Gjatë video-konferencës live me gazetarët, kryeministri Rama iu përgjigj pyetjeve që përkojnë me shqetësimet më të mëdha të shqiptarëve gjatë kësaj kohe. Një nga çështjet me më shumë interes është padyshim transporti publik, si një prej shërbimeve më të nevojshme për qytetarët.
Rama tha se në lidhje me transportin publik, po hartohet një strategji e cila do të bëhet publike në fillim të qershorit, muaj në të cilin do të merret dhe një vendim në lidhje me të.
Ndër të tjera, kreu i vendit tha se masat lehtësuese do të vijojnë, por Tirana vazhdon të jetë ende zonë e kuqe.
”Dua të sjell në vëmendje që masat lehtësuese do të vijojnë. Tirana mbetet problem ende edhe lehtësimi në Tiranë apo në zonat e kuqe. E pamundur këtë javë. Në pjesën tjetër do të vijojnë. Kemi diskutuar hapjen e kopshteve dhe çerdheve më 1 qershor.
Nëse numrat do të vazhdojnë të jenë të qëndrueshme ne mund t’i hapim dhe kjo kohë duhet shfrytëzuar për të bërë kushtet. Do të hyjnë në klasa me rregulla komplet të tjera dhe do të mund të kenë një periudhë 3-javore para maturës shtetërore. Do të vazhdojmë lehtësimin e qarkullimit jo në zonat e kuqe, z gjatjen e fashave të orareve. Shtrirja e fashës orare sidomos në orën kur mbaron puna ka shqetësimin për nevojën për t’u grumbulluar dhe rrit tundimin për të hapur lokale."
Në lidhje me hapjen e lokaleve, restoranteve, që priten të hapen me 18 maj, kryeministri tha se pronarët e bizneseve të tilla duhet të tregojnë shumë kujdes në respektimin e masave.
"Dua të përsëris që lokalet duhet të marrin masat sepse lokalet, transporti dhe turizmi janë pika shumë të nxehta dhe të rrezikshme. Lokalet do të monitorohen nga shumë afër dhe nuk dua t’i penalizojmë. Lokalet dhe sipërmarrësit e lokaleve duhet të ndjejnë përgjegjësinë për të mbrojtur qytetarët dhe shqiptarët."
Burimi: Balkan Web