë edhe klasifikimi i tumorit, proliferimi, ndërhyrja në enët e gjakut, nivelet e proteinës her2neu. Bllokuesit e estrogjenit janë shumë efektivë, por vetëm për një minorancë pacientësh veprojnë si terapi e vetme.

Kemioterapia është mënyra më e thjeshtë apo më e mirë për të trajtuar kancerin?
Është njëra nga mënyrat për të trajtuar pacientin. Të tjerat janë radioterapia, imunoterapia dhe terapia anti-hormonale. Se cili trajtim duhet përdorur, varet nga patologjia molekulare e tumorit.

Përveç tabletave për të lehtësuar dhimbjet, a ka mjekime natyrale për të luftuar efektet anësore?
Disa pacientë përfitojnë nga trajtime plotësuese si homeopatia ose mjekësia tradicionale kineze

Nëse një grua i nënshtrohet kemioterapisë, a rrezikon të mos bëjë fëmijë?
Nëse gruaja nuk është në menopauzë, ajo do të arrijë gjendje post-menopauze, për shkak të kemioterapisë. Normalisht periodat rifillojnë 6-12 muaj pas kemios. Pas 12 muajsh pacientet mund të ngelin shtatëzënë. Në disa paciente të reja (që i përgjigjen pozitivisht receptorëve të estrogjenit) trajtimi anti-hormonal e zgjat periudhën post-menopauzë, por është krejtësisht e nevojshme. Në këto paciente, shtatzënia mund të rrisë mundësitë e rikthimit të tumorit, sepse qelizat tumorale rritem për shkak të stimulimit të estrogjenit. ?Nëse shtatëzania pas kemioterapisë është e rëndësishme për pacientet e reja, ekzistojnë medikamente (si goserelin) të cilat ndalojnë funksionin e vezoreve.

PYETJE NGA LEXUESIT E ANABEL.AL PËR DOKTOR PROFESOR LOCKER

Përshëndetje doktor, mamaja ime është 67 vjeç dhe u operua në 2008 nga kanceri i gjirit, nën diagnozën e Carcinoma Mammae. Ajo hoqi vetëm masën tumorale dhe vijoi me kemioterapinë dhe rrezet. Krahu i saj i djathtë u fry prej operacionit (në gjoksin e djathtë) dhe vazhdon kështu. Doktorët i kanë thënë që duhet të bëjë ushtrime fizike, të mos ngrejë pesha dhe të shmangë kontaktin me ujin. A është normale? A duhet të jetë krahu i fryrë ende 6 vite pas kemioterapisë?
Kjo mund të ketë ndodhur për shkak të heqjes limfës aksilare dhe radioterapisë ndihmëse. Ajo duhet të vazhdojë me terapinë fizike dhe ushtrimet dhe ta mbajë krahun ngritur, kurdo që të ketë mundësi.

Nëse mamaja ime është një e mbijetuar nga kanceri i gjirit, në cilën moshë duhet të bëj mamografinë e parë?
Nëse keni më shumë se 2 raste me kancer në familje, bëni testin BRCA dhe pas moshës 30-vjeçare filloni mamografinë.

Mamaja bëri mamografi dhe doktorët zbuluan një masë në gjoks dhe sugjeruan biopsi. Unë nuk pranova, pasi pata frikë se mos kanceri përhapej. Kisha të drejtë? Çfarë duhet të bëjmë tani?
Biopsia është e nevojshme, por nëse ke frikë, performoni prerje kirurgjikale.

Kur isha 18 vjeç, u diagnostifikova me feiberadenomë në të dy gjokset. Kisha 7 gjëndra. Njërën prej tyre e hoqa. 2 muaj pas operacionit, ato u shtuan dhe u bënë 12. Pas 4 vjetësh situata nuk ka ndryshuar. Bëj check-up rregullisht çdo 4-5 muaj. A do më sjellin probleme në të ardhmen? Po nëse dua të kem fëmijë?
Normalisht kistet nuk transformohen në kancer, por nëse jeni e frikësuar, vazhdoni me check-upet e rregullta. Stimujt e estrogjenit gjatë shtatëzënisë mund të zmadhojnë kistet.

Nëse jam diagnostifikuar dhe trajtuar për kancer gjiri, a do të rikthehet?
Më vjen keq, por kësaj pyetje nuk mund t’i jap përgjigje, pasi duhet të njoh tipin molekularopatologjik të kancerit tuaj dhe formën e kemioterapisë.

Përshëndetje, jam e shqetësuar për kistet. Kur konsiderohen të rrezikshëm? Kur përmbajnë ujë apo fibrozë?
Normalisht kistet nuk transformohen në kancer, por bëni rregullisht check-up-e.

Thithka në gjoksin tim ka ngjyrë lejla të errët. Duhet të shqetësohem? A duhet të bëj kontroll?
Kontaktoni me gjinekologun tuaj dhe kryeni një mamografi.

Kam bërë kemioterapi dhe rreze (para 2 vjetësh). A mund të shkoj në plazh këtë verë?
Po, nuk ka fare problem.

Kam dëgjuar që qimet e krahut duhet ti pastrojmë vetëm me makinë depilimi dhe jo me dyllë, sepse rrezikojmë të bëhemi me kancer në gji. Është e vërtetë?
Jo, nuk është e vërtetë.

Kam bërë një operacion për largimin e imflamacionit në gjëndrat mamare. A është e sigurt të kem fëmijë?
Nuk ka qënë kancer, ndaj nuk ka asnjë problem.