Arkivë

Histori personale: Si i fejuari më la një orë para dasmës

Shkruar nga Anabel

28 Prill 2020

Histori personale: Si i fejuari më la një orë para dasmës
Sarah Jessica Parker në Sex and the City (2008)

Pasditen e dasmës sime, ime motër po ndihmonte të vishesha dhe më pyeti, “A je nervoze?” Me sinqeritet i thashë se nuk isha. Dasma e ëndrrave të mia niste për një orë, në një plazh në Hawaii me shokun tim të ngushtë. Tunda kokën dhe më kujtohet si sot replika e saj: “Pse të jesh nervoze fundja? Ai është një njeri i mrekullueshëm.” Këto fjali s’më shqiten nga truri. Dikur më bënin për të qarë, ndërsa tani më duken qesharake.

U njoha me të fejuarin tim dy vite më parë në një ndeshje bejsbolli. Ishte i gjatë dhe i lezetshëm. Unë jetoja në Toronto, ndërsa ai dy orë më larg, në Ontario. Sidoqoftë, filluam të dilnim bashkë. Udhëtoja çdo fundjavë për ta takuar. Ishim të trullosur. Kur më propozoi pas gjashtë muajsh, në plazh gjatë perëndimit, nuk m’u duk sikur po nxitoheshim. Isha 23 vjeçe dhe më dukej sikur po vija gjërat në terezi. Njerëzit thoshin se ishim perfekt për njëri-tjetrin. Ishim të dy aktivë dhe ambiciozë, dhe ai shkonte mirë me familjen time. Teksa planifikonim dasmën, blemë një shtëpi bashkë. Sigurisht ziheshim, por çfarë çifti nuk zihet.

Vendosëm të martoheshim në Hawaii. Ai i organizoi gjërat me mua. Ditën e dasmës, isha kaq e emocionuar. Vrapova në mëngjes dhe më kujtohet që i thashë vetes të shijoja çdo moment. E kaluam natën në hotelin përballë vendit ku do të mbahej ceremonia. Nga dritarja e dhomës shihja përgatitjet. Ndoshta prej kësaj nuk ndihesha nervoze. Ndoshta prej kësaj u gjeta e papërgatitur nga ç’ndodhi më vonë.

I fejuari erdhi në dhomë dhe më tha se duhej të flisnim, vetëm. Po qante. Hamendësova se ishin emocionet e ditës. Pastaj tha: “Nuk mund ta bëj këtë.” S’e kuptoja ç’po më thoshte. E pyeta: “Po bën shaka?”

Ai tundi kokën. Thjesht ndenja aty, me vello në kokë. Ky burrë që duhej të ishte dashuria e jetës sime, po anullonte dasmën një orë para se të thonim betimet. As që pyeta pse. I thashë të ikte. Ajo dhomë hoteli m’u duk kaq e vogël.

Histori personale: Si i fejuari më la një orë para dasmës
Cyndi Maisonneuve

Motra ime dhe shoqërueset e ndoqën, por s’e kapën dot. S’u tha as organizatorëve. M’u desh të shihja time motër nga dritarja që u jepte lajmin gjithë të ftuarve.

Dyshimet se mos u tërhoq në moment të fundit u shuan kur  hapa gardrebën e tij. Kur unë po vrapoja në mëngjes, ai kishte bërë gati rrobat dhe pasaportën. Më la. Isha zemërthyer, e poshtëruar, e rrënuar.

Kisha nevojë të arratisesha. Eca në breg. Pastaj, pas gjysmë ore, e telefonova. Më tha se ndoqi instinktin. Kaq. Nuk e di si e gdhiva atë natë. Isha e përhumbur. Shkova për darkë, por nuk mund të haja. Ime motër më dha kokrra për gjumë, por u zgjova në katër të mëngjesit. Bëhej më e vështirë sa herë më kujtohej ç’ndodhi.

Ç’e përkeqësoi gjendjen ishte fakti se ai ndenji në ishull deri në fund të javës. Qëndronim në të njëjtin resort. Dy ditë më vonë e pashë në një parking dhe e quajta burracak. Rrënimi im po kthehej në inat. Vendosa të ndjek gjithë aktivitetet e pushimeve që të hiqja mendjen. Doja të isha aq e lodhur në darkë, sa të më zinte gjumi pa menduar. Kur u ktheva në Kanada, realiteti më goditi në fytyrë. U shpërngula me prindërit dhe me shitjen e shtëpisë u morën ata. Më dukej sikur isha adoleshente sërish.

Pak javë më vonë, u takuam dhe ai sugjeroi që të lidheshim sërish, por të mos martoheshim, gjë që m’u duk mahnitëse. Më tha se e anulloi dasmën sepse ai s’donte fëmijë, ndërsa unë po. S’ma shpjegoi kurrë pse kjo u kthye në problem ditën e dasmës. Me kalimin e kohës, humbëm kontaktet. Tani, gjashtë vite më vonë, kam filluar të dal prap. Çfarë ndodhi është mjaftueshëm larg në të shkuarën sa të mos më dhembë më. Ia tregova një shoqeje para ca ditësh dhe m’u duk një histori argëtuese. Madje, mund të bëj shaka në lidhje me të.

Nga Cyndi Maisonneuve për The Guardian

Botuar për herë të parë më 28 maj 2018