Pas komunikatës të mbajtur me Komisionin e Sigurisë Kombëtare, e cila u bë virale dhe kritikua nga qytetarët, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, reagoi duke thënë se “fjala e tij është nxjerrë jashtë kontekstit”.
Gjatë diskutimit për dhunën e ushtruar nga policia ndaj një të mituri 15-vjeçar, Veliu publikoi videon e nënës së djalit, e cila shfaqej me një pistoletë në dorë. Për hir të së vërtetës, videoja ishte pjesë e xhirimeve të një filmi, ku Zaida Çobo kishte një rol.
Në deklaratën e postuar nga Policia e Shtetit, Veliu thotë:
“[…]Sot unë jam vënë personalisht në shënjestër dhe më vjen keq për deformimin që po i bëhet realitetit të ngjarjes për të cilën fola dhe vetë qasjes sime ndaj saj.
Së pari, fjala ime nuk mund të nxirret nga konteksti, siç po bëhet.
Së dyti, kam bërë një ilustrim të idesë se nuk mundet të fajësohet gjithnjë vetëm punonjësi i Policisë duke u kapur pas një fotoje të rastit, pa konsideruar tërë kontekstin e një situate.
Së treti, kam sqaruar se punonjësi në fjalë është pezulluar dhe ka nisur hetimi disiplinor dhe penal për të.
Së katërti, unë po komunikoja hapur me deputetët, një shqetësim që është i mbarë punonjësve tanë, për demonizimin që i bëhet figurës së Policit të Shtetit dhe nuk doja të thosha më shumë se kaq[…]”
Në vijim shtoi:
“Por në fund dëshiroj t'u them të gjithë atyre që po e gjykojnë me ngut këtë "krim" të radhës, se nëse nuk kam arritur dot ta sqaroj si duhet atë ç’ka kisha qëllim, kjo nuk mjafton për të më gjykuar me qëllim […] Ndjesë nëse kam krijuar një keqkuptim me komentin tim dhe besoj se kushdo që do të gjykojë pa paramendim dhe pa e menduar edhe këtë si rastin e radhës për të baltosur Policinë e Shtetit, do të gjejë arsye për ta pranuar ndjesën time!”
Çfarë bie në sy në komente (të cilat i gjeni në fund të artikullit) është reagimi i ashpër i qytetarëve, të cilët vënë në dukje se “policia fshin komentet”. Disa prej tyre thonë se është i papranueshëm fakti që “policia bën biografinë e të ëmës për të justifikuar dhunën ndaj një të mituri”.
Të tjerë thonë se “duhet të gjobitet për prishje imazhi” ndërsa një tjetër thotë se “edhe sikur e ëma të kishte kryer veprimet e sipërpëmendura, nuk duhet gjykuar fëmija, aq më tepër në një moshë delikate si adoleshenca”.
Një tjetër qytetar shkruan se “nxjerrja e videos përbën shkelje të të drejtave dhe të privatësisë”. “Hajde nivel hajde. Sa mirë i investigoni gjërat,” thotë dikush, ndërkohë që të tjerë theksojnë se “duhet të japë dorëheqjen”.
Komentet: