Celebrity

Woody Allen, regjisori që u martua me thjeshtrën: ‘Ishte një vendim financiar’

Shkruar nga Anabel

25 Mars 2020

Woody Allen, regjisori që u martua me thjeshtrën: ‘Ishte

Në librin e tij me kujtime, Woody Allen, thotë se u martua me gruan e tij, Soon-Yi Previn për motive financiare.

“Për sa i përket martesës, asnjëri nga ne s’kishte ndonjë dëshirë për të formalizuar marrëdhënien,” shkruan Allen në librin e tij “Apropos of Nothing.” “Të dy mendonim se asnjë kontratë s’ia vlen barra qiranë nëse palët s’janë të lumtura. Ne e donim njëri-tjetrin dhe s’kishim nevojë për ligjin. Nuk do të martoheshim dhe kaq. Pastaj u martuam. Pse? Jo për arsye romantike, por vetëm për arsye financiare.”

Duke iu referuar diferencës 35-vjeçare në moshë, Allen, 84 vjeç, vijon: “E adhuroja Soon-Yi dhe e dija që isha shumë herë më i madh se ajo dhe se mund të vdisja nga momenti në moment. Nëse do të ndodhte kështu, doja që ajo të ishte e mbrojtur, të trashëgonte gjithë ç’zotëroja pa problem.”

Allen dhe Previn, 49 vjeçe, u martuan në fshehtësi në Venecia në dhjetor të vitit 1997.

“Edhe pse u martuam për prakticitet, dasma ishte shumë romantike,” shkruan ai dhe shton se kryebashkiaku do t’i martonte në fshehtësi në zyrën e tij dhe në praninë e motrës së Allen dhe shokut të ngushtë. Pasi e krahasoi veten me James Bond, Allen shpjegon se ai u largua nga hoteli veçmas dhe mori një gondola për të shkuar në destinacion.

Pasi u martuan në një dhomë private, çifti u kthye në hotel po veçmas, duke ndjekur rrugë të ndryshme nga njëri-tjetri.

“Kur hymë në suitë, dëgjuam telefonin,” shkruan ai. “Ishte Page Six nga The Post. Kishin dëgjuar se ishim martuar në Venecia. Pashë poshtë krevatit para se të konsumonim martesën. Dy ditë më vonë shkuam për muaj mjalti në Ritz në Paris dhe brenda 48 orësh ishim bërë lajm në gjithë botën. Soon-Yi dhe unë ishim burrë dhe grua.”

Në vitin 1977, Mia Farrow dhe ish bashkëshorti i saj, André Previn adoptuan Soon-Yi Previn nga Seuli, Korea e Jugut. Vajza ishte braktisur dhe hamendësohej të ishte mes 5-7 vjeçe. Dy vite pas adoptimit, Farrow u lidh me Allen. Gjatë kësaj marrëdhënieje, Allen krijoi afrimitet me Soon-Yi dhe kalonte shumë kohë me të. Në vitin 1992, Farrow gjeti foto nudo të Soon-Yi në apartamentin e Allen. Ai tha se fotot ishin realizuar dy javë pasi kishte bërë seks për herë të parë me Soon-Yi.

Pasi shpërtheu skandali, Allen tha se s’e konsideronte veten njerkun e Soon-Yi, duke qenë se ai dhe Farrow s’u martuan kurrë. “S’kam fjetur asnjëherë në apartamentin e Mia-s dhe as që shkoja atje deri kur u rritën fëmijët e mi. Nuk isha babai i fëmijëve të saj të adoptuar në asnjë sens të fjalës,” tha regjisori. Allen shtoi se Soon-Yi s’e trajtoi kurrë si figurë atërore dhe zor se i fliste para se të lidheshin. Allen s’sheh kurrfarë problemi me lidhjen e tyre.

Sot, Woody Allen dhe Soon-Yi Previn jetojnë në Manhatan dhe kanë adoptuar dy fëmijë.

MOS I HUMBISNI