Showbiz dhe TV

Monologu i fortë i Alketës për emigrimin dhe shqiptarët

Shkruar nga Anabel

7 Shkurt 2020

Monologu i fortë i Alketës për emigrimin dhe shqiptarët

Tema e monologut të Alketa Vejsiut në Sanremo ishte emigrimi. “Vij nga një vend i vogël si Shqipëria dhe doja të ndaja me ju një histori,” u shpreh ajo në fillim.

“Njëherë e një kohë, ishte një vend ku dëgjimi i [Claudio] Baglioni-t dhe [Adriano] Celentano-s ishte i ndaluar, bëheshe armik i popullit, mund të të kushtonte lirinë. Mund të përfundoje në burg. Njëherë e një kohë ishte një vend ku dyshonin nëse ishe bjonde, sepse bjonde ishte Raffaella Carrà. Njëherë e një kohë, ishte një vend ku italishtja mësohej nga transmetimet e Rai-t, ku Sanremo ishte gjithmonë Sanremo, edhe kur ishim të detyruar ta dëgjonim fshehtas, pasi mbyllnim mirë dyert dhe dritaret.” – tha Alketa.

Monologu i fortë i Alketës për emigrimin dhe shqiptarët
Fustani: Valdrin Sahiti/ Bizhutë: Damiani

Në vijim të monologut, ajo u shpreh se sot “mund të duket absurde”, por asokohe “ishin çmime që duhej të paguaje nëse jetoje në diktaturë”. Ajo falenderoi Italinë, që “mbajti gjallë ëndrrat e shqiptarëve”.

“Faleminderit Italisë që mbajti gjallë ëndrrat tona në atë epokë të errët. Sepse nuk na braktisët kurrë. Nuk na braktisët kur morëm anijet për të mbërritur në bregun përtej detit për një mundësi më të mirë për të jetuar. Faleminderit Itali, sepse na keni dhënë shumë, na keni ndriçuar rrugën me kulturën, artin, bukurinë dhe muzikën tuaj.”

Në vijim, Alketa u ndal edhe te historia e Ermal Metës, i cili fitoi Sanremon në 2018-n.

“[...] një djalë u largua me anije dhe zbarkoi në Itali, ku bëri atë që dukej e pamundur, fitoi Sanremon. Ai djalë është sot një emër i madh i muzikës italiane dhe quhet Ermal Meta, i cili me fitoren e tij në 2018-n ngriti peshë edhe krenarinë e shqiptarëve.”

Moderatorja përmendi edhe lidhjen e fortë që populli shqiptar ka me Italinë, jo vetëm në muzikë, por edhe në fusha të tjera, si sporti për shembull.

“Ne brohorasim gjithmonë jo vetëm muzikën tuaj, por gjithçka që ju takon. Kur Italia shënon gol në Kupën e Botës, ne gëzojmë po aq sa ju.”

Monologu i fortë i Alketës për emigrimin dhe shqiptarët

Në përfundim të monologut, Vejsiu u shpreh se “muzika fshin kufijtë dhe bashkon popujt dhe kombet”.

“Teksa po ju flas, më kujtohet ajo vajza e vogël që pyeti babin pse e pëlqente aq shumë një këngë të Bobby Solo, ‘Una lacrima sul viso’. Dhe babi im më tha që kënga flet për lotin, i cili rrjedh pasi zemra thyhet dhe rritet e bëhet det. Unë i thashë me naivitetin e fëmijës që kërkon të mësojë gjithçka: ‘Ah, kjo është arsyeja pse loti është i kripur’.”

Moderatorja përmendi më pas tragjedinë e kanalit të Otrantos, në të cilën “u mbyt shpresa për të gjetur ‘Tokën e Premtuar’ në bregdetin përballë”.

Teksa këndonte “Una lacrima sul viso", në skenë u shfaq artisti italian 74-vjeçar, Bobby Solo.

Monologu i fortë i Alketës për emigrimin dhe shqiptarët

Monologu i fortë i Alketës për emigrimin dhe shqiptarët

Monologu i fortë i Alketës për emigrimin dhe shqiptarët

MOS I HUMBISNI