Health News

Instituti i Shëndetit Publik sqaron situatën për koronavirusin në Shqipëri

Shkruar nga Anabel

23 Shkurt 2020

Instituti i Shëndetit Publik sqaron situatën për koronavirusin

Në një deklaratë për mediat, doktoreshë Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik, theksoi se “nuk ka asnjë rast të dyshuar dhe asnjë rast të konfirmuar në Shqipëri”. “Natyrisht që e rëndësishme është që të jemi vigjilentë,” shtoi ajo.

Në vijim të deklaratës së saj, Bino theksoi se “virusi nuk luftohet vetëm nga strukturat qeveritare, të cilat padyshim janë të rëndësishme”. Ajo vuri në dukje rëndësinë e kujdesit higjieno-sanitar në një situatë si kjo e koronavirusit.

“ISHP e përcakton diagnozën e koronavirusit në vend. Ka disa pajisje që ndihmojnë njëra-tjetrën, pra po u prish njëra kemi tjetër; ka të gjitha kitet, ragentët për t'u kryer diagnoza e koronavirusit. Laboratori i ISHP-së është pjesë e rrjetit europian të laboratorëve për sëmundjet e rrezikshme. Është një virus i ri, metodikat janë të reja dhe ne jemi në atë hap që janë të gjitha vendet e tjera të botës dhe sidomos të Europës.”

Në vijim shtoi:

“Janë përforcuar masat në kufi. I bëj thirrje qytetarëve që udhëtojnë nga Kina dhe Italia të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo shqetësim të tyre. Në Rinas ndodhet njësia e ISHP me mjekë dhe personel shëndetësor që është përforcuar ditët e fundit pasi kontakti me Italinë është shumë i shpeshtë. Virusi në asnjë vend të botës nuk mund të ndalet në aeroport. Nuk i kanë të gjitha vendet skanerët e temperaturës. Nga studimi i fundit paraprak është treguar që ata nuk kanë ndonjë vlerë në kapjen e hershme të rasteve. Kapja bëhet nëpërmjet sistemit shëndetësor, të survejancës.”

MOS I HUMBISNI