Nga sot, plazhet do të jenë të hapura, por vetëm për hotelet, të cilët më parë duhet të marrin autorizim tek e-Albania. Një njoftim i tillë ka shkaktuar konfuzion tek qytetarët e paqartë në lidhje me rregullat. I ftuar në Abc Neës ka qenë Blendi Klosi, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit i cili ka sqaruar se si do të procedohet në vazhdim.
“Nga sot plazhet do të fillojnë duke marrë leje nëpërmjet një sistemi të ri që kemi filluar. Nga fundjava tjetër ftojmë ata që duan të shijojnë bregdetin shqiptar të vijnë të pushojnë. Kemi një numër të konsiderueshëm vendeve që duhen zbuluar.
Thirrja e fortë që kanë të gjithë së bashku është që hotelierët të kenë një aleancë më të madhe për të pasur mundësinë që shqiptarëve t'i ofrojnë një sezon turistik më të pranueshëm. Edhe pse pritet që këtë vit numri i turistëve pritet të jetë më i ulët."- u shpreh Klosi duke shtuar se qytetarëve nuk u duhet asnjë leje për të shkuar në plazh.
"Bizneset do të marrin leje në e-albania për stacionet e plazhit. Në kontaktet që kam pasur me hotelierët të gjithë e kanë këtë problem. Por edhe qytetarët ankohen se sipërfaqe të plazheve po bllokohen. Stacionet e plazheve iu jepen hoteleve që janë në vijën e parë. Pra janë hotelet që kanë prioritetin për të menaxhuar."
Rregulli i vetëm që duhet të ndjekin qytetarët është distanca sociale që nga çadra në çadër do të jetë 3.5 metra.