Në tremujorin e fundit të këtij viti do të dalë në qarkullim kartëmonedha 10,000 lekë, prerja më e madhe e lekut të nxjerrë në emetim deri tani.
Vitin e kaluar Banka e Shqipërisë prezantoi serinë e re të kartëmonedhave, një seri që përmban 6 prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe 10,000 lekë.
Kartëmonedha e re 10,000 lekë nuk është prezantuar ende si imazh nga Banka e Shqipërisë, por sipas vendimit të Këshillit të Mbikqyrjes (via Monitor.al) do të pasqyrojë figurën e Asdrenit dhe do të përmbajë simbolet figurative të flamurit si edhe një varg nga “Himni i Flamurit”, shkruar nga Asdreni, “Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshirë e një qëllim”.
Të gjitha prerjet e serisë aktuale të kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare, përveç asaj 2000 lekë, janë miratuar në vitin 1995 dhe janë hedhur në qarkullim në vitin 1996. Ndërkohë, në vitin 2008, serisë iu shtua kartëmonedha 2000 lekë dhe në fund të vitit 2011 përfundoi kursi ligjor për kartëmonedhën 100 lekë.
Seria e re e kartëmonedhave është prodhuar me teknologjitë më të fundit dhe elemente inovative. Në rastin e kartëmonedhës 200 lekë, materiali prej polimeri, i përdorur është më i qëndrueshëm fizikisht, ndihmon në pastërtinë e kartëmonedhës.
Kartëmonedhat ekzistuese, të të gjitha prerjeve, do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja. Ato do të vijojnë të kenë kurs ligjor dhe të shërbejnë si mjet pagese.
Burimet: Monitor.al, Banka e Shqipërisë