Një ndër pyetjet më të shpeshta në rrjete sociale, përsa i përket skandalit të publikimit të videos së nënës së 15-vjeçarit të dhunuar nga policia, lidhet me faktin se pse deputetët, me shumicë gra, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, nuk reaguan fill pasi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, publikoi videon e shumëpërfolur.
Në një postim në rrjetet sociale (via ABC News), deputetja Elena Xhina – e cila drejtoi pyetjen në lidhje me dhunën ndaj 15-vjeçarit – shkroi se “kur mendja është në situatë të vështirë, flet më mirë ai që hesht më mirë”.
“Që prej të djeshmes, në rrjete sociale zien diskutimi në lidhje me videon e publikuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë. Që prej të djeshmes, kërkohet të dihet pse heshtëm ne gratë e pranishme në Komision dhe unë dua të shkruaj vetëm pak rreshta për të thënë diçka më me vlerë se rreshtat. ‘Kur mendja është në situatë të vështirë flet më mirë ai që hesht më mirë’ është një thënie e Pedro Calderon De La Barca,” shkruan ajo.
Në vijim të deklaratës së saj, Elena Xhina thotë se “mendja e saj dhe e kolegeve të saj u ndodh në situatë të vështirë”.
“Askush nga ne nuk komentoi, nuk interpretoi dhe as diskutoi në ato çaste mbi pamjet që u shfaqën, për t’ia lënë një momenti të dytë, më të qetë dhe ndoshta dhe më të kuptueshëm, nuk është se kuptuam shumë se çfarë po ndodhte aty. U ndodhëm në situatë të vështirë dhe heshtëm.”
Ndër të tjera, ajo shton se “fjala është e Drejtorit të Përgjithshëm dhe sqarimi duhet të ishte i tij”. “Zot i fjalës është ai që e thotë dhe vetëm ai ka të drejtë të sqarojë,” u shpreh Xhina. Në një tjetër moment, deputetja u ndal te “shoqëria jonë, që për të mbrojtur një grua, shan e ofendon në të gjitha format gra të tjera”. Xhina nuk bëri me dije se në ç’formë është bërë pjesë e kritikave dhe ofendimeve të shoqërisë: Si grua apo si përfaqësuese e popullit, thënë me fjalë të tjera, si deputete?
“Kam lexuar në rrjete sociale komente fyese nga më të ndryshmet, disa dhe në inboxin tim. Shoqëri që për të mbrojtur një grua shan e ofendon në të gjitha format gra të tjera. Kjo është shoqëria jonë, por gjithsesi vlerësime për të gjithë që reagojnë për të drejtat. E di mendimin që pason: je përfaqësuese e popullit duhet të japësh llogari. Po patjetër, në çdo kohë por fyerjet dhe ofendimet bien njëjtë mbi të gjithë, dhembin njësoj.”
Ndryshe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Xhina kërkoi ndjesë publike ndaj nënës së 15-vjeçarit duke thënë sërish se nuk reaguan sepse "nuk u ndjenë mirë".
“Unë personalisht i kërkoj ndjesë publike zonjës që shfaqej në video për faktin që isha prezente dhe që nuk reagova në atë moment, por dua të t’ju them me siguri se as unë e as koleget e mia nuk u ndjemë mirë.”