Hostel by Anabel

Çfarë është coperto dhe pse italianët e vendosin në faturë?

Shkruar nga Anabel

24 Prill 2020

Çfarë është coperto dhe pse italianët e vendosin

Në pjesën e parë të aventurës italiane, të transmetuar në serinë e pestë, gocat e “Hostel by Anabel: Si n’jetë”, Megi, Viola dhe Ana, hëngrën pica në Milano. Siç mund ta shihni në videon e mëposhtme [min. 42:18], në faturë ishte vendosur €8.40 për coperto, ose €2.10/person (afërsisht 260 lekë).

Nëse keni drekuar/darkuar në restorantet italiane dhe nuk e keni vënë re coperto-n, me gjasë keni qenë në rajonin e Lacios, ku bën pjesë edhe Roma, i cili është i vetmi rajon ku coperto nuk vendoset në faturë, të paktën ligjërisht.

E thënë me fjalë më të thjeshta, coperto është një tarifë për person që zakonisht specifikohet në menu. Tarifa shkon nga 1-3 euro, por mund të jetë edhe 5 euro për restorantet e shtrenjta. Coperto nuk është bakshish, por është një tarifë që mbulon çmimin e bukës që mund të konsumosh, vajin, kripën dhe të tjera sende, si lugë, pirunj, peceta, mbulesa e tavolinës etj.

Çfarë është coperto dhe pse italianët e vendosin

Sipas Laura Teso-s, që zotëron “My Corner of Italy”, një nga 50 blogjet më të mira italiane të udhëtimeve, coperto e ka origjinën nga Mesjeta. Asokohe, shumë njerëz uleshin nëpër bujtina, jo për të konsumuar diçka, por për të ngrënë ushqimin që merrnin nga shtëpia. Kështu pronarët e bujtinave vendosën që t’i kërkonin një tarifë që mbulonte përdorimin e tavolinave (mbulesat e bukës dhe enët e tjera të ngrënies).

Laura shton se, në një farë mënyre, në restorantet ku coperto vendoset në faturë shmangen edhe sikletet me bakshishet, pasi ndryshe nga kultura të tjera, italianët nuk e kanë të detyruar lënien e bashkishit.

Megjithatë nuk është praktikë e të gjithë restoranteve. Ashtu si lexohet në pusullën e mëposhtme, dërguar nga një ndjekëse në @anabel_media, njerëzit, ndryshe nga koha e Mesjetës, nuk shkojnë më nëpër restorante për të ngrënë ushqimin e tyre, ndaj coperto është i panevojshëm.

Çfarë është coperto dhe pse italianët e vendosin

MOS I HUMBISNI