Fashion & Beauty

Kodi i formës

Ç’vlerë do të kishte të imitonim ngjyrat, cohërat, të cilat prezantohen nga stilistët në çdo sezon, kur ne nuk njohim siluetën? Por, për këtë, ose duhet një lloj ndjeshmërie dhe kreativiteti, që do të na radhiste mes mendjeve më fantaziste në fashion (gjë që ka pak gjasa të ndodhë), ose duhet një kujtesë e hatashme për të fiksuar disa këshilla të sintetizuara në një intervistë me stilisten Silvana Nini.

Çfarë është forma e veshjes?
Forma është një nga elementet e artit, por në fashion përcaktohen edhe tre përbërësit e saj, si: konstruksioni, linja dhe silueta. Me konstruksionin kuptohen bazat e prerjes, modelimi dhe dhënia e formës tredimensionale të veshjes nëpërmjet materialeve dydimensionale (pëlhurat). Silueta ka të bëjë me përshtypjen e parë që një veshje krijon kur shfaqet në një pasarelë. Kjo ka të bëjë me formën e përgjithshme të veshjes, pa u futur në detaje. Silueta është thelbësore në krijim për një fashion design.

Me linja të veshjes kuptohen prerjet dhe qepjet në trup, si dhe efekti i tyre vizual. Shpeshherë, gabimisht, me linjë kuptohet linja e veshjeve, e cila ka të bëjë me siluetën.

Çfarë funksioni luan forma në raport me detaje të tjera të veshjes?
Ashtu siç e përmendëm më lart, forma (konstrukti, silueta dhe linja) është baza e ndërtimit të veshjes, por një fashion designer për asnjë moment nuk e harron materialin me të cilin do ta krijojë këtë veshje. Nëse do të realizonim një formë të njëjtë në dy materiale të ndryshme (një material të fortë dhe një material të derdhur), atëherë do të përftonim dy veshje vizualisht të ndryshme. Sigurisht, për të përftuar siluetën e duhur në veshje, duhet të përdorim materialin e duhur. Eksperimenti dhe prova janë pjesë e pandarë e procesit krijues në design, derisa del kampioni përfundimtar i gatshëm për pasarelë dhe për prodhimin industrial.

Cila është më e rëndësishme mes tyre?
Forma, materiali i cohës apo ngjyra, në mënyrë që të dukemi të veshur bukur? Për sa i përket rëndësisë së këtyre elementeve në zhvillimin e një koleksioni, ato janë pjesë e pandarë e një krijuesi të modës që, në varësi të stilit, idesë dhe të tendencave zotëruese, i jep prioritet herë njërit element dhe herë tjetrit, por gjithnjë duke krijuar unitet mes tyre.

Cilat njihen si format më të përdorura në veshjet e përditshme të njerëzve?
Kur themi veshje e përditshme, mund të përfshijmë një larmi veshjesh, si: casual, xhins, sport, veshje të specifikuara në varësi të punës etj., ku përfshihen si format klasike të prerjes, ashtu edhe ato bashkëkohore. Sigurisht që elementet përbërës të veshjes së përditshme, sidomos për sa i përket formës dhe materialit, janë më të thjeshtë ose në varësi të profesionit. Ndër linjat femërore më të përshtatshme për veshjen e përditshme do të ishin linja H, V, Trapez, T, A etj. Veshjet e ditës janë veshje praktike, me forma të thjeshta, ku materiali zgjidhet sipas stinës.

A ka forma, të cilat përdoren më shpesh për veshjet e mbrëmjes e të tilla që më shumë përdoren për veshje për ditën, për veshje zyre etj.? Cilat janë këto forma?
Tendencat e formave të reja në prerje sigurisht që përfshijnë të gjitha llojet e veshjeve, si ato të ditës, ashtu edhe ato të mbrëmjes dhe të rasteve të ndryshme. Po kështu, këto tendenca e shoqërojnë veshjen si në ngjyrë, ashtu edhe në teksturë. Këto tendenca përshtaten edhe në gjini, për fëmijët, femrat dhe meshkujt. Sigurisht që përshtatja e tendencave dhe elementeve bëhet për çdo lloj veshje dhe funksioni që ajo kryen, p.sh. nëse janë në trend forma e pantallonave të viteve ’70, atëherë do t’i realizonim me xhins e do të përftonim një veshje sportive ose me lino një veshje casual e me një material mëndafshi pantallona për mbrëmje. Por sigurisht që kemi edhe dallime në formë, për sa i përket llojit të veshjes. Format e veshjeve të ditës janë më të thjeshta e sigurisht të lejojnë më shumë liri veprimi. Për sa i përket veshjeve të mbrëmjeve a rasteve të veçanta, format e tyre mund të jenë më ekstravagante e të mos na lejojnë lëvizje energjike. Disa nga linjat më të përdorura për veshjet e mbrëmjes mund të jenë: linja Sirenë, linja Amforë, linja Paloncine etj., por kjo nuk përjashton forma të reja alternative, që na i ofron dizajni krijues. Thyerja e “rregullave” shpesh shihet si risi në fushën krijuese.

Si t’i përdorim format për një paraqitje sa më të mirë estetike?
Për të përshtatur veshjen me trupin tonë, duhet të kemi parasysh disa rregulla, që kanë të bëjnë me linjën:
- Linjat vertikale zgjasin trupin.
- Linjat horizontale theksojnë gjerësinë.
- Linjat e drejta perceptohen si të ashpra dhe mashkullore.
- Linjat e harkuara konsiderohen të buta dhe femërore.
- Prerjet dhe qepjet mund të mos jenë standarde dhe të lëvizin përreth trupit.
- Veshjet mbi njëra-tjetrën me gjatësi të ndryshme mund të krijojnë vija horizontale përgjatë trupit.
- Kombinimi i pjesëve të ndryshme të veshjes krijon shumëllojshmëri linjash.

Si të zgjedhim format e veshjeve sipas formës së trupit?
Ndryshe nga veprat e tjera të artit, domethënia estetike e objekteve fashion varet nga fakti se si ajo shfaqet në trupin e njeriut. Në momentin që vishet, elementet e dizajnit ndërveprojnë me karakteristikat fizike të konsumatorit. Kompleksiteti i marrëdhënieve midis elementeve të dizajnit dhe karakteristikave fizike të konsumatorit e bën konstruksionin (formën) një rrugë të vështirë kërkimi, por jo të pamundur.
-Kur trupi është si shkop: ka diferenca të vogla midis bustit, ijëve dhe belit. Fokusimi duhet bërë tek qafa, fytyra dhe krahët, për të krijuar balancën. Përdorni linjën A (linja të thjeshta) dhe sa më shumë ngjyra dhe printime.
-Trupi në formë dardhe: busti është i vogël, ijët janë të rrumbullakosura dhe vithet me gjerësi të madhe. Fokusimi duhet bërë në pjesën e sipërme, për të krijuar balancë. Vishni masën e duhur të veshjes, mos u përpiqni të fshihni ijët. Përdorni ngjyra të errëta, për t’u dukur më e hollë. Detajet (aksesorët, prerjet etj.) duhen përqendruar në pjesën e sipërme të trupit, ndërsa pjesa e poshtme është mirë të jetë solide.
-Trupi në formë molle: bust është i plotë, ijët dhe vithet janë të mbushura. Fokusimi në pjesën e belit për balancë. Përdormi i vijave vertikale i jep zgjatje figurës. Aksesorët duhet të jenë të minimizuar dhe në proporcion me masën e trupit. Përdorni veshje të shkurtra për t’i dhënë elegancë figurës.

Stilistët e formës
Sigurisht, stilistët që punojnë me prerjet dhe në çdo sezonsjellin risi në këtë element, janë të shumtë dhe secili prej tyre i sjell ato nëpërmjet kërkimeve dhe stilit personal. Të tillë mund të përmendim Jil Sander-in, fashion designer-in më i rëndësishëm në Gjermani, krijoi në vitet ‘90 stilin e saj intelektual, minimalist. Si krijuese ajo mbështetet te linjat e pastra dhe kërkimi i vazhdueshëm në forma dhe materiale.
Dior është një nga krijuesit më të mëdhenj të modës së shek. XX. Në vitet 1947-1957, lançoi çdo vit nga një linjë të veçantë: linjën Ovale [Dior-i mbivendoste tre ovale: kokën, spencer-in (xhaketë e vogël femërore) dhe vithet], linjat H, Y,A, linjën Vertikale, linjën Tulipan etj.
Issey Miyake ka ndikuar në revolucionarizimin e konceptit perëndimor mbi veshjen dhe mbi trupin, ku veshja u konsiderua si një trup i dytë artificial, i ndërtuar me prerje dhe me mbivendosje. Issey i kushton shumë rëndësi materialit dhe ka një frymëzim të vazhdueshëm nga origami.
Gianfranco Ferre është quajtur “ arkitekti i modës” “mjeshtri i formës”. Forma ishte në bazë të krijimtarisësë tij: rrathët, cilindrat, koni dhe piramidat e skicave të tij transformoheshin në arkitekturë të mrekullueshme prej cope. Leigh Bowery, artisti performues e fashion designer-i australian, i ndërtonte veshjet me forma skulpturore. Ai eksperimentoi me siluetën. Trupi që ndërtonte, ishte i mbushur me kombinime të shumta formash dhe shprehejse, në këtë mënyrë, e riformonte dhe nuk e deformonte atë.

Format më të zakonshme që përdoren në veshje: Në veshjen femërore, dallohen forma të ndryshme të veshjes:
Linja H. Këtu linja është e drejtë dhe rripi i vendosur lehtë në ijë. Shpatullat dhe fundi kanë të njëjtën gjerësi.
Linja V. e veshjes është kur kemi shpatullat e gjera dhe fundin e ngushtë.
Linja A, është përdorur kryesisht në vitet ‘60, me shpatullat e ngushta dhe fundi vjen kovë.
Linja Redingotë, që të kujton kapotat ushtarake të 1800-ës, me belin e ngushtë dhe fundin kovë.
Linja Amforë, me vithet e theksuara dhe fundin e ngushtë.
Klesidra, me shpatulla të gjera, belin e theksuar dhe fundin veref me zhupon. E pastaj kemi linjën Trapez, linjën T etj.

“Nëse do të futeni në një ambient plot me femra, të cilat janë të veshura me fustane të ngushta, që theksojnë linjat e trupit, e pastaj diku shihni edhe një femër, e cila është krejt e kundërta dhe ka zgjedhur veshje të lira, unë menjëherë do të tërhiqesha më shumë prej saj, sepse ajo ka zgjedhur një qasje krejt origjinale për fashion”, thotë Raf Simons, drejtori kreativ i Jil Sander-it, në një intervistë për revistën “Elle”. Në koleksionin Vjeshtë-Dimër 2011-2012, ai prezantoi veshje të frymëzuara nga vitet ’60, ku binin në sy format e gjera të veshjeve dhe kombinimet e ndryshme mes tyre.

Mjeshtrit e formës, si: Simons, Armani apo Dior, kanë befasuar me mënyrën sesi prezantojnë, punojnë mbi format dhe njëkohësisht kanë gjeneruar pyetje të llojit: Deri ku mund të shkojë fantazia e një dizajneri të talentuar kur punon mbi formën? Njerëzit e zakonshëm vështirë të përgjigjen, madje edhe fanatikët e tendencave të modës ndahen në dy kategori në të tilla çështje: 1. fashionistë të mprehtë ose 2. imitues autodidaktë të asaj që shohin në pasarela. Të parët e kanë të thjeshtë të kuptojnë rëndësinë e siluetës, të dytët kanë nevojë edhe për ca leksione plus për të mësuar më shumë mbi formën dhe mënyrën sesi duhet trajtuar në veshje.

REELS

OK!

Emisionin e plotë e gjeni në Youtube/ Andale AL

E kemi mbajtur sekret, por sot sikur kemi qejf t'jua themi! 💕 @greenandprotein.al është vendi që na sjell mëngjesin dhe drekën në zyrë se e kemi zgjedhur si vend të preferuar. Ndonjëherë shkojmë edhe vetë se ka ambient të lezetshëm dhe të qetë. 🥰 Bowls janë yll, lëngjet e frutave, çdo gjë dmth. 🥑

Sa i bukur ky projekti i @unwomenalbania 💕 Gratë fuqizohen, udhëtojnë vetëm, argëtohen dhe zbulojnë histori frymëzuese dhe të pabesueshme nga peshkatarët. Në një udhëtim shumë të bukur në Vlorë ndodhin të gjitha. Love the idea 💡 Bravo! 🙌

U zgjuam me një ndjenjë nostalgjie sot 😌

S'e dimë ne ç'rast ke ti, por dimë ku duhet ta marrësh fustanin! 👗 @la_kune_ ka kaq shumë modele për çdo event, masa S-2XL, super çmime dhe dizajne. Të nderon kudo dmth ✌️

POV: Të bien pantallonat në mes të performancës, por ti je Beyoncé 🔥

Dua Lipa performon këngën e Raffaella Carrà dhe rrëmben zemrat e italianëve ❤️‍🔥

Po ju, keni bërë ndonjëherë takime po aq interesante?! 🤨

Shpresojmë për më të mirën! 🇦🇱❤️‍🔥 Credits: @eja.alb