Që nga dita e nesërme (1 prill), mbi 60,000 persona të punësuar në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, do të përfitojnë pagën minimale bazuar në Paketën Ekonomike të shpallur nga qeveria për lehtësimin e pasojave të shkaktuara në Covid-19.
Po si do të veprohet me ata punonjës që punojnë në të zezë dhe të papunët? Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj i ftuar në "Real Story", në News 24 tha se atyre do t'i jepen ndihma përmes ushqimeve dhe të mirave materiale dhe se një operacion i tillë humanitar ka nisur tashmë.
"Janë 77,877 familje me ndihmë ushqimore, 21,625 familje me ndihmë mjekësore si dhe ndarja e pensioneve. Familjet me të papunë marrin pako herë pas here. Rezerva e shtetit ka sot 20 milionë dollarë për të blerë ushqime për pako në mënyrë që t'i shpërndahen këtyre familjeve."- u shpreh Ahmetaj.
Nga ana tjetër, u mor një tjetër vendim sipas të cilit, kryeministri Rama, zëvendës kryeministri Erjon Braçe dhe ministrat e kabinetit do të marrin vetëm gjysmën e rrogës për një periudhë tre mujore për të kontribuar në lidhje me luftën kundër Covid-19.