Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri me dije se emri zyrtar i sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi është Covid-19.
“Tani kemi një emër për sëmundjen dhe është Covid-19,” u shpreh shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, para gazetarëve në Gjenevë, Zvicër.
Emri vjen pasi numri i vdekjeve të virusit kaloi shifrën 1000, ndërkohë dhjetëra mijëra njerëz janë infektuar.
Fjala koronavirus i referohet grupit të viruesve që i përket. Vetë virusi është përcaktuar si SARS-CoV-2 nga Komiteti Ndërkombëtar për Taksonominë e viruseve. Studiuesit kanë bërë thirrje për të përdorur emrin zyrtar, Covid-19, për të shmangur ngatërresat.
“U desh të gjenim një emër që nuk i referohej një lokacioni gjeografik, një kafshe, një individi apo një grupi njerëzish, i cili është gjithashtu i shqiptueshëm dhe lidhet me sëmundjen,” tha shefi i OBSH-së.
“Të paturit një emër ka rëndësi për të parandaluar përdorimin e emrave të tjerë që mund të jenë të pasaktë ose stigmatizues. Ai gjithashtu shërben si një format standard për t’u përdorur në çdo shpërthim të ardhshëm të virusit.”
Emri u formua nga bashkimi i fjalëve “corona”, “virus” dhe “disease” (sëmundje) dhe numri 19 u vendos për vitin 2019 kur u shfaq.
Për momentin, ka më shumë se 42,000 raste të konfirmuara në të gjithë Kinën dhe numri i vdekjeve e ka kapërcyer atë të epidemisë Sars në 2002-2003. Të hënën, 103 njerëz ndërruan jetë në provincën Hubei.
Shkencëtarët nga e gjithë bota po takohen në Gjenevë për të diskutuar në lidhje me mënyrat për të luftuar përhapjen e mëtejshme të virusit.
Adhanom Ghebreyesus tha se ekziston ende një shans për të përmirësuar gjendjen e shkaktuar nga sëmundja. Ai vlerësoi masat e marra nga autoritetet kineze, për të cilat tha se “po ngadalësojnë përhapjen në pjesën tjetër të botës”.