
Gëzim Kruja, Mjeshtri i Madh i Humorit i cili u nda nga jeta ditën e sotme si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, e nisi karrierën në moshë fare të re, vetëm 13 vjeç. Pas perfomancave në estradën amatore, në vitet ’60-’70 Kruja u shndërrua në një nga emrat më të spikatur të Estradës Profesioniste të Shkodrës.
Gjatë karrierës së gjatë dhe të suksesshme, Kruja shkroi dhe interpretoi komedi dhe monologë humoristikë, si “Qesh e ngjesh”, “Ju ofroj buzëqeshje”, “Keni nevojë me qesh”.
Çfarë spikaste ndër të tjera në tematikën e monologëve dhe komedive të tij qe padyshim raporti grua-burrë, sjellë përmes humorit dhe batutave.
Humori dhe dëshira për të qenë pranë publikut e mbajtën artistin aktiv deri në fund të jetës së tij. Në 2016-n ai u shfaq në “Portokalli”, performancë që numëron më shumë se 1 milion e 200 mijë klikime. “Gëzim Kruja i mrekullueshëm”, “Respekte për të madhin Gëzim Kruja”, “I paharrueshëm” janë disa nga komentet që vlerësojnë veprën e Krujës në historinë e komedisë dhe teatrit shqiptar.

Kruja i mbaroi studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik, në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Shkodër. Në vitin 2004 u vlerësua me çmimin “Krenaria e Qytetit”, një vit më vonë mori titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.