Shqipëria

Pse BE nuk hapi kufijtë për Shqipërinë: Ç’pritet të ndodhë

Shkruar nga Anabel

29 Qershor 2020

Pse BE nuk hapi kufijtë për Shqipërinë:

Ndonëse Bashkimi Europian kishte propozuar që të hapeshin kufijtë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, vendimi duket se nuk do të përfshijë Shqipërinë.

Korrespondenti i Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri, shpjegoi në një lidhje të drejtpërdrejtë procedurën e pranimit që po vë në zbatim BE pas marrëveshjes së të premtes. Sipas kësaj marrëveshjeje, për dy javët e fundit Shqipëria duhet të ketë më pak se 13 raste të reja me Covid-19 për çdo 100 mijë banorë, në mënyrë që të hapen kufijtë. Mesatarja e Shqipërisë tani është 30.

“Ka kohë që bisedohet për një listë të gjelbër të vendeve që do të mund të udhëtojnë drejt BE-së nga data 1 korrik. BE propozoi më 11 qershor të hartojnë një listë me vendet që nuk përbëjnë rrezik për numrin e infeksioneve. Kriteri kryesor, i vendosur në marrëveshjen e ditës së premte, nuk është më 16 raste të reja brenda dy javëve për 100 mijë banorë, por mesatarja e BE-së, që është edhe më e ulët, 13. Shqipëria ka më shumë se 30 raste të reja për 100 mijë banorë, pra, dyfishi i numrit të asaj që kërkohet nga BE.” – tha ai.

Në vijim, ai shtoi:

“Por nuk është vetëm ky kriter, sepse këtë cak e kanë kaluar dhe Serbia e Mali i Zi, të cilat numërojnë respektivisht 19, 20 raste të reja për 100 mijë banorë. Ka dhe kritere të tjera që llogariten, si masat mbrojtëse, numri i testimeve e gjurmimeve, e masa të tjera për të parë përhapjen e sëmundjes. Është edhe pjesa e kriterit shoqëror e ekonomik. Kjo u përdor për Ballkanin Perëndimor. Nga marrëveshja që u arrit të premten në darkë nga ambasadorët, Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut nuk figurojnë më në lista. Pati disa lista, u diskutuan disa vende.”

Vlen të thuhet se kufijtë mund të hapen edhe përmes marrëveshjeve midis shteteve me njëra-tjetrën, si për shembull rasti i Greqisë.

MOS I HUMBISNI